2008-04-29 17:29:49

Të dhënat e një studimi, paraqitur dje në Vatikan: ‘Shkrimi Shenjt ngjall interes, por vetëm një e treta e evropianëve e ka shfletuar Biblën vitin e fundit’.


(29.04.2008 RV)RealAudioMP3 Leximi i Biblës ngjall gjithnjë interes dhe konsiderohet me vlerë të padiskutueshme. Në këtë përfundim arrihet pas studimit me temë “Leximi i Shkrimit Shenjt në disa vende”, organizuar nën kujdesin e Federatës Biblike Katolike, në kuadrin e Sinodit të ipeshkvijve, që do të mbahet më 5 deri më 26 tetor, me temë: “Fjala e Hyjit në jetën e në misionin e Kishës”. Kujtojmë se në këtë sinod kaq të rëndësishëm do të marrin pjesë edhe ipeshkvijtë shqiptarë. Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë do ta përfaqësojë sekretari i saj, ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucian Avgustini, ndërsa Konferencën e Shën Çirilit e Metodit, kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot Zef Gashi.
Shtetet ku u bë studimi, rezultatet e të cilit u paraqitën dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit, janë: Mbretëria e Bashkuar, Holanda, SHBA, Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Polonia e Rusia.
Nga ky studim arrihet në përfundimin se shumica e njerëzve që u pyetën, e konsiderojnë thellësisht interesante përmbajtjen e Shkrimit Shenjt. E lartë edhe përqindja e atyre që mendojnë se leximi i Biblës lidhet me jetën e përditshme.
Por këtyre të dhënave, duhet t’u shtojmë edhe disa rezultate më pak pozitive, gjithnjë lidhur me leximin e Biblës. Gjatë 12 muajve të fundit, në zonën evropiane, ku u krye studimi, kanë lexuar të paktën një fragment nga Shkrimi Shenjt nga 20% deri në 38% e të intervistuarve. Në SHBA kjo e dhënë arrin në 75%. Po në Shqipëri, sa do të ishte përqindja e njerëzve që e lexojnë Biblën, në se do të bëhej një sondazh i tillë shumë interesant e i nevojshëm? Sipas profesor Luka Diotalevit, koordinator i grupit të studimit, ajo që duhet kritikuar më shumë, është kalimi nga leximi i Shkrimit Shenjt, në praktikën fetare:
Prej këtyre të dhënave, procesi i shekullarizimit paraqitet qartë si proces që nuk i shlyen ndjenjat fetare nga mendja e nga zemra e njerëzve, por krijon probleme për kalimin nga ndjenjat fetare, në praktikimin e fesë”.
Kryetari i Federatës Biblike Katolike, Imzot Vinçenco Palia, vërejti se janë ende të paktë ata që e shikojnë Biblën si ‘librin e jetës së tyre shpirtërore”:
Ja pse këmbëngulja e Gjon Palit II dhe vijimi i ngulmimit të Papës Racinger mbi Lectio divina (dmth mbi leximin e liturgjisë së orëve) na tregojnë cila është një nga perspektivat e rëndësishme, që Sinodi duhet të ketë në qendër të vëmendjes; e kjo, sepse leximi i Shkrimit Shenjt ta lehtëson takimin me Hyjin ose të krijon kushtet e përshtatshme që të provosh përvojën e mrekullueshme shpirtërore”.
Përveç njohjes së Shkrimit Shenjt, është e nevojshme t’i rikthehemi vazhdimisht leximit të tij e lutjes, për të krijuar një atmosferë të larmishme shpirtërore. Këtë nënvizoi imzot Gjanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën:
“Duhet t’ia rikthejmë edhe një herë jo vetëm teologjisë, jo vetëm liturgjisë, por edhe përshpirtërisë private, personale, dëgjimin dhe leximin e Biblës. Kjo Lectio divina duhet të bëhet edhe lutje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.