Duke u larguar nga SHBA, Benedikti XVI flet për vëllazërim, solidaritet, respekt reciprok,
besim.
(21.04.2008 RV)Pas Meshës përfundimtare në SHBA, rreth orës 22. 30 me orën
evropiane, Benediktit XVI u kthye në selinë papnore, për t’u nisur rishtas në orën
01.00 pas mesnate në eliportin e Uoll Stritit e më pas, në aeroportin Xhon Kenedi
të Nju Jorkut. Ceremonia e lamtumirës filloi, kur ora evropiane shënonte dy pas
mesnate. “Ditët që kalova në SHBA – janë fjalët e para të përshëndetjes
së Papës – ishin të pasura me ngjarje të shumta e të paharrueshme, që treguan
qartë sa mikpritës janë amerikanët, prandaj u shpreh mirënjohjen time për pritjen
bujare”. Pata edhe gëzimin të jem dëshmitar i fesë dhe i devocionit të bashkësisë
katolike në këtë Komb. Inkurajuese edhe takimet me me liderët e përfaqësuesit e
bashkësive të tjera të krishtera dhe të feve të tjera, të cilët i siguroj për konsideratën
e nderimin tim – tha Benedikti XVI - dhe në vijim i shprehu mirënjohjen edhe presidentit
Bush për pritjen në fillim të vizitës, e zëvendës presidentit Çeni, për praninë në
përfundim të saj, pa harruar të falënderojë të gjithë ata, autoritete të larta e njerëz
të thjeshtë, që u përpoqën bujarisht, humbën kohë dhe energji për të siguruar zhvillimin
e qetë të shtegtimit në të gjitha fazat e tij. “Përsëris urimet e mia e lutjen
time drejtuar përfaqësuesve të Selisë së Baltimores kryedioqezës së parë, dhe atyre
të Nju Jorkut, të Bostonit, të Filadelfies e të Luisvilit në këtë vit jubilar –
tha Papa – duke përfshirë në urimin e bekimin e tij të gjitha gjymtyrët e gjalla
të Kishës në Amerikë e duke i inkurajuar ta dëshmojnë me gëzim Krishtin, shpresën
tonë, Zotin tonë e Shëlbuesin e Ngjallur, që i bën të reja të gjitha sendet e na jep
jetë me begati. “Një nga çastet më domethënëse të vizitës sime, ishte mundësia
që m’u dha t’i drejtoj fjalën Asamblesë së Kombeve të Bashkuara – tha Papa. Dukefalënderuar Sekretarin e Përgjithshëm, Ban Ki-mun për ftesën e tij bujare e për
mikpritjen, Benedikti XVI rikujtoi 60-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave
të Njeriut dhe e vlerësoi Organizatën për veprimtarinë në mbrojtje të këtyre të drejtave
themelore për çdo burrë, grua e fëmijë, në të katër anët e botës. Ati i Shenjtë inkurajoi
të gjithë njerëzit vullnetmirë të vijojnë pa u lodhur përpjekjet për promovimin e
drejtësisë e të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve e kombeve: “Vizita që
bëra sot paradite në Graund Zirou do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën time, ndërsa
do të vijoj të lutem për ata që humbën jetën e për të gjithë njerëzit që vuajnë për
shkak të pasojave të tragjedisë së vitit 2001. Lutem për të gjithë banorët e SHBA-së
e për mbarë botën, që e ardhmja të sjellë më shumë vëllazërim e solidaritet, respekt
reciprok, mirëkuptim e besim në Hyjin, Atin tonë që është në qiell”.