2008-04-29 16:53:16

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(29.04.2008 RV)RealAudioMP3 29 prill: Konklavi i Viterbos: kardinajtë me bukë e ujë e të ftohtë.
Jemi në Viterbo, pranë Romës, në vitin 1270. Kapiteni i popullit nuk mund ta përmbajë më zemrimin e vet, e as atë të popullit.
“Mbyllini këta njerëz, që s’janë të zotët për asgjë” – u bërtet rojeve. “Duhet të vendosin sa më parë! Ka ardhur e ka kaluar koha që të zgjedhin një kryetar…”. “Ej, ju!” – vijon të ulurijë – “Shembeni çatinë. Le të hyjnë lirisht shiu e ngrica!”.
Po kapiteni gabohet. S’ia arrin fare qëllimit. Të burgosurit e tij, të mbyllur në Pallatin ipeshkvnor, kanë ndërtuar kasolle të vogla prej druri për t’u mbrojtur nga ndryshimet e kohës. Nga e ftohta e dimrit e vapa e verës. Kalojnë kështu dy vjet nga vdekja e papës Klementi IV e Kisha është ende pa papë.
“Mjaft tani! Që nesër do të ushqehen vetëm me bukë e ujë!” – urdhëron kapiteni i acaruar… e i dëshpëruar në kulm. Më në fund të burgosurit dorëzohen. Kardinajtë, këta dinjitarë të lartë e të pasur të Kishës, të ngarkuar për të zgjedhur papën, këputur nga dieta e rreptë, u japin fund mosmarrëveshjeve. Në të vërtetë votimin e vonojnë konfliktet ndërmjet të mëdhenjve të botës, që duan të përfitojnë nga rasti, për të realizuar aleancat e dëshiruara ndërmjet fisnikëve e dinastive. Duhet kujtuar se në kohë të tilla të trazuara, zgjedhja e Papës ka pasoja politike mbi gjithë kontinentin. Për fat Shpirti Shenjt këtë herë përdor urinë e të ftohtin… E, pas tri vjetësh nga vdekja e Klementit IV, më 1 shtator 1271, më në fund kardinajtë zgjedhin një farë Tebaldo Viskonti.
Në këtë çast papa i ri është në kryqëzatë, në Tokën Shenjte, por sapo merr vesh se është zgjedhur, niset me ngut për në Romë, ku merr emrin Gregori X e tregohet pasardhës i denjë i Shën Pjetrit. Është njeri i zgjuar, që di të nxjerrë mësime të çmuara nga zgjedhja e tij e vështirë: duke nisur nga viti 1274 miraton një reformë tepër të frytshme.
Që nga ky çast e tutje, kardinajtë duhet të mblidhen gjatë dhjetë ditëve pas vdekjes së papës. Do të rrinë të mbyllur, pa asnjë lidhje me botën, për të mos iu nënshtruar kurrfarë ndikimi, deri sa ta zgjedhin papën. Në se nuk do të merren vesh brenda pesë ditësh, do të ushqehen rishtas vetëm me bukë e ujë. E a e dini se kjo reformë mbeti në fuqi deri në zgjedhjen e Benediktit XVI? Në Vatikan Kapela Sikstine kthehej në bujtinë, në mensë, në seli zgjedhore e… sadopak, edhe në burg. Edhe vetë emri ‘conclave’ dmth mbledhja e kardinajve, ruan kujtimin e ngjarjes së trishtuar të Viterbos: nga latinishtja ‘cum’ – me e ‘clavis’- kyç. Do të thotë, as më pak e as më shumë se ‘të mbyllur me çelës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.