2008-04-27 13:37:42

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(27.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën gjashtë të Pashkëve.
U përkujtua edhe Shën Simeoni i Jeruzalemit.
Nesër, e hënë, do të përkujtohen Shën Pjetri Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Shën Luigji Grinjon de Monfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë. Liturgjia e festës na nxit të reflektojmë për kthimin e Lidies, tregtare stofash e cila, e shndritur nga Hyji, i kupton fjalët e Palit e ecën pas tij, për të takuar Zotin. Edhe ne na jepet Shpirti i së vërtetës i cili, duke folur e duke vepruar në zemrat tona, dëshmon Jezusin e Ngjallur.

Shën Katerina e Sienës, virgjër, dijetare e Kishës, Pajtore e Italisë dhe e Evropës, që do të përkujtohet të martën, na kujton se po të ecim në dritën e Zotit e të vemë në jetë urdhërimet e Mësuesit, ashtu si virgjërat e urta, do të jemi gati për të hyrë në dasëm, kur të vijë Dhëndërri.

“Kam ardhur t’ju kumtoj këtë Hyj që ju e adhuroni, ndonëse nuk e njihni” – u predikon Pali grekëve në Areòpagun e Athinës. Ne mund ta njohim Hyjin, Atin e Krishtit e Atin tonë, përmes Shpirtit Shenjt, që na dhurohet pikërisht për të na prirë në rrugën e së vërtetës së plotë. Është ky reflektimi i së mërkurës, ditëfeste e Shën Piut V papë dhe Shën Kuirinit martir
 
enjten Vatikani kremton solemnitetin e të Shëlbuemit.Të gjitha Kishat e tjera, për arsye baritore, do ta kremtojnë të dielën e ardhshme. Kremtohet edhe festa e Shën Jozefit punëtor dhe e Shën Jeremisë profet. Në liturgjinë e festës, Jezusi i siguron dishepujt: “Pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim”. E ashtu ndodh. Pavarësisht nga armiqësia e judejve, Pali, gjatë qëndrimit në Korint, kthen në fe të Krishtit shumë hebrenj e paganë, që i besojnë fjalës së tij e marrin pagëzimin.

Të premten do të përkujtohet Shën Atanasi, ipeshkëv i Aleksandrisë, dijetar i Kishës. Liturgjia na kujton se Pali, i cili vijon të jetë në Korint, dëgjon zërin e Zotit që i thotë: “Mos ki frikë, por fol me zë të lartë, sepse në këtë qytet një turmë e madhe të pret ta kthesh në fe”. Nxënësve të tjerë, që kalojnë prova të rënda, Jezusi u përsërit. “Askush nuk mund t’jua marrë gëzimin tuaj!”.

E shtuna, ditë e festës së Shenjtorëve Filipi e Jaku i Vogël, Apostuj; Eveci, Aleksandri e Teoduli, martirë, na kujton se Jezusi i ngjallur i bëri apostujt lajmëtarë të Ungjillit të tij, pasi iu duk të gjithëve. Edhe ne na duket në sakrament, si rrugë që çon te Ati, përmes Fjalës Hyjnore dhe Eukaristisë.
 Kemi arritur kështu tek e Diela VII e Pashkëve: Kisha universale kremton solemnitetin e të Shëlbuemit







All the contents on this site are copyrighted ©.