2008-04-28 17:33:22

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(28.04.2008 RV)RealAudioMP3 28 prill: Festa e Korpit të Krishtit, festë e adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament.
“A është e vërtetë, Zotëri, se Papa ju ka shkruar një Letër?”. Plakës Margo, që fshin duart me përparëse, i shkëlqejnë sytë. Është në shërbim të famullitarit që kur ishte 15 vjeçe, por një gjë e tillë s’është parë, as dëgjuar. Meshtari vë buzën në gaz.
“Margoja ime e dashur, nuk e ka shkruar për mua, por për të gjithë Kishën. Letra u drejtohet ipeshkvijve, meshtarëve e edhe besimtarëve, si ju. E duhet sqaruar se nuk quhet ‘letër’, por ‘bulë’. Kur e shkruan vetë Papa. A dëshiron të ta lexoj” – pyet prifti me një buzgaz lojcak.
“Po, faleminderit”.
“Transiturus…”
“Po kjo është latinisht! Më thuaj, pse Papa na shkruan në një gjuhë, që nuk e kuptojmë fare!”.
“Sepse i shkruan mbarë Kishës, e jo vetëm disa njerëzve si unë e si ti. Në se do të shkruante, për shembull, frëngjisht, italianët ose anglezët nuk do të kuptonin gjë prej gjëje. Ndërsa në latinisht, e merr vesh gjithë Kisha. Ja, po të bëj një përmbledhje, që ta marrësh vesh edhe ti për çka flet bula Transiturus. Duke nisur nga ky vit, dmth nga viti 1264, në kalendar do të shtohet një festë e re, festa e të Shenjtnueshmit Sakrament. Çdo vit, e diela e parë pas Rrëshajëve do t’i kushtohet, në mënyrë të posaçme, Korpit e Gjakut të Krishtit, për t’u kujtuar të gjithëve se Krishti është vërtetë i pranishëm në hoste”.
Margo mbetet paksa e zhgënjyer.
“Po kjo festë ka qenë gjithnjë: s’e ka shpikur Papa Urbani. Është festë e themeluar nga vetë Krishti! Të Enjten e Madhe, një natë para se të vdiste, darkoi me dishepujt e vet. U dha atyre bukën e verën e u tha: ‘Ky është Korpi im! Ky është gjaku im! Bëjeni këtë në përkujtimin tim’. Kështu çdo të dielë, në Meshë, buka e vera bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit. E çdo vit, të Enjten e Madhe, kremtohet Darka e Mbrame e Jezusit e kujtohet, me gëzim, dhurata që na bëri, duke na lënë Korpin e Gjakun e vet”.
“Margo, ju jeni tepër besimtare e nuk e harroni se Krishti është i pranishëm në bukën e në verën e shuguruar. Por jo të gjithë të krishterët janë si ju. Shum prej tyre mendojnë për punët e veta ose dyshojnë për këtë të vërtetë. Kështu festa e Corpus Domini do të jetë rast për t’ua kujtuar të gjithëve dhuratën që na bëri Jezusi”.
“Është ide e Papës sonë kjo?”.
“Jo. Në fillim ishte një rregulltare nga Liezhë, që quhej Gjyliana. Gjashtëdhjetë vjet më parë, më 1208, pa në vegim një disk, që lëshonte rreze, si dielli. Për shumë kohë nuk foli fare për këtë vegim e sidomos, iu desh shumë kohë për ta kuptuar. Ishte hostja e ndritshme. Përmes kësaj figure Jezusi kërkonte të krijohej festa e “Corpus Domini”.
“Bah! Atëhere, në se Hyji e do këtë festë, do ta kremtojmë me gjithë zemër!”.

 







All the contents on this site are copyrighted ©.