2008-04-23 18:24:01

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(23.04.2008 RV)RealAudioMP3 23 prill: Koncili IV i Lateranit dhe e fshehta e rrëfyestores.
Kishte ardhur vërtetë koha për të mbledhur një koncil. Ishte e nevojshme që njëmijë e pesëqind mendjet më të ndritura të Kishës: ipeshkvij, rregulltarë e dijetarë, të mblidheshin rreth Papës Inoçenci III, për t’i dhënë përgjigje temës tepër të vështirë të rrëfimit.
Kur u hap pjesa e dytë e Koncilit, në Bazilikën e Lateranit në Romë, pjesëmarrësit e dinin se do të kishte diskutime të forta e të pasionuara.
Koncili filloi më 11 nëntor 1215 e nisi menjëherë të japë frytet e para. Preku disa nga problemet më aktuale: atë të kryqëzatave e të herezisë katare. Tani duhej të merrej me një çështje teologjike, që nuk lidhej me aktualitetin. Pastaj vendimet që do të merrte Koncili, do të kishin vlerë për shumë shekuj. Ishte, prandaj, një çast jashtëzakonisht i rëndësishëm!
Kisha ka folur gjithnjë për rrëfimin. Të rrëfehesh do të thotë t’i pranosh mëkatet tuaja, për t’u pajtuar me Hyjin e me njerëzit. Këtij përkufizimi nuk ke ç’t’i shtosh, as ç’t’i heqësh. Ndërsa për çështjet e tjera, që lidheshin me sakramentin, mbretëronte një pështjellim i vërtetë. Te kush duhet të rrëfeshesh? Pastaj, ç’kuptim ka të gjunjëzohesh e t’i tregosh një tjetri mëkatet tuaja? A ia vlen barra qiranë ta bësh një gjë kaq të vështirë? Deri në atë çast, këto e shumë pyetje të tjera, nuk kishin marrë akoma përgjigje.
Etërit konciliarë (quhen kështu ata që marrin pjesë në një koncil) nuk ishin të një mendimi. Disa nga personalitetet më të larta të Kishës mendonin se rrëfimi është krejt i panevojshëm: mjafton të pendohesh e të mos i përsëritësh më gabimet, për të merituar faljen e Hyjit, pa pasur fare nevojë t’i rrëfesh mëkatet tek një ndërmjetës. Të tjerë kundërshtonin: mendonin se është e domosdoshme që dikush të ndërmjetësojë pranë Hyjit për mëkatarin. E mendimi i tyre ishte më i miri.
Koncili vendos që, në të ardhmen, ndërmjetës të jetë gjithmonë një meshtar. Deri atëherë praktikimi i rrëfimit ishte aq i papërcaktuar, sa kishte ndodhur që një komandant ushtrie, në fill të mortjes, të rrëfehej me ushtarët e vet. Pyetjes: sa herë në vit duhet të rrëfehet njeriu? – iu dha përgjigja: së paku një herë në vit, në kohën e Pashkëve, për ta festuar me shpirt të pastër Ngjalljen e Zotit, duke marrë edhe Kungimin Shenjt. Një nga vendimet kryesore të Koncilit ishte ai i sekretit të rrëfimit. Meshtari që dëgjon rrëfimin, e ka rreptësisht të ndaluar të tregojë atë që ka dëgjuar në rrëfyestore. Etërit konciliarë e nënvizuan me forcë të madhe këtë vendim. U shprehën kështu: “Vendosim që, kushdo guxon ta tregojë mëkatin e rrëfyer, jo vetëm që do të shkarkohet nga shërbimi meshtarak, por do të bëjë pendesë gjithë jetën në një nga manastiret me rregullat më të rrepta”.
Ishte një vendim që u mor, për t’i bërë meshtarët më të heshtur se varret!







All the contents on this site are copyrighted ©.