2008-04-20 09:42:18

Benedikti XVI u kërkon të rinjve guximin të kuptojnë se liri nuk do të thotë t'i japësh vlerë çdo gjëje pa dallim. Liria është Krishti.


(20.04.2008 RV)RealAudioMP3 Orkestra e të rinjve të organizatës kishtare “Bashkim e Çlirim” e priti Benediktin XVI në fushën e sportit, ku ndodheshin rreth 20 mijë të rinj, sëbashku me rreth 300 seminaritë, ardhur nga dioqeza e Bregut Lindor. Vetë Seminari i Shën Jozefit në Nju Jork është themeluar në vitin 1986 dhe menjëherë pati pranuar 96 seminaristë. Tani, ata janë 160 dhe për studimet e tyre, mund të shfrytëzojnë një bibliotekë me 81 mijë vëllime.
Pas përshëndetjes së kryeipeshkvit të Nju Jorkut, tre përfaqësues të të rinjve i ofruan Papës bukë, oriz e misër, si simbol i pasurisë së traditave të tyre të ndryshme. E më pas një “Happy birthday” (Hepi Bërthdej) – kënga e urimeve për ditëlindjen në gjermanisht.
Katër çifte të rinjsh i dhuruan Papës një tekst, që përdoret në shkollat katolike për historinë e katolicizmit në shtetin e Nju Jorkut. Më pas u projektuan fotografitë e 6 personave, që kanë lindur ose jetuar në Shtetin e Nju Jorkut, të deklaruara më pas Shenjtorë, të Lumë ose Shërbëtorë të Zotit. Pikërisht nga jeta e tyre e shkëlqyer u nis Ati i Shenjtë për të nënvizuar se shembulli i tyre është mënyra me të cilën secili prej nesh mund t’i japë përgjigje kujtdo që na kërkon arësyet e shpresës së krishterë, që banon në ne. E nuk ka një model për këtë, pasi edhe shenjtërit e paraqitur kanë orgjinë familjare e jetë të ndryshme, nga të varfërit tek të pasurit, nga laikë tek rregulltarë, njëra e martuar, tjetri emigrant, bija e një luftëtari Mohouk, një skllav haitian e një intelektual kuban. Por elementi i përbashkët për të gjithë, nënvizoi Ati i Shenjtë, është se të ndezur nga dashuria për Krishtin, jeta e tyre u bë rrugë e jashtëzakonshme shprese.
Po sot, kush e dëshmon Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit në rrugët e Nju Jorkut, në periferitë e mënjanuara të qytetit, në vendet ku mblidhen të rinjtë për të kërkuar një pikë referimi? Që këtej del detyra për të rinjtë e mbledhur para Atit të Shenjtë. Papa përmendi vështirësitë e kaluara në rininë e vet, tmerrin e Luftës II Botërore, emigrimin e shumë të rinjve në Amerikë dhe arritjen e lirisë në sajë të ardhjes së demokracisë. E paralajmëroi:
“… Fuqia shkatërruese gjithsesi mbetet… Por ajo nuk do të triumfojë kurrë; është mundur. Është ky thelbi i shpresës, që na dallon si të krishterë”.
Jemi të lirë në botën e sotme demokratike, por si e përdorim këtë liri e sa na ndihmon demokracia për të kapërcyer vështirësitë e jetës? Cilat janë pikat e referimit, që duhet të mbeten të patundura në shoqëri? Benedikti XVI vuri në dukje sa herë personat, të cilëve jeta nuk u jep shumë mundësi, në vend të dorës së shtrirë të shpresës gjejnë para vetes grushtin e shtypjes e përpjekjen e manipulimit. E nuk janë situata të lehta. Është fjala për të droguarit, për njerëzit pa shtëpi, për të varfërit, viktimat e racizmit, të dhunës e të degradimit, sidomos për gratë e vajzat:
“Ndërsa shkaqet e situatave të tilla problematike janë të ndërlikuara, të gjitha kanë të përbashkët qëndrimin mendor të helmatisur, që shfaqet në trajtimin e personave si të ishin thjesht sende – afirmohet kështu një pandjeshmëri zemre, që më parë injoron e pastaj vë në lojë dinjitetin që Zoti i jep çdo njeriu…”
Pas këtij denoncimi, Ati i Shenjtë i ftoi të rinjtë ta bëjnë sëbashku me këta njerëz rrugën e mirësisë e të shpresës.
Më pas, Papa u ndal në temën e lirisë së individit dhe përdorimit të saj. Liria – theksoi Benedikti XVI – është një vlerë delikate. Mund të keqkuptohet ose të përdoret keq e në vend që të çojë drejt lumturisë që të gjithë presin prej saj, çon drejt skenarit të errët të manipulimit, që i hap rrugën atyre që kanë një plan të fshehtë për të na çoroditur mendjen e për të krijuar konfuzion. A e keni vënë re – pyeti Papa - sa shpesh rivendikimi i lirisë bëhet pa iu referuar asnjëherë së vërtetës mbi njeriun?
“Sot, ka nga ata që pohojnë se respektimi i lirive të individit e bën të padrejtë kërkimin e së vërtetës, duke përfshirë edhe të vërtetën mbi të mirën e kuptimin e saj. Në disa ambiente, përmendja e së vërtetës konsiderohet burim diskutimesh ose ndarjesh e prandaj, kjo duhet rezervuar vetëm për sferën private. E në vend të së vërtetës – apo më mirë, të mungesës së saj – është përhapur ideja se, duke i dhënë vlerë gjithçkaje pa dallim, sigurohet liria e çlirohet ndërgjegjia. Kjo quhet relativizëm”.
Por cili është qëllimi i kësaj lirie që, duke injoruar të vërtetën, ndjek çka është e gënjeshtërt dhe e padrejtë? Sa të rinjve u është dhënë një ndihmë, e cila, në emër të lirisë apo të përvojës, i ka udhëhequr drejt drogës, konfuzionit moral ose intelektual, drejt dhunës, humbjes së respektit për vetveten e madje drejt dëshpërimit e kështu, tragjikisht, drejt vetëvrasjes?
“E vërteta nuk është imponim. E as thjesht një grumbull rregullash. Është zbulimi i të Vetmit që nuk na tradhëton kurrë; i të Vetmit që mund t’i besojmë gjithnjë. Duke kërkuar të vërtetën arrijmë të jetojmë sipas fesë, sepse, në fund të fundit, e vërteta është një person: Jezu Krishti".
E sërish, Papa përsëriti atë që u tha edukatorëve katolikë në Uashington dhe që e ka specifikuar edhe në Enciklikën “Spe Salvi”. Liria e vërtetë nuk do të thotë të çlirohesh nga impenjimet, por të impenjohesh për të tjerët, ashtu si Krishti, shembull e model i jetës së krishterë.
E këtu Ati i Shenjtë hyri në poezinë e simboleve të Pashkëve, për t’u shpjeguar të rinjve se si mund të ndihmojnë të tjerët të ecin në rrugën e lirisë, që çon në kënaqësi e lumturi të qëndrueshme. Papa kujtoi domethënien e simbolit të dritës. “Drita e Krishtit na fton të jemi yje-udhëheqës për të tjerët, duke ecur në udhën e Krishtit që është falje, pajtim, përvujtëri, gezim e paqe”. Por nganjëherë, vërejti Papa Racinger, mbyllemi në vetvete, dyshojmë në forcën e shkëlqimin e Krishtit, e kufizojmë horizontin e shpresës. Prej këndej thirrja:
“Guxim! Larmia e përvojës së shenjtorëve për praninë e Zotit na sugjeron të zbulojmë sërish gjerësinë dhe thellësinë e krishterimit… Nganjëherë konsiderohemi si njerëz që flasin vetëm për moslejime. Asgjë s’mund te jetë më larg së vërtetës! Një dishepull i vërtetë i krishterë karakterizohet nga ndjenja e mrekullisë. Jemi para atij Zoti që e njohim dhe e duam si mik, para madhështisë së krijimit e bukurisë së fesë sonë të krishterë”.
Guxim pra, feja e krishterë është publike, për të gjithë, por Papa nuk harron edhe sferën private. Gjëja më e rëndësishme, u tha të rinjve, është të krijoni marrëdhënie personale me Zotin e kjo bëhet përmes lutjes. E sërish fjalët e Atit të Shenjtë kthehen në poezi: “Shihni përreth me sytë e Krishtit, dëgjoni me veshët e tij, mendoni e përdoreni intuitën me zemrën dhe shpirtin e tij. Të jeni të gatshëm për të dhënë gjithçka për të vërtetën dhe drejtësinë, siç bëri Ai…”
Në përfundim të fjalës së tij, Benedikti XVI iu drejtua në mënyrë të veçantë seminaristëve. Duke i përgëzuar për shtimin e numrit, nënvizoi se si thirrjet meshtarake lindin në gjirin e familjes e i këshilloi kandidatët të hedhin poshtë çdo prirje drejt karrierizmit e mendjemadhësisë. U tha rregulltarëve të mbeten besnikë ndaj karizmës themeluese e jo ndaj personave të caktuar dhe përfundoi me fjalët: “Çfarë po kërkoni? Çfarë ju sugjeron Zoti? Shpresa që nuk të zhgënjen kurrë është Jezu Krishti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.