2008-04-24 17:50:34

Pas rënies së komunizmit, Kisha e Kaukazit duhet ta mbrojë identitetin e saj – i porosit Papa ipeshkvijtë e zonës, në vizitë ‘ad Limina’.


(24.04.2008 RV)RealAudioMP3 “Pas rënies së komunizmit, është e nevojshme të dëshmohet me guxim Ungjilli, përballë sfidave të reja shoqërore e kulturore”: këtë nënvizoi Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ipeshkvijve të Kaukazit, në Vatikan për vizitë “ad Limina”. Papa i ftoi besimtarët e Armenisë, të Azerbajxhanit e të Gjeorgjisë ta mbrojnë familjen, t’i ndihmojnë nevojtarët, të dialogojnë vëllazërisht me ortodoksët dhe me besimtarët e feve të tjera.
Ati i Shenjtë kujtoi vizitën e kohëve të fundit të kardinalit Bertone në këto troje dhe nënvizoi se zona kaukazike është tokë e pasur me histori e, sidomos, vatër kulturash e udhëkryq ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Ngjarjet e trazuara të shekullit të kaluar në këto troje - vijoi Ati i Shenjtë - nuk mundën ta shuajnë flakën e Ungjillit, ndonëse shumë e paguan me jetë besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës së Tij, duke shtuar radhët e martirëve. Benedikti XVI nuk harroi as vështirësitë aktuale, që të kujtojnë jo vetëm Kaukazin, por edhe vende të tjera ish-komuniste:
“Pas rënies së Bashkimit Sovjetik – kujtoi Papa - popullsitë tuaja hynë në rrugën e ndryshimeve shoqërore, që synojnë progresin. Por situata mbetet ende e vështirë: shumë janë të varfër, të papunë e refugjatë, që luftërat i larguan nga shtëpitë e tyre, duke i lënë në mëshirën e fatit”.
Në një situatë të tillë, Papa i porositi ipeshkvijtë të jenë prijës të urtë të popullit të Hyjit e të bashkëpunojnë me Kishat e tjera e me ndjekësit e feve të tjera, për sigurimin e një ardhmërie më të mirë shpirtërore e materiale në të gjithë zonën.
Në përfundim, i porositi besimtarët ta dëshmojnë me jetë dashurinë e Krishtit, pa qëllime të tjera – e ipeshkvijtë, ta edukojnë grigjën e vogël, që u është besuar, me etikën ungjillore.







All the contents on this site are copyrighted ©.