2008-04-23 20:08:01

Mirënjohje për albanologun Át Jak Marlekaj, ndër themeluesit e bibliotekës françeskane në Shkodër.


(23.04.2008 RV)Me veprën "Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij" ai na jep fakte të reja mbi humanistin e madh, nxjerrë nga arkivi që Propaganda Fide e Romës mbante për Bogdanin
Edhe një libër në gjuhën shqipe për jetën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, i shtohet mozaikut të studimeve albanologjike të autorëve të shkrimeve të para shqipe. Është vepra monumentale e Prof. Dr. Át Jak Marlekaj, ofm, "Pjetër Bogdani e l'Albania del suo tempo" (Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij), (1989), e përkthyer për herë të parë në shqip nga studiuesi i njohur Willy Kamsi, icili ka përgatitur dhe jetëshkrimin e autorit. Sapo është hedhur në qarkullim nga Botimet Françeskane, në serinë e kolanës "Biblioteka Françeskane Át Gjergj Fishta, Kolana e Shkrimtarëve Françeskanë", kolanë që ka arritur tashmë në botimin e më shumë se 27 librave dhe pritet që në të ardhmen të botojë më shumë se 100 tituj. Është ky një kontribut që françeskanët duan t'i japin atdheut të tyre, duke nxjerrë në dritë vepra të panjohura për studiuesin dhe lexuesin shqiptar.
Me jetën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit janë marrë shumë studiues të letrave shqipe. Nga ata që i kanë paraprirë studimit të At Marlekajt për teologun dhe filozofin e shekullit XVI mund të përmendim: Át Shtjefën Gjeçovin, Át Mark Harapin, Dom Ndre Mjedën, Dr. Rudolf Trofenikun, Ibrahim Rugovën, Át Justin Rrotën, Mateo Sciambra-n, Gustav Weigand-in, Injac Zamputin etj.
Të flasësh për figurën poliedrike të Át Jakut, nuk do të ishte i mjaftueshëm ky shkrim për studimet që ai ka lënë në fushën e albanologjisë. Disa nga këto vepra, janë të botuara në gjuhë të huaj, kryesisht italisht, e të tjerat presin dritën e botimit. Me dëshirën për kërkime shkencore, me vetëdijen se i përkiste një tradite të ndritur burrash françeskanë që iu kushtuan atdheut për të mirën shpirtërore dhe për zhvillimin kulturor të tij, ai na përçoi këtë traditë duke lënë me qindra e mijëra faqe të ndritura të historisë tonë.
Botimi në shqip i veprës "Pjeter Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij", do të sjellë para lexuesit të dhëna të reja për personalitetin e Bogdanit shkrimtar, humanist dhe prelat. Po ashtu edhe për familjen e tij dhe për kohën ku ka jetuar. Është një periudhë e vështirë ajo e Pjetër Bogdanit, kur Shqipëria ishte nën përdhunën e Perandorisë Osmane. E gjatë këtij pushtimi, katolikët dhe prelatët e tyre, ndër ta, edhe Pjetër Bogdani vuajtën në mënyrë të veçantë. Vepra në fjalë është një studim i mirëfilltë, që përfshin harkun kohor të historisë së Arbërisë, përballë problemeve të vetë ekzistencës.
Historia e shkruar në dekadat e fundit të shekullit XX, shumë herë nuk e ka paraqitur realitetin e asaj kohe, ashtu siç ishte. Ja pra, pse libri i P. Jakut, do të hedhë dritë mbi këtë periudhë të historisë shqiptare, që padyshim mbart në vetvete shumë pyetje pa përgjigje e nyje të pazgjidhura.
Librin e pasuron një mori dokumentesh faksimile, të nxjerra prej Arkivit të "Propaganda Fide", që ia shtojnë vlerën dhe interesin për ta lexuar. Kujtojmë për lexuesin se Prof. Dr. Át Jak Marlekaj, në vazhdën e studimeve të asaj epoke ka mbledhur shumë dokumente burimore historike, për studimin dhe hulumtimin e dy shekujve XVI – XVII. Profesori i nderuar e shkruajti këtë libër me përkushtim të thellë, me seriozitet shkencor duke hulumtuar dhe studiuar tekste të botuara dhe të pabotuara si dhe të gjithë arkivin që Propaganda Fide e Romës mbante për Bogdanin: "Me rindërtue ndeshtrashat e jetës së tij plot travajë e fisnike ka lypë nji punë të gjatë e me durim, nji kërkim t'imët dokumentash të vjetër, nji rishqyrtim të teksteve e të interpretimeve kritike, simbas nji fryme shkencore të ndërgjegjshme", - shkruan Át Jaku në parathënien e librit.
Mbas këtij botimi do të kemi botime të tjera të këtij autori që iu përkasin fushave gjuhësore dhe historike. Kemi në përgatitje e sipër një vepër të rëndësishme për periudhën e shkrimeve të para, veprën e Pjeter Budit "Speculum Confessionis –Pasëqyra e t'Rëfyemit", vepër e transkriptuar në shqip me alfabetin e sotëm. Ky dorëshkrim gjendet pranë bibliotekës françeskane "Át Gjergj Fishta" në Shkodër. Jo vetëm kaq, Arkivi në Shkodër i këtij studiuesi të madh, përmban shkrime që duan kohë e mund për t'i botuar.
