2008-04-29 16:31:31

Bashkësia ndërkombëtare dënon sulmin e djeshëm izraelit në Gaza


(29.04.2008 RV)Në Lindjen e Mesme akoma dhunë në zonën e kufirit ndërmjet Rripit të Gazës e territorit izraelit, të nesërmen e vrasjes së një gruaje palestineze bashkë me të katër fëmijët e saj gjatë bombardimeve të ushtrisë së Tel Avivit. Kryeministri izraelit, Olmert shprehu sot “dhimbjen e tij të thellë” për vdekjen e tyre. Që në mëngjes herët, nga Gaza kanë vazhduar goditjet me predha në territorin izraelit, në mënyrë të posaçme në Sderot, ku është shkatërruar një objekt e pesë persona janë plagosur, ndërsa në kibucin e Kisufimit është goditur një qendër shëndetësore.
17 persona janë dënuar nga autoritetet kineze për trazirat në Tibet. Dënimet shkojnë nga tri vjet deri në burgim të përjetshëm. Ndërkaq, sipas qeverisë tibetiane refugjate në Indi, që nga 10 marsi i kaluar, dita e nisjes së protestave në kryeqytetin Lhasa, e deri më 25 prill, ushtria e rregullt kineze ka vrarë 203 vetë, ka plagosur mëse 1000 të tjerë e ka arrestuar 5715 persona.


Të paktën 15 afganë janë vrarë sot dhe 25 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim kamikaze në lindje të Afganistanit, afër kufirit me Pakistanin, ka bërë të ditur zëdhënësi i forcave të NATO-s. Atentati ndodhi në jug të qytetit Xhalalabad dhe viktimat ishin si anëtarë të forcave afgane, ashtu edhe civilë. Burime të NATO-s kanë njoftuar se trupa amerikane e britanike kanë ndërmarrë një fushatë sulmesh në zonën e kontrolluar nga talebanët në provincën Helmand, në jug të Afganistanit.
Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara ka akuzuar sërish Iranin dhe Sirinë se po destabilizojnë Irakun. Teherani dhe Damasku i kanë hedhur poshtë akuzat. Ambasadori amerikan, Zalmai Kalilzad tha në Këshillin e Sigurimit se grupe të mbështetura nga Irani kanë sulmuar civilët, forcat irakiane dhe trupat amerikane në Irak. Kalilzad shtoi se trupat e Gardës islamike revolucionare të Iranit vazhdojnë të armatosin, stërvisin dhe financojnë grupet e armatosura në Irak. Sa i përket Sirisë, Kalilzad deklaroi se nuk është në gjendje të bllokojë luftëtarët e huaj, që hyjnë në Irak përmes kufirit të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.