2008-04-27 13:35:44

Benedikti XVI dhe fjalimi i tij në OKB: koment i Atë Federiko Lombardit.


(27.04.2008 RV) RealAudioMP3 Fjalim parimor, për parimet. Kështu mund ta përkufizojmë fjalimin e Benediktit XVI para Kombeve të Bashkuara, mbajtur më 18 prill, gjatë shtegtimit të tij të tetë apostolik në SHBA. Përtej zhurmës mediatike e me të njëjtën qartësi që karakterizoi denoncimin e gabimeve e të shkandujve, Papa nga tribuna e Pallatit të Qelqit mbrojti dinjitetin njerëzor, të parë me vizionin më të lartë, të krishterë, mbi njeriun si bir i Hyjit. Mbi këtë temë, të ndjekim reflektimin e drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardit:

“Kishte nga ata, të cilët prisnin që Papa në OKB të denonconte ndonjë nga situatat dramatike, pasojë e padrejtësisë ose e konfliktit në botën e sotme. Jo. Këtë Papa e ka bërë dhe e bën shumë herë të tjera: në fjalimin drejtuar Trupit diplomatik në fillim të vitit, në mesazhet e Krishtlindjes e të Pashkëve, në thirrje të shumta me raste nga më të ndryshmet. Kishte, pra, nga ata, që prisnin të hynte në polemikë me prirjet në favor të abortit e të kontracepsionit, të përhapura në agjensitë e ndryshme të OKB-së. Jo. Në këtë rast Papa vendosi të mbajë një fjalim me një frymë krejt tjetër, fjalim mbi baza e parime, fjalim që do t’i qëndrojë kohës, sepse ky ishte kontributi më urgjent e më pozitiv në këtë seli. E ishte fjalim në përkim të plotë me autoritetin e posaçëm moral të Kishës katolike e me stilin e përgjithshëm të papnisë së Benediktit XVI.
Ka parime me vlerë universale, për të gjithë burrat e të gjitha gratë, në çdo kohë e nën çdo qiell. Në natyrën e njeriut, në dinjitetin e tij, mund të njihet e të lexohet baza e një rendi, që duhet respektuar e duhet pasqyruar në lidhjet e në rendet shoqërore e politike, edhe pse në forma për t’u përmirësuar e përsosur vazhdumisht. Duke e pohuar këtë me forcë, Benedikti XVI kreu shërbimin më të çmuar për Kombet e Bashkuara, sepse mbrojti vlerën e përhershme të Deklaratës univesrsale të të drejtave të njeriut dhe gjeti bindjen e vendosmërinë për ta bërë këtë, sipas vizionit të krishterë e fetar të botës. “Është e natyrshme – tha Ati i Shenjtë - që të drejtat e njohura e të përvijuara në Deklaratë të zbatohen për çdo njeri, në sajë të origjinës së përbashkët të njeriut, që mbetet pika më e lartë e planit krijues të Hyjit për botën e për historinë”. Edhe një herë Kisha vuri në dispozicion të popujve, duke dashur t’u shërbejë vëllazërisht,‘përvojën e humanitetit’ të saj, në favor të drejtësisë e të paqes".







All the contents on this site are copyrighted ©.