Historia e Katedrales të Shën Shtjefnit në Shkodër.
(25.04.2008 RV)Kisha Katedrale e Shkodrës, kushtuar Shën Shtjefnit, martirit
të parë të krishterimit, që është edhe Pajtor i Kishës së lashtë të Kështjellës Rozafa,
mbetjet e së cilës ekzistojnë ende, kremtoi sivjet 150-vjetorin e bekimit dhe të vendosjes
së gurit të parë, që arriti kulmin gjatë gjithë kësaj jave. Sot kryeipeshkvi metropolit
i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Masafra e deklaroi të mbyllur festën jubilare.
Historia e kësaj katedraleje fillon me kërkesën që besimtarët shkodranë i bën
sulltanit në Stamboll për t’u dhënë lejën e fillimit të ndërtimeve. Ishte viti 1851.
Punimet filluan pas 7 vjetësh, me 7 prill të vitit 1858, në praninë e sundimtarit
të Shkodrës, Ali Pashës. Nisi kështu një histori e pasur me ngjarje sa të përshpirtshme,
aq edhe dramatike. Më 1912-1913, Katedralja e Shkodrës, e rrethuar prej ushtrisë malazeze,
u bombardua nga artileria. Predhat, shenjat e të cilave duken edhe sot, dëmtuan rëndë
sidomos krahun e saj juglindor dhe shkaktuan djegien e këmbanares. Pastaj Katedralja
do t’i nështrohej një bombardimi tjetër, edhe më shkatrrimtar: atij të ‘artilerisë’
së diktaturës komuniste. Historia nis me arrestimin e famullitarit, dom Mikel Koliqit.
Ishte data 3 shtator 1945. Detyra e famullitarit i mbeti dom Ernest Çobës, që e mbajti
deri me 20 prill 1952. Pastaj erdhi tërmeti i dytë i madh, ai i vitit 1967, kur Katedralja
u shndërrua në Pallat Sporti. Gjëja që i çuditi më shumë autoritetet komuniste, ishte
se në shkallët, ndërtuar për dashamirët e sportit, shiheshin vazhdimisht njerëz që
s’e kishin fare mendjen tek ndeshja. E në sa lëviznin në heshtje buzët, në vend që
t’i drejtonin sytë nga fusha e lojës, i mbanin gjithnjë të drejtuar lart, nga qielli,
ku Zoti përgatiste për Katedralen historike, vizitën e Papës Gjon Pali II. Ishte një
fenomen shprehës, që pasuron historinë e Katedrales, e cila për besimtarët mbeti gjithnjë
Katedrale. Tempulli më i madh i krishterimit ndër shqiptarë, u rihap më 1991 nga
Atë Aleks Baqli, françeskan. Meshën e parë e kryesoi dom Zef Simoni, në bashkëkremtim
me meshtarë të tjerë, në praninë e Nënë Terezës, që vizitonte për herë të parë Shkodrën.
Më 1993, pasi përfundoi restaurimi i Katedrales, u vunë përsëri në vendin e tyre shtatorja
e Shën Mëhillit, vepër e çmuar në dru e Kol Idromenos si dhe dy kupat e mermerta të
ujit të bekuar, dhuratë e familjes Pema. Këtu, më 25 prill 1993, gjatë vizitës së
tij njëditore në Shqipëri, Papa Gjon Pali II kremtoi Meshën Shenjte, gjatë së cilës
shuguroi katër ipeshkvinjtë e parë të pas diktaturës: imzot Frano Illinë, Imzot Rrok
Mirditën, imzot Zef Simonin dhe imzot Robert Ashtën, duke filluar kështu edhe rindërtimin
e hjerarkisë së martirizuar të Kishës në Shqipëri. E pranishme përsëri, Nëna jonë
Terezë. Gjatë viteve 1930-2007, shërbyen si famullitarë: Dom Gaspër Thaçi, Dom Mikel
Koliqi, Dom Zef Simoni, Monsinjor Loro Nodaj, Monsinjor Lucjan Avgustini dhe Dom Gjovalin
Sukaj, aktualisht administrator-famullitar.