2008-04-29 17:28:59

Nga 12 deri më 15 shtator, Papa do të jetë në Francë, në shtegtimin e tij të 10-të apostolik për kremtimet e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës në Lurdë.


(29.04.2008 RV)Benedikti XVI do të bëjë një shtegtim apostolik në Francë më 12 deri më 15 shtator, me rastin e Jubileut të 150-vjetorit të dukjeve të Zojës në Lurdë. Njoftimin e dhanë dje ipeshkvijtë francezë, përmes një Komunikate shtypi.
Benedikti XVI do të niset si shtegtar mes shtegtarëve drejt Shenjtërores së Lurdës. Gjatë këtij shtegtimi, do të ndalet edhe në Paris, ku do të arrijë më 12 shtatorin e ardhshëm. Vizita e parë do të jetë ajo në Kolegjin des Bernardins, ku do të mbajë një konferencë drejtuar botës së kulturës. Më pas do të shkojë në katedralen e Shën Marisë së Parisit, ku do të kremtojë lutjet mbrëmësore me klerin. Në përfundim të lutjeve, do t’u drejtojë fjalën të rinjve, mbledhur në tremen e Katedrales.
Më 13 shtator Benedikti XVI do të jetë në Lurdë. Paradite do të kryesojë Meshën në Sheshin e të sëmurëve, ndërsa në mbrëmje, në përfundim të procesionit me qirinj ndezur, do t’u drejtojë një mesazh shtegtarëve.
Më 14 shtator do të kremtojë Meshën solemne; më pas do të takohet me ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore franceze dhe do të përfundojë procesionin eukaristik.
Ditën e fundit të vizitës, më 15 shtator, Papa do të vojojë disa të sëmurë gjatë një kremtimi eukaristik e, së fundi, pasdite, do të rikthehet në Romë.
Gjatë vizitës – sipas njoftimit të ipeshkvijve francezë – Papa do të takohet edhe me liderët e konfesioneve të tjera të krishtera si dhe me disa përfaqësues të bashkësisë hebraike e asaj myslimane.
Në Lurdë besimtarët e presin me devocion të thellë vizitën e Benediktit XVI, ndërsa kujtojnë se – pikërisht në Shenjtëroren mariane - katër vjet më parë Papa Vojtila kreu shtegtimin e tij të fundit apostolik.Shtegtim i rëndësishëm, ky i Francës, që vjen menjëherë pas shtegtimit të nëntë apostolik të Papës në Australi, me rastin e DBR-së 2008 në korrikun e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.