Parlamenti Evropian debat për komunizmin, që nuk qenka i rrezikshëm si nazizmi
(28.04.2008 RV)Parlamenti Evropian ka hapur javën e kaluar një debat mbi komunizmin,
duke i ndarë më dysh deputetët e vet, jo thjesht në të majtë e të djathtë, por në
përfaqësues të vendeve të vjetra evropiane dhe në deputetë të vendeve të hyra kohët
e fundit në familjen e Brukselit. Për vendet e vjetra, si Italia, Gjermania, Franca,
“gogoli” i shekullit të kaluar është pa dyshim nazizmi e fashizmi, për të cilët krejt
Evropa pati mbajtur qëndrim me anë të procesit të famshëm të Nurembergut. Por ish-vendet
orbitë të Bashkimit Sovjetik, që tani janë pjesë e Bashkimit Evropian, si Polonia,
Hungaria, Estonia kërkojnë që edhe komunizmi të konsiderohet po aq i rrezikshëm si
nazizmi dhe shenjat e zgjimit të tij të merren njëlloj seriozisht si rishfaqja e përkrahësve
të filozofisë hitleriane, apo të naziskinëve. Për këtë arësye debati i hapur
javës së kaluar, me bazë pyetjet “A mund të krahasohet komunizmi me nazizmin? A e
meriton komunizmi një dënim pa ekuivok si nazizmi?”, përfundoi pa arritur konsensusin
e për pasojë, edhe pa një deklaratë të përbashkët mbi çështjen. Njëra nga arësyet
është se vendet e Evropës Perëndimore e shohin ish-Bashkimin Sovjetik si aleat në
luftën kundër nazizmit e presidenti Putin me deklaratat se shkatërrimi i aleancës
lindore “është katastrofa më e madhe politike e shekullit XX”, natyrisht kontribuon
në qëndrimin e atyre, që e shohin Moskën si partner ekonomik apo strategjik. Arësyeja
tjetër është se të majtët e Evropës perëndimore akoma shohin në ideologjinë, që shkaktoi
miliona viktima për një fjalë goje e mbylli brenda kufijve popuj të tërë në Lindje,
pikën e tyre të referimit. Si socialisti hollandez Viersma, ashtu edhe majtisti francez
Vurc u shprehën se vënia e krimeve të epokës sovjetike në të njëjtin kandar me ato
të nazizmit i relativizon këto të fundit dhe Holokaustin. Të zemëruar janë përgjigjur
deputetët e Evropës Lindore. Estonezi Tunne Kelam deklaroi se do të impenjohet, që
Evropa si e tillë të bëjë një vlerësim moral dhe politik të trashëgimisë së regjimeve
komuniste e kjo të mos konsiderohet çështje e brendshme për secilin vend, siç do të
dëshironte Brukseli. Ai vuri në dukje se nazizmi e fashizmi nuk shihen si çështje
të brendshme të Gjermanisë apo Italisë e çdo shfaqje e neo-nazizmit apo racizmit konsiderohet
kërcënim për vlerat e përbashkëta evropiane. E njëjta gjë duhet bërë edhe për komunizmin,
viktimat e të cilit, theksoi Kelam, janë parë deri tani, si viktima të dorës së dytë
apo të tretë.