Në Graund Zirou, hon i historisë, Papa lutet për paqe në botë e në zemrat e njerëzve.
(20.04.2008 RV)Dita e gjashtë dhe
fundit e shtegtimit VIII apostolik të Benediktit XVI në SHBA, filloi me një nga ngjarjet
më të pritura, me lutjen në Ground Zero (Graund’Zirou). Në orën 9. 30 me orën vendase,
15. 30 me atë evropiane, automobili i Papës u ndalua në atë vend, ku dikur lartoheshin
dy rrokaqiejt binjakë “Tuin Tauers”. I shoqëruar nga kardinali Eduard Igën, Ati
i Shenjtë arriti në Bed Rok, në fundin e gropës së hapur nga shembja, në Graund Ziero.
Të pranishëm, kryetari bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, governatorët e Nju
Jorkut e të Nju Xhersit si dhe 24 përfaqësues të protagonistëve të 11 shtatorit. Gjëja
e parë që të bie në sy në këtë vend kaq tragjik ku, si në një film tmerresh, humbën
jetën tri mijë vetë, është një kryq 7 metra i lartë: dy copa trarësh prej çeliku,
të nxjerra prej gërmadhash nga një punëtor, një ditë pas tragjedisë, e të kryqëzuara
për t’i siguruar njerëzit e pushtuar nga tmerri, se Hyji nuk i kishte braktisur. Sipas
shumë njujorkezëve, vizita e sotme e Papës në këtë vend, ka të njëjtin kuptim: E
këtë kuptim ka edhe lutja që u lartua nën Kryqin e besimit e të shpresës, në një
vend ku më 11 shtatorin e vitit 2001 ndokush pati bërë pyetjen tepër të vështirë
“Ku ishte Zoti?”.
Lutja O Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit, drejtoi
sytë e Tu mbi ne, popull i feve e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë
log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes së pabesueshme. Të lutemi që, me mirësinë
Tënde, t’u japësh pushimin e pasosur e dritën e pambaruar të gjithë atyre
që vdiqën në këtë vend; të parëve, që vrapuan të japin ndihmën e tyre: zjarrfikësve,
policëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit,
së bashku me të gjithë burrat e gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm
sepse puna e tyre e shërbimi i tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001. Të lutemi,
me mëshirën tënde, t’i shërosh ata që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu i
ndjejnë fort dhimbjet e plagëve e të sëmundjeve . Shëroi, o Zot, edhe familjet,
që vuajnë e qajnë ende, e të gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi. Jepu
forcën ta vijojnë rrugën e jetës me guxim e shpresë.
Kujtojmë edhe ata që
vdiqën, u plagosën e të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur në të njëjtën
ditë, në Pentagon e në Shanksvil, në Pensilvani. Zemrat tona bëhen një me zemrat
e tyre, Rrahin njëherësh me to. Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.
O
Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë - Paqe në zemrat e të gjithë
burrave e grave, e paqe ndërmjet Kombeve të tokës! Bëj t’i kthejnë hapat në
udhën tënde të dashurisë, ata që i kanë mend e zemër të prishura nga urrejtja. O
Hyj i mirëkuptimit: të dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie, kërkojmë
dritën tënde e udhëheqjen Tënde, ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme. Të
lutemi që njerëzit, jetët e të cilëve u kursyen, të jetojnë në një mënyrë të tillë, që
të mos e bëjnë të kotë flijimin e atyre që këtu e humbën jetën. Ndihmona e
ngushëllona, përforcona në shpresë e na jep urti e guxim të punojmë pa
u lodhur kurrë për një botë ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetëndërmjet Kombeve
e në zemrat e të gjithëve!
Në përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë ndezi një
qiri dhe dha bekimin apostolik pikërisht atje, ku shtatë vjet më parë lartohej “The
World Trade Center” (Dhe Uorld Trejd Sentër) së cilës më 2012 do t’ia zërë vendin
“The New World Trade Center” (Dhe Nju Uorld Trejd Sentër), vepër e arkitektit amerikan,
Daniel Libenski.