2008-04-26 19:16:37

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(26.04.2008 RV)26 prill: Gulielmi, françeskan prej Rubrukut, shkon në mbretërinë e mongolëve
“Ja njeriu, para të cilit dridhet mbarë Evropa!”- Mendon me vete Gulielmi, duke i hedhur një sy Khanit të Madh të Mongkës. I ulur mbi fron, sovrani shkurtabiq, duket dy pëllëmbë njeri. Sytë i ka si bajame e mollëzat e faqeve, të spikatura, si të gjithë mongolët, që ka takuar deri tani Gulielmi. Si të gjithë ata që terrorizojnë botën perëndimore prej dhjetra vjetësh. Mongka Khan është prijës i një populli të egër, që niset shpesh për të pushtuar qytetet evropiane. Mongolëve u ka dalë nami i keq, e me të drejtë: dihet se vrasin, djegin, plaçkisin. Ku u shkel këmba, nuk mbin më bar. Pushtim pas pushtimi, kanë krijuar një perandori të pakufishme, që përfshin pjesën më të madhe të Azisë dhe të gjithë Evropën lindore. Gulielmi e di se po jeton çaste, që nuk i ka jetuar askush para tij. Jemi në vitin 1254 e ai është i pari përfaqësues i botës perëndimore, që takohet me Khanin e Madh. E madje është edhe i pari që shtyhet kaq thellë në lindje, deri tek stepat, hapësira pa fund me bar përcëlluar, që janë zemra e perandorisë mongole. Ç’cak i çuditshëm për një frat françeskan, ardhur nga Fiandra, zona veriore e mbretërisë së Francës. E kjo, sepse njihte mirë mbretin Luigji IX, Shën Luigjin e ardhshëm. E falë lejës së posaçme që i dha vetë mbreti, Gulielmi mundi të largohej nga kuvendi: mbreti e lejoi të nisej, nga që e dinte se Gulielmi do t’i sillte në shtëpi lajme të reja mbi këtë mbretëri të panjohur. E quajti ‘misionar’, por në të vërtetë, ishte paksa edhe informator i Francës.
Gjatë udhëtimit të tij të mrekullueshëm, që zgjati dy vjet, Gulielmi zbuloi gjëra shumë interesante: gjeografinë e perandorisë mongole, historinë, traditat… Nuk i shpëtoi gjë pa parë e pa dëgjuar. Por gjithnjë pa harruar për asnjë çast se ishte françeskan e se prandaj, gjëja e parë që duhet të bënte, ishte t’u fliste të gjithë njerëzve që takonte për Krishtin. Natyrisht nuk është aspak e lehtë që një popull i egër, si mongolët, ta kuptojë dashurinë e Hyjit. E sidomos kur u flet një njeri, që nuk e di mirë gjuhën e tyre, në sa nuk është aspak e lehtë të gjinden përkthyes për së mbari. Kur kthehet në Evropë, më 1255, Gulielmi nuk humbet asnjë minut: nis menjëherë t’i shkruajë aventurat e tij, të cilat i titullon: “Udhëtim në mbretërinë e mongolëve”. Mbreti Francës i lexon me entuziazëm. Shën Luigji bëri një punë shumë të mirë, kur i dha Gulielmit lejën të dilte nga kuvendi. Tregimi i misionarit- informator është ende sot një nga burimet më të pasura të njoftimeve mbi mbretërinë kolosale mongole, tashmë të zhdukur prej kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.