2008-04-18 01:16:31

Papa në SHBA: në takim me krerët e feve, dialog ndërfetar, por të qartë për dallimet që ekzistojnë ndërmjet feve.


(18.04.2008 RV)RealAudioMP3 Aktiviteti i fundit i ditës së djeshme të udhëtimit të tetë apostolik të Papës Benedikti XVI në SHBA (natë në Evropë), ishte takimi me përfaqësuesit e feve të tjera në Qendrën Kulturore “Papa Gjon Pali II” të Uashingtonit. Kjo qendër është hapur në vitin 1998, me iniciativën e kryeipeshkvit të atëhershëm të kryeqytetit. Është një qendër që ka për qëllim promovimin e dialogut mbi marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe kulturës e pra, edhe një pikë takimi ndërmjet feve të ndryshme. Pritën Atin e Shenjtë rreth 200 përfaqësues të 5 bashkësive fetare: hebrenjtë, myslimanët, hinduistët, budistët dhe xhianistët.
Në fjalimin e tij, Papa vuri në dukje traditën amerikane të dialogut dhe të bashkëpunimit me fetë e tjera, lutjet e përbashkëta për festa dhe nisma të ndryshme bamirësie, si edhe bashkëpunimin në rastet e çështjeve të rëndësishme të politikës amerikane, që kanë të bëjnë me vlera të përbashkëta etike. Takimi ndërmjet feve favorizohet edhe nga përbërja e ndryshme e shoqërisë amerikane. Të krishterë, hebrenj, myslimanë, hinduistë e fëmijë të të gjitha feve ulen sëbashku në bankat e shkollave e mësojnë nga njëri-tjetri, nënvizoi Papa:
“Kjo ndryshueshmëri paraqet sfida të reja, që ngjallin një reflektim më të thellë mbi parimet themelore të një shoqërie demokratike. Marrshin guxim nga përvoja juaj edhe të tjerët, që duhet të kuptojnë se një shoqëri e bashkuar mund të dalë edhe nga pluralizmi i popujve – “E pluribus unum” – nga shumë, një” -, me kusht që të gjithë ta njohin lirinë fetare si një të drejtë civile themelore”.
Detyra për ta mbrojtur këtë liri është gjithnjë aktuale e kjo duhet bërë jo thjesht me ligje, theksoi Ati i Shenjtë. Garantimi i të drejtave me ligj nuk do të thotë që popujt në minoracë të mos pësojnë forma të tjera diskriminimi e padrejtësie. Që këtej, Papa i bën thirrje gjithë shoqërisë, duke filluar nga vetë anëtarët e Kishës:
“Ftoj të gjithë personat e fesë ta konsiderojnë dialogun jo vetëm si mjet për të përforcuar mirëkuptimin e anasjelltë, por edhe si mënyrë për t’i shërbyer më mirë shoqërisë… Një shembull konkret i kontributit që bashkësitë fetare mund t’i ofrojnë shoqërisë civile janë shkollat konfensionale. Këto institucione i pasurojnë fëmijët si nga pikëpamja intelektuale, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Të udhëhequr nga mësuesit e tyre që të zbulojnë dinjitetin që Zoti i ka dhuruar çdo qënieje njerëzore, të rinjtë mësojnë të respektojnë besimin dhe praktikën fetare të të tjerëve, duke kontribuar në jetën civile të një kombi”.
Papa nënvizoi përgjegjësinë e krerëve të feve në këtë drejtim. Ata duhet ta ngjizin shoqërinë me përvujtëri e respekt për jetën e lirinë njerëzore, të bëhen garant për respektimin e dinjitetit të njeriut, të lehtësojnë arritjen e paqes e të drejtësisë, t’u mësojnë fëmijëve atë që është e drejtë dhe e arësyeshme.
Edhe qeveritë botërore kanë tashmë interes të sponsorizojnë dialogun ndërfetar, nënvizoi Papa, pasi kjo është rruga për të siguruar një paqe të qëndrueshme, por:
“Objektivi më i madh i dialogut është zbulimi i së vërtetës. Cila është origjina dhe ku shkon njerëzimