2008-04-19 18:48:37

Reflektim i Atë Lombardit: “Shpirti i Amerikës”.


(19.04.2008 RV)RealAudioMP3 Të ndjekim reflektimin e Atë Lombardit:
"Që në fillim të vizitës së tij, Benedikti XVI diti të prekë zemrën e popullit që po viziton, duke kuptuar karakteristikën e tij themelore: dashurinë për lirinë, shoqëruar nga një ndjenjë e fortë fetare. Amerika është shtëpia e atyre që duan të marrin frymë lirisht, duke nisur nga liria për të adhuruar Hyjin në përkim me ndërgjegjen e me bindjet e tyre. Përpara Shtëpisë së Bardhë Papa kujtoi, me të drejtë, përvojën e etërve themelues e të dokumenteve kryesore të kombit.
Duke u folur ipeshkvijve, kujtoi se shtatorja e lirisë ka qenë simbol shprese për miliona emigrantë evropianë, që niseshin drejt Amerikës në kërkim të një jete më të mirë; kujtoi edhe amerikanët e panumërt që dhuruan bujarisht jetën për mbrojtjen e lirisë, si në atdhe, ashtu edhe jashtë tij.
Natyrisht foli qartë edhe për vështirësitë e sfidat, të cilat nuk mungojnë në shoqërinë e sotme, duke theksuar posaçërisht aspektin e gjallërisë së vlerave fetare edhe atë të kuptimit të lirisë, kur rrezikohet ta humbasë bazën e shpirtin e të bëhet sundim i njeriut mbi njeriun. Por sfidat mund të përballohen vetëm nëse kuptohet mirë identiteti e thirrja që ka çdo njeri. Gjon Pali II, që kishte vizituar popuj të ndryshëm, ishte mjeshtër në kujtimin e historisë e të misionit, të dinjitetit e të përgjegjësisë së tyre, duke i impenjuar kështu në sfidën pozitive, me vështrim nga ardhmëria, për t’i dhënë familjes njerëzore kontributin e tyre, dhuratën e tyre të veçantë. Këtë po bën edhe Benedikti XVI, me thellësinë e tij karateristike kulturore e shpirtërore, për popullin amerikan dhe për Kishën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo vetëm amerikanët, por të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës, sepse Amerika ndikon mbi jetën e mbarë njerëzimit e ka rëndësi të madhe që të ecë në rrugë të drejtë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.