2008-04-26 13:41:04

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’


(26.4.2008 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të .
Mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele mund të pohojmë se është Shpirti i së vërtetës e arsyeja e shpresës. Duke ju afruar festës së Rrëshajve, liturgjia e dielës së 6-të të Pashkëve na fton të reflektojmë mbi dhuratën e Shpritit të Zotit. Ai është “Shpirti i së vërtetës” (Gjn 14,17). Shpirti i Krishtit të Gjallë krijon bashkimin mes të gjithë nesh të mbledhur në asamblenë liturgjike: ai na dhuron fjalën në mënyrë që të bëhët realitet i jetës e të mishërohet e pasqyrohet në veprat tona të përditshme të frymëzuara nga Ungjilli. Këtu mund të dëgjoni më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele..RealAudioMP3 ….
Komenti i leximeve biblike nga dom Gjergj Meta:RealAudioMP3 E djela VI e kohës së Pashkëve

 
Të dashur vëllezër e motra! Dalëngadalë rrugëtimi ynë shpirtëror merr kahje dhe shkon gjithnjë e më shumë drejt Rrëshajëve. Në fakt në leximin e Ungjillit të kësaj të djele, në fjalimin e tij të lamtumirës, Jezusi lë hapur perden e një horizonti që na nxjerr në pah Shpirtin e Shenjtë Ngushëllues. Bashkësia e parë e krishterë ka jetuar castet e pritjes së Shpirtit të Shenjtë për të konfirmuar misionin e saj ungjillizues. Në fakt Shpirti i Shenjtë është forca me të cilën dishepujt dhe gjithë Kisha në të gjitha kohërat, shpall Mbretërinë e Hyut.
Të shohim më nga afër leximet kësaj të djele. Në leximin e parë nga veprat e Apostujve shohim se si dishepujt përhapin Fjalën jashtë kufijve të Jeruzalemit. Pas vrasjejs së Shtjefnit dishepujt shpërndahen, por aspostujt mbeten në Jeruzalem. Fjala, përvecse në Jeruzalem, përhapet në Jude në Samari e deri në kufijtë e tokës. Veprimtaria misionare e dishepujve është frutdhënëse. Diakoni Filip shkon në Samari të përhapë fjalën e të pagëzojë e më pas apostujt dërgojnë Pjetrin e Gjonin për t’u dhënë atyre Shpirtin e Shenjtë. Ne e dimë nga Ungjilli i Gjonit se samaritanët qysh më Jezusin i ishin hapur risisë që ai kishte ardhur të sjellë. Tashmë ata marrin edhe Shpirtin e Shenjtë përmes shtrirjes së duarve të Apostujve. Në këtë mënyrë krijohet një lidhje e fortë nëpërmjet apostujve që ndërton unitetin e Kishës.
Leximi i dytë nga Letra e Parë e Pjetrit Apostull na vendos në një situatë përndjekjeje, e cila për autorin e letrës është e nevojshme në mënyrë që të plotësohet vullneti i Hyut. Pasi i porosit të krishterët të adhurojnë Zotin në zemrat e tyre, u kujton atyre se janë të thirrur t’u japin arsye kujdto që ua kërkon për besimin që ata kanë. Mënyra e dhënies së kësaj arsye duhet të jetë me ëmbëlsi dhe respekt, me një ndërgjegje të drejtë. E gjithë jeta e aspotujve e në mënyrë të vecantë ajo e Palit dhe e Pjetrit ka qenë një dëshmi shumë e bukur e marrëdhënies autentike me ata që e mendonin ndryshe në fushën e besimit. Është kjo një pikë delikate e jetës së Kishës por edhe e jetës shpirtërore të cdo të krishteri. Jo rrallëherë ndeshemi me njerëz që duan të dijnë arsyet e besimit tonë, nganjëherë ata janë miqësorë e nganjëherë nuk janë miqësorë. Shpeshherë të japësh arsye për besimin tënd duket sikur është një punë e atyre që studjojnë dmth punë profesorash ose priftërinjsh. E vërteta e këtyre fjalëve të Pjetrit është paksa më ndryshe. Mënyra e parë dhe më e besueshme për të dhënë arsye për besimin që ne kemi është dëshmia e jetës. Nuk duhen përgatitjet intelektuale dhe telogjike pa një dëshmi autentike jete sikruse thotë Pjetri “ëmbëlsi, nderim dhe ndërgjegje të drejtë”, madje mund të jetë edhe një kundërdëshmi. Edhe një herë shenjtërit janë një ikonë e gjallë e arsyes që duhet dhënë për besimin. Shumë kanë ardhur në besimin e krishterë nga dëshmia e bashkësisë së krishterë apostolike. Por kjo ka ndodhur dhe ndodh në të gjithë epokat. Nganjeherë kam dëgjuar tregime burgu të meshtarëve shqipëtarë. Dëshmia e tyre në burgje ka qenë një arsye e fortë besimi për shumë njerëz.
Pa e forcuar shumë tekstin do të doja të thoja edhe dicka tjetër në lidhje me një shprehje të Pjetrit në këtë lexim. “Është më mirë – thotë Shën Pjetri – nëse Zoti do kështu, të vuash duke bërë të mirën se sa duke bërë të keqen”. Duket sikur e keqja shpeshherë është rruga më e shkurtër për të dalë nga shumë situata. Në fakt është vetëm një iluzion pasi e keqja infekton me praninë e saj e nuk mund ta përdorim atë për të bërë mirë. Mjetet nuk e justifikojnë qëllimin. Por ka ende më shumë. Ia vlen të vuash në emër të së mirës kudo të shohësh gjurmët e saj e të shmangësh cdolloj kompromisi me të keqen. Kohët e vuajtjes për të mirën nuk janë të caktuara, por e mira triumfon herët a vonë. Për ne të krishterët e mira ka një emër, e Mira absolute është Zoti. Ia vlen të vuash për të qenë gjithnjë besnik dhe pranë të Mirës Absolute.
Leximi i Ungjillit sikurse e thamë edhe në fillim të këtij komenti është një pjesë nga Fjalimet e Lamtumirës së Jezusit me Dishepujt tij. Jezusi ndihmon dishepujt që të kuptojnë domethënien dhe vlerën e ikjes së tj te Ati dhe i ngushëllon për dhembjen që kjo shkëputje shkakton në ta. Jezusi kryen një shtegtim dhe këtë shtegtim ua kërkon edhe dishepujve të tij. “Nëse më doni, do t’i zbatoni urdhërimet e mia”. Jezusi flet për dashuri ndaj tij. Në fakt dashuria sikurse na e ka zbuluar dhe na e ka treguar vetë Jezusi me jetën e tij është një shtegtim. Në rradhë të parë është një shtegtim i brendshëm, pasi të duash do të thotë të dalësh nga vetvetja dhe t’i jepesh një tjetri. Dashuria absolute vetëm për veten quhet egoizëm dhe con njeriun drejt mbylljes, drejt përkuljes në vetvete e krijimit të një rrethi vicioz. Kurse dashuria kërkon patjetër dalje nga vetvetja drejt tjetrit, njeriut dhe Tjetrit absolut Zotit. Ky shtegtim është edhe i jashtën pasi kërkon kohë, madje gjithë jetën. Të duash Jezusin nuk është vetëm një ndjenjë që ka të bëjë më shumë me ndjesinë se sa me thellësinë e njeriut. Ndjenja mund të jetë edhe e thellë por mbetet gjithnjë ndjenjë një ditë mund të shuhet. Shuarja e ndjenjës nuk do të thotë që ka mbaruar dashuria. Sa herë na ndodh të themi: “Dikur e doja Zotin shumë, lutesha shumë, e ndjeja thellë. Tani më ndodh që mezi i them lutjet në mëngjes apo në darkë, nganjëherë nuk i them fare, apo kur lutem nuk kam më atë entuziazëm që kisha në fillim. Edhe mesha e të djelës më peshon e shkoj sa për të shkuar. Sa do të doja të kthehesha në atë gjëndje që isha dikur”. Kjo është një simptomë e qartë që dashuria për Zotin nuk është vetëm ndjenjësore, por para së gjithash është shpirtërore. Edhe kur mendojmë se ftohet entuziazmi, besimi vazhdon dhe dashuria ndaj Zotit vazhdon në një formë tjetër që do të thotë të bësh dhe të jetosh gjerat e përditshme me dashuri dhe këmbëngulje pa u dëorëzuar asnjëherë. Zoti na jep gjithnjë hirin e nevojshëm për ta dashur dhe për ta adhuruar. Po kështu edhe në jetën martesore, në jetën familjare në përgjithësi. Të mos ndjesh dicka nuk do të thotë se nuk e don më atë person. Madje në atë moment dashuria ka rastin të bëhet më e thellë dhe autentike, pasi e dua tjetrin për veten e tij, jo sepse më jep kënaqësi mua. E dua sepse është ai/ajo dhe sepse i kam premtuar besnikëri para Zotit e jo sepse ai apo ajo nxit kënaqësinë time ndjesore, materiale apo fizike.
Kështu të dashur vëllzeër e motra, dashuria për Jezusin nuk është një ndjenjë, por një jetë besnike ndaj fjalës së tij, kështu sikurse nuk është një ndjenjë dashuria e Jezusit për njerëzit, dashuria është një person, është Shpirti i Shenjtë që bashkon Birin me Atin në përjetësi dhe që derdhet në zemrat e besimtarëve.
Në ungjillin e Gjonit Shpirti i Shenjtë thërritet me emrin “Ngushëllues” që do të thotë edhe mbrojtës, apo dëshmitar në favour të dikujt. Jezusi është ngushëlluesi i parë që na ka dërguar Ati. Pas ikjes së tij te Ati ai do të ndërhyjë pranë Atit i cili do të na dërgojë një Ngushëllues tjetër që do të qëndrojë gjithmonë me ne. Praninë e këtij Shpirti bota nuk e percepton pasi nuk mund të kapet nga ndjesitë por njihet nga ata që janë të kujdesshëm ndaj zërit të Zotit. Kjo në jetën personale sikurse edhe në jetën e Kishës. Janë një sërë ngjarjesh dhe personash që na tregojnë për Shpirtin e Shenjtë të pranishëm në jetën tonë. Së pari ai është gjithmonë i pranishëm në jetën e Kishës dhe e udhëheq atë cdo ditë. Ai është i pranishëm në zemrat e besimtarëve dhe lutet në ta dhe për ta.
Të dashur vëllezër e motra të përgatisim zemrat tona në këto javë pritjeje të Rrëshajëve, që Shpirti i Shenjtë të hyjë e të banojë në zemrat tona, në familjet tona, në famullitë e në dioqezat tona e kështu të jemi një bashkësi që e don Zotin dhe të afërmin. Kemi nevojë për praninë e Shpirtit të Shenjtë. Ta thërrasim praninë e tij në Kishën shqiptare që të jetë pranë ipeshkëvinjëve tanë, pranë meshtarëve dhe të gjithë atyre që janë të angazhuar në veprën ungjillizuese. Eja o Shpirt i Shenjt dhe ndircojw zemrat tona. Amen.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.