Jeta e tij e gjatë dhe pasioni për studimet shqiptare, e bënë At Jakun t'i hynte me zell e me dashuri studimit për pasurimin e kulturës shqiptare. Sidomos për studimin e autorëve të shkrimeve të vjetra të letërsisë dhe gjuhësisë shqiptare e inkurajuan miqtë e tij, në veçanti Ernest Koliqi.
Po paraqesim këtu edhe një letër që shkrimtari dhe gjuhëtari i njohur, Martin Camaj, i dërgon Dr. Jak Marlekajt mbasi kishte marrë veprën e botuar prej këtij të fundit, duke e quajtur "vepër monumentale" dhe të rëndësishme për të dhënat e reja që ka sjellë për studimet historike dhe gjuhësore të asaj epoke.
"München 17. 1. 1990
Prof. Dr. P. Giacomo Marlekajt
I dashtun Pater,
Mora veprën tuej monumentale! Ju falenderoj me gjithë zemër. Në këtë semester mbaj kursin kryesor mbi veprën e Bogdanit dhe vetjen e tij, shkrimtar, humanist e Prelat. Në orët e fundit u thashë studentave tue paraqitë veprën tuej se duhet t'ia fillojmë punës prej fillimit sepse këtu kemi aspekte të reja. Ndërkohë po përgatis edhe dy recensione, 1) për SÜDOST-FORSCHUNGEN, revistë që shkon kudo në botë, dhe 2) për Buletinin Katolik që del në S. Francisco.
Sot nuk po e çoj gjatë: ju uroj shëndet e përgëzohem bashkë më ju për nji punë që ju kushtue punë e mund.
I jueji,
Martin Camaj"
Gjatë kohës si Profesor në Katedrat e Universiteteve të ndryshme si Milano, Bolonjë dhe Bari, At Jaku krijoi kontakte me figura të kulturës shqiptare në mërgim, siç ishin Karl Gurakuqi, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Át Daniel Gjeçaj ofm, Át Paulin Margjokaj ofm, Mustafa Kruja, etj dhe me albanologë të huaj si Angelo Leotti, Vittore Pissani, Gino Bottiglione, Max Lambertz, etj. Në arkivin personal gjenden shumë letra, korrespondencë me vlerë me këto personalitete.
Së fundi dua ta përmbyll këtë përshkrim me fjalët që vetë At Jak Marlekaj i ka thënë në parathënien e librit: "Puna që po parashtrohet këtu, e burueme prej nji gjashmërie ndjenjash e qëllimesh, don pra të jetë kontributi që një zemër shqiptare, e lidhun thellësisht me atdheun e vet e me njerzit e vet bujarë e të panënshtruem, e ka ndie se duhej ta jepte për njohjen e njenës ndër faqet ma fisnike e pak të njoftuna të historisë kulturore të tokës së vet ku ka le."
Jetëshkrim
Át Jak Marlekaj lindi në Plan, fshat i Dukagjinit më 19 nëntor 1906. Mësimet e para i mori nga albanologu At Justin Rrota. Më 1917-1924 qe nxënës në Kolegjin Françeskan. Gjimnazin e kreu në Shkodër pranë liceut "Illyricum" kurse studimet teologjike në Areco, Itali. Më 1931 merr Urdhrin e meshtarisë dhe deri në vitin 1937 jep mesim në "Illyricum" gjuhë dhe letërsi. Është kryeredaktor i revistës "Zani i Shna Ndout" më 1932 dhe bashkëpunon me "Hyllin e Dritës" që drejtohej nga At Gjergj Fishta dhe At Anton Harapi. Boton përkthimin shqip të veprës "Zêmra n'udhtim" të shkrimtarit Milly Dandolo. Deri më 1941 kryen studime për Gjuhë dhe Letërsi moderne, në Universitetin e Bolonjës, ku mbron shkëlqyeshëm laurën "La grafica albanese attraverso scrittori del periodo 1462-1908" dhe merr titullin "Doktor" në letërsi. Më 1942, Át Jaku, ose ndryshe Prof. Dr. Luigj Marlekaj, boton "Appunti del Corso di Lingua Albanese" dhe një vit më pas shkrimin "Per lo studio delle palatali albanesi". Para nji komisioni të posaçëm të arsimit shtetëror italian, fiton më 1955 të drejtën për të mbajtur ligjerata për gjuhën shqipe në të gjitha universitetet e Italisë, dhe i mban në Milano, Bolonjë dhe Bari. Përfundon studimin bibliografik "Indice Generale della Rivista Indo – Greco – Italica, Anno 1917-1933"; paraqet studimin "Giuseppe Schirò e le tradizioni popolari albanesi" në një konferencë për Zef Schiro-in; boton studimin "Scanderbeg nelle tradizioni popolari albanesi" (1969) dhe përgatit shqip-italisht me një hyrje, botimin e veprës së At Gjergj Fishtës "Jerina ose Mbretnesha e Luleve".
Qe bashkëpunëtor i revistës "Shêjzat" të Ernest Koliqit. Me nisjen rishtas të "Hyllit të Dritës" më 1993, ishte një ndër bashkëpunëtorët e saj. La arkivë të pasur dorëshkrimesh historike të nxjerra nga Propaganda Fide, të shekujve XVI-XVII, studime gjuhësore e letrare të cilat gjenden në Bibliotekën Françeskane "At Gjergj Fishta" në Shkodër. Gjatë kësaj kohe është marrë edhe me studimin e arbëreshëve të Italisë, disa për të cilin ndodhen të transkriptuara në Arkivin Françeskan në Shkodër.
At Jak Marlekaj ndërroi jetë në Kuvendin e Shën Andout në Bari, Itali, më 27 korrik 2003.


Shkruar nga Át Viktor Demaj


Marrë nga gazeta ‘Shekulli’, 23. 04. 2008







All the contents on this site are copyrighted ©.