2008-04-28 17:27:31

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa bën thirrje për Somalinë, Darfurin e Burundin.


(28.04.2008 RV)RealAudioMP3 Dje Benedikti XVI kryesoi Meshën për shugurimin meshtarak të 29 diakonëve të dioqezës së Romës. Papa u besoi misionin të hedhin farën e gëzimit të Ungjillit. Në një botë shpesh të trishtuar e negative – pohoi Shenjtëria e Tij - është e nevojshme që shpirti juaj të përflaket nga zjarri i Ungjillit. Pa dashurinë për Jezusin – shtoi Ati i Shenjtë - përjashtohemi nga lëvizja trinitare e mbyllemi në vetvete, duke humbur aftësinë për të komunikuar me Hyjin.

Ishin pak sekonda, një kohë e shkurtër, por e ngarkuar me vlerë tepër të thellë shpirtërore, ajo e ritit të shugurimit meshtarak. Ati i Shenjtë vuri duart mbi kokën e meshtarëve që po shuguroheshin dhe e luti Hyjin të ndikojë Shpirtin e vet mbi ta e t’i shndërrojë, duke i bërë pjesëtarë të meshtarisë së Krishtit. Ky gjest – u kujtoi Papa diakonëve që po i shuguronte – nuk ka asgjë magjike, ndonëse është i ngarkuar me mister, sepse këtu zë fill misioni juaj. Është çast i veçantë i lutjes në heshtje:
“Në këtë lutje të heshtur takohen dy liri: liria e Hyjit, që vepron për virtyt të Shpirtit Shenjt e liria e njeriut”.
Vendosja e duarve mbi kokën e meshtarit të ardhshëm shpreh pikërisht formën e veçantë të këtij takimi: “Kisha, e personifikuar nga ipeshkvi në këmbë, me duar të shtrira, i lutet Shpirtit Shenjt ta shugurojë kandidatin; tërësia e gjesteve është e rëndësishme – vërejti Papa – por shumë më e rëndësishme është lëvizja shpirtërore, e padukshme, që shprehin; lëvizje që ndjehet në heshtjen e thellë, kur Shpirti Shenjt e Biri vijnë të banojnë në shpirtin e nxënësve.
Më pas Benedikti XVI i nxiti të saposhuguruarit t’i kujtojnë gjithnjë fjalët e Jezusit gjatë Darkës së Mbrame: “Nëse më doni!”- me të cilat themelonte Eukaristinë dhe Meshtarinë:
“Pranojini me fe e dashuri! – i porositi Papa meshtarët e rinj. - Të vulosen në zemrën tuaj, t’ju shoqërojnë gjatë gjithë rrugës së jetës. Mos i harroni, mos i humbisni rrugës. Të jeni, kështu, besnikë ndaj dashurisë së Krishtit e do të kujtoheni, me gëzim gjithnjë të ri, sesi kjo fjalë hyjnore do të ecë me ju e do të rritet në ju”.
Për diakonët, që morën shugurimin meshtarak, pasi u thirrën nga Ati, të tërhequr nga Biri e të formuar nga Shpirti Shenjt, dje nisi një mision i ri. Programi i këtij misioni - shpjegoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar fjalët e Shën Palit Apostull, që i quan shërbëtorët e Ungjillit “shërbëtorë të gëzimit” - është pikërisht ta kumtojnë Ungjillin me gëzim.
Për gëzimin e shpresën që burojnë nga Ungjilli, Benedikti XVI foli edhe në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke kujtuar edhe shtegtimin e tij apostolik në SHBA, që pati si moto “Krishti, shpresa jonë”. Më pas Ati i Shenjtë u shprehu afërsinë e tij shpirtërore disa Kishave Lindore, të cilat dje, sipas Kalendarit julian, kremtonin solemnitetin e Pashkëve:
“I ftoj të gjithë të bashkohen me mua në lutjen drejtuar Nënës së Hyjit, që rruga e dialogut dhe e bashkëpunimit, e nisur prej kohe, të çojë së shpejti në bashkimin më të plotë të të gjithë dishepujve të Krishtit, që të jenë shenjë gjithnjë më e ndritshme e shpresës për mbarë njerëzimin”.
Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa bëri thirrje për disa vende afrikane, duke kërkuar të mos harrohen ngjarjet tragjike, që po trondisin, në mënyrë të veçantë, Somalinë, zonën e Darfurit e Burundin. Uroj – përfundoi Ati i Shenjtë – që autoritetet politike vendase, udhëheqësit e bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, t’i shumëfishojnë përpjekjet për ndalimin e dhunës dhe respektimin e impenjimeve të ndërmarra, në mënyrë që më në fund të hidhen themelet e forta të paqes e të zhvillimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.