2008-04-27 13:39:13

15-vjetori i Gjon Palit II në Shqipëri


(25 prill 1993 – 25 prill 2008:
15 vjet më parë Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.
Hap kështu rrugën për ringjalljen e Kishës katolike:
Më 26 nëntor 1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin.

- 27 maj 1995 - organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100 vjetorit te shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar.

7 nëntor 1996: - me rastin e kremtimeve të 50-vjetorit të meshtarisë të Papës në Vatikan, jezuiti shqiptar, Atë Anton Luli, e përshëndet Gjon Palin II në emër të të gjithë meshtarëve të botës.
- 7 dhjetor 1966 - Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) dhe emëron Ipeshkëv, Imzot Angjelo Massafrën; ndërsa dministrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, Atë Hil Kabashin.
28 mars 1998 - Imzot Angelo Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit.

- Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar.
- 25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës.

- 2 deri më 4 shkurt 2001 - vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 - e ipeshkvijve të Kosovës në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II.

- 8-12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë; më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë.

- 23 prill 2003: i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që organizoi Kisha katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të Shenjtë.
- Romë, 19 tetor 2003 – Nënë Tereza shpallet e Lume.
- 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon:
- ngre në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut;
- i bashkëngjet Dioqezën e Pultit, Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës.

- 18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore për kthimin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.

… Sa shumë ngjarje, porosi mesazhe: ndërmjet tyre - mesazhi i Papës Gjon Pali II drejtuar popullit shqiptar nga katedralja e Shkodrës në ditën e paharruar të 25 prillit 1993:
Zëri i Papës:
Kjo është dita e falur prej Zotit, ditë gëzimi, e ipeshkvi i Romës erdhi ta kremtojë së bashku me ju. Ipeshkvi i Romës për shumë vjet është lutur për ju, së bashku me gjithë Kishën….. E sot Pasardhësi i Shën Pjetrit… përsërit para Jush, që jeni mbledhur këtu, para Shqipërisë, Evropës, para Kishës universale e para mbarë botës: "Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë.
Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…
Zë:
Nuk duhe harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar!









All the contents on this site are copyrighted ©.