2008-04-19 18:47:18

Në trevjetorin e papnisë, Benedikti XVI kremtoi Meshën Shenjte në katedralen e Shën Patrikut në Nju Jork.


(19.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, festa e trevjetorit të papnisë së Benediktit XVI, rreth orës 08. 45 me orën vendase, 14. 45 me atë evropiane, Papa u nis drejt Katedrales së Shën Patrikut.
E ndërtuar me stil gotik, Katedralja e Nju Jorkut bëhet edhe më tërheqëse, për shkak të kontrastit me grataçelet moderne të Manhatanit, që duket sikur rrokin qiellin. Trualli mbi të cilin ngrihet, qe blerë më 1810 nga etërit jezuitë për të ndërtuar aty një nga shkollat e tyre. Pikërisht kjo shkollë u zëvendësua me ndërtesën e sotme të Katedrales, kur Papa Piu IX e ngriti Nju Jorkun në rangun e selisë metropolite. Me tri navata, në formë kryqi latin, Katedralja është shumë e pasur me punime në mermer të bardhë. Mes tyre spikasin vetratat e dritareve e rozoni, prej nga derdhet një simfoni dritash, të cilat e ndriçojnë gjithë kishën e, posaçërisht, organon e madhe, që e mbushi sot katedralen me tinguj këngësh të zgjedhura kishtare. Gjon Pali II e vizitoi katedralen gjatë dy shtegtimeve të tij në Nju Jork ( 2 tetor 1979 e 7 tetor 1995).
Katedralja e Shën Patrikut zë rreth tre mijë besimtarë e sot, numri i atyre që ndoqën Meshën e Benediktit XVI ishte shumë më i madh.
Para portës kryesore prej bronzi, për ta pritur Papën kishin dalë kryeipeshkvi i Nju Jorkut, kardinali Eduard Igën; rektori i katedrales, Imzot Robert Riçi dhe kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, zoti Majkëll Blumberg.
Me që sot ishte festa e trevjetorit të papnisë së Benediktit XVI, u kremtua Mesha shenjte ‘për Kishën universale’, kushtuar përfaqësuesve të klerit, rregulltarëve e rreegulltareve të dioqezës “Ist Kost”.
Homelia që mbajti Ati i Shenjtë ishte mesazh i fesë apostolike, që buron nga Çenakulli i Ngjalljes. U përshkua e tëra nga figura e katedrales gotike, ku kremtohej Mesha, simbol i katedrales së tokës e i katedrales së qiellit, përplot me drita mistike, që e lartojnë shpirtin drejt Hyjit.
Prandaj, që në fillim Papa u kujtoi ipeshkvijve, priftërinjve e rregulltarëve se janë të zgjedhur nga Hyji, për t’ia kushtuar gjithë jetën shenjtërisë, kumtimit të Ungjillit dhe përforcimit të Kishës në fe, në shpresë e në dashuri, duke vijuar kështu traditën e pasur të Kishës në Amerikë, e cila ka tërhequr gjithnjë njerëz të çdo kombi që është nën qiell.
Ndërsa falënderojmë Hyjin për bekimet e së kaluarës – tha Papa – i lutemi t’i japë Kishës në Amerikë, hirin e Rrëshajëve të reja, duke mos harruar kurrë se është e thirrur të shpallë dhuratën e jetës, ta mbrojë jetën e të promovojë kulturën e jetës”.
Duke folur, më pas, për nevojat më urgjente të shoqërisë, Ati i Shenjtë kujtoi se Kisha duhet të mishërojë mesazhin e shpresës e t’u çojë njerëzve gëzimin që lind nga feja, në një kohë kur në botë të krijohet përshtypja se egocentrizmi, lakmia, dhuna e cinizmi ia zënë frymën edhe shenjave më të zbehta të hirit në zemrën e njerëzve :
“Nuk është detyrë e thjeshtë, në një botë që mund ta shikojë Kishën nga jashtë, në një botë që ka aq shumë nevojë për përshpirtëri, por e ka të vështirë të hyjë në misterin e Kishës. Edhe për ndonjërin nga ne drita e fesë mund të zbehet nga jeta e përditshme - e shkëlqimi i Kishës, të errësohet nga mëkatet e ligështitë e anëtarëve të saj”.
Nga korniza e strukturës së ndërlikuar arkitektonike, por plot harmoni, të Katedrales, Papa foli edhe për situatën e brendshme të Kishës:
Një nga zhgënjimet e mëdha që pasuan Koncilin II të Vatikanit, me nxitjen për një impenjim më të madh në misionin e Kishës për botën, mendoj se ishte përvoja e ndarjes të së njëjtës familje fetare në grupe, brezni e anëtarë të ndryshëm, dmth, e qëndrimeve të ndryshme që u mbajtën ndaj orientimeve të tij".
Ndërsa mund të ecim përpara vetëm në se, të bashkuar, i mbajmë sytë të ngulur tek Krishti- theksoi fort Benedikti XVI. - Në këtë mënyrë do ecim së bashku drejt risimit të vërtetë shpirtëror që dëshironte Koncili, e vetmja rrugë, që mund ta forcojë shenjtërinë e bashkimin e Kishës, pa të cilat nuk mund ta kumtojë me suskes Ungjillin në botën e sotme.
Uniteti i katedrales gotike, nuk është uniteti i ngrirë i tempullit klasik, por unitet i lindur nga bashkimi plot gjallëri i forcave të ndryshme, që i japin arkitekturës hov drejt qiellit. Edhe tek kjo figurë mund të shikojmë simbolin e unitetit të Kishës, që është e bashkuar – siç ka thënë Shën Pali – në një trup të gjallë, të përbërë nga gjymtyrë të ndryshme, secila me rolin e vet e me veprimtarinë e vet" – tha Papa, e në vijim theksoi edhe se në përkim me traditat më fisnike kishtare në këtë vend, të gjithë njerëzit e Kishës janë edhe miqtë e parë të të varfërit, të refugjatit, të emigrantit, të të sëmurit e të të gjithë njerëzve që vuajnë.
Në përfundim të Meshës, Kamerlengu i Kishës së Shenjtë Romake, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, e uroi Papën me rastin e trevjetorit të papnisë
Pastaj Benedikti XVI u largua nga Katedralja, për të shkuar në Selinë e kryeipeshkvit të Nju Jorkut, ku drekoi me ipeshkvijtë e kryedioqezës, të cilët i uruan edhe trevjetorin e papnisë. Pastaj u kthye në selinë e tij, prej nga do të niset rishtas për në seminarin e Shën Jozefit të Nju Jorkut, ndësa në Evropë akrepat e orës do të shënojnë mesnatën e ora vendase, 16.00. E presin të rinjtë e seminaristët!
 Nesër - vizita dhe çasti i lutjes së Papës në Ground Zero (Graund’Ziərou) , më pas Mesha përfundimtare në Yankke Stadium (Jenki Steidium) të Nju Jorkut.
Në mbrëmje do të niset për Romë, ku parashikohet të arrijë të hënën, më 21 prill, në orën 10. 45.







All the contents on this site are copyrighted ©.