2008-04-20 15:11:25

Poezia e lirisë dhe tragjedia e relativizmit. "E vërteta është një person: Jezu Krishti", u tha Papa të rinjve në seminarin e Nju Jorkut.


(20.04.2008 RV)Gjatë takimit me të rinjtë në seminarin e Shën Jozefit në Nju Jork, Papa u ndal tek tema e lirisë së individit dhe përdorimit të saj. Liria – theksoi Benedikti XVI – është një vlerë e brishtë. Mund të keqkuptohet ose të keqpërdoret. Kështu, në vend që të çojë drejt lumturisë, të cilën e presin të gjithë prej saj, çon drejt skenarit të errët të manipulimit. I hap rrugë atyre që kanë një plan të fshehtë për të na i marrë mendtë e për të krijuar konfuzion. A e keni vënë re – pyet Papa - sa shpesh përmendet liria, pa e kujtuar asnjëherë të vërtetën mbi njeriun?
“Sot ka nga ata që pohojnë se respektimi i lirisë së individit e bën të panevojshëm kërkimin e së vërtetës, duke përfshirë edhe të vërtetën mbi të mirën e mbi kuptimin e saj. Në disa ambiente, të flasësh për të vërtetën do të thotë të ngjallësh grindje ose përçarje, prandaj mendohet se ajo duhet kufizuar vetëm në sferën private. E në vend të së vërtetës – apo më mirë, të mungesës së saj – është përhapur ideja se, duke vlerësuar gjithçka pa dallim, sigurohet liria e çlirohet ndërgjegjia. Kjo quhet relativizëm”.
Por cili është qëllimi i kësaj lirie që, duke injoruar të vërtetën, ndjek çka është e rreme dhe e padrejtë? Sa të rinjve u zgjatet një dorë e cila, në emër të lirisë apo të përvojës, i udhëheq drejt drogës, drejt pështjellimit moral e intelektual, drejt dhunës, humbjes së respektit për vetveten e madje, drejt dëshpërimit e kështu, tragjikisht, drejt vetëvrasjes?
“E vërteta nuk imponohet. Nuk është grumbull rregullash. Është zbulimi i të Vetmit, që nuk na tradhëton kurrë; i të Vetmit që mund t’i besojmë gjithnjë. Duke kërkuar të vërtetën arrijmë të jetojmë sipas fesë, sepse, në fund të fundit, e vërteta është një vetje: Jezu Krishti".
E sërish, Papa përsëriti atë që u tha edukatorëve katolikë në Uashington, shprehur qartë edhe në Enciklikën “Spe Salvi”. Liria e vërtetë nuk do të thotë të çlirohesh nga impenjimet, por të impenjohesh për të tjerët, ashtu si Krishti, shembull e model i jetës së krishterë.
E këtu Ati i Shenjtë hyri në poezinë e simboleve të Pashkëve, duke kujtuar simbolin e dritës së Krishtit, që i fton të rinjt të bëhen yje, për t’u ndriçuar të tjerëve rrugën drejt Krishit, rrugë e faljes, e pajtimit, e përvujtërisë, e gëzimit dhe e paqes. Por nganjëherë, vërejti Papa Racinger, kemi ngasjen të mbyllemi brenda vetes, të dyshojmë në forcën e shkëlqimin e Krishtit, ta kufizojmë horizontin e shpresës. Prej këndej thirrja:
“Guxim! Larmia e përvojës së shenjtorëve për praninë e Zotit na këshillon ta zbulojmë sërish gjerësinë dhe thellësinë e krishterimit… Nganjëherë konsiderohemi si njerëz që flasin vetëm për çka nuk lejohet. Asgjë s’mund të jetë më larg së vërtetës! Dishepullimi i vërtetë i krishterë karakterizohet nga ndjenja e mahnitjes. Jemi para atij Zoti, të cilin e njohim dhe e duam si mik, para madhështisë së krijimit e bukurisë së fesë sonë të krishterë”.
Guxim pra, feja e krishterë është publike, për të gjithë, por Papa nuk harron edhe sferën private. Gjëja më e rëndësishme, u tha të rinjve, është të krijoni marrëdhënie personale me Zotin përmes lutjes. Zoti, për vetë natyrën e tij, flet, dëgjon, përgjigjet.
E sërish fjalët e Atit të Shenjtë tingëllojnë si ftesë poetike: “Shihni përreth me sytë e Krishtit, dëgjoni me veshët e tij, mendoni e kuptoni me zemrën dhe shpirtin e tij. Gatituni të jepni gjithçka për të vërtetën dhe drejtësinë, siç bëri Ai…”.  

 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.