2008-04-19 18:52:19

Papa në SHBA: të drejtat e njeriut, dialogu me hebraizmin dhe ekumenizmi: analizë e Atë Lombardit.


(19.04.2008 RV)RealAudioMP3 Për vlerat e fjalimit të Papës në OKB dhe veprimtaritë e tjera të ditës së djeshme, ju ftojmë të ndiqni reflektimin e drejtorit të përgjithshëm të Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Fjalimi i Papës ishte diskutim themelor. Jemi në 60-vjetorin e Deklaratës të të Drejtave të Njeriut, Deklaratës universale, e Papa deshi të kujtojë pikërisht vlerën e saj, që pas 60 vjetësh, ndoshta fillon të bjerë sadopak në harresë, ndërsa është absolutisht themelore për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut në mbarë botën. Papa preku edhe një argument, që më duket i ri e origjinal, kur foli mbi ‘përgjegjësinë për të mbrojtur”. Përgjegjësi për të mbrojtur dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e tij. Nuk foli vetëm për përgjegjësinë e shteteve, por – kur këta nuk janë të aftë për ta mbrojtur popullsinë e vet – edhe për ndërhyrjen nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, duke respektuar, natyrisht, parimet e rendit ndërkombëtar. Por këmbëngulja me të cilën foli për këtë përgjegjësi, ishte tepër e fortë. Besoj se ky argument, i thelluar dhe i shoqëruar me reflektimet e nevojshme, do të shënojë një risi në parimet e këndvështrimet e rendit ndërkombëtar dhe atyre të përgjegjësisë së bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj jam plotësisht i bindur se është një fjalim, i cili duhet medituar e thelluar.

Pyetje: - Ditë tepër e ngarkuar me veprimtari, e djeshmja. Menjëherë pas atij në Kombet e Bashkuara, Papa mori pjesë në takimin ekumenik shumë të rëndësishëm…

Përgjigje: - Po, them se me fjalimin e tij, Papa shkoi deri në fund, impenjoi gjithë të krishterët e bashkësive të ndryshme të reflektojnë se është e rëndësishme ta kërkojnë së bashku të vërtetën, të mos mjaftohen me një farë, si të themi, ‘dashurie’ reciproke, me një vullnet të mirë të papërcaktuar, por ta përcaktojnë cila është detyra jonë lidhur me të vërtetën e zbuluar, cilat janë – pikërisht - kërkesat doktrinore që duhen respektuar për të qenë i krishterë, kërkesa që na përkasin të gjithëve, në se duam të jemi të krishterë besnikë ndaj Fjalës së Hyjit, ndaj zbulesës së Krishtit, ashtu si na është dhënë. E prandaj mund të themi se edhe këtu duhet një impenjim ndershmërie, duhet ndershmëri e reflektim.

Pyetje: - Atë Lombardi, një ngjarje që u jetua si historike nga bashkësia hebraike njujorkeze, ishte takimi miqësor në Sinagogë. Cila është pika kryesore që duhet nënvizuar?

Përgjigje: - Pikërisht kjo shenjë miqësie, vëllazërimi. Natën e Pashkëve, Ati i Shenjtë deshi të shkojë në sinagogë. E tani ndoshta, do të na duket fare normale që papa të shkojë në një sinagogë, në sa është vetëm hera e tretë. Një herë shkoi Gjon Pali II në Romë, dy herë Benedikti XVI në Këln e në Nju Jork. E kjo e Nju Jorkut ka shumë mundësi të jetë bashkësia më e rëndësishme hebraike në botë, jashtë Izraelit. E kjo shenjë miqësie pati rëndësi e kuptim të posaçëm, për të ripohuar qëllimet e mira, marrëdhëniet e mira të miqësisë, të respektit ndërmjet katolikëve e hebrenjve, që janë vëllezërit tanë më të mëdhenj.







All the contents on this site are copyrighted ©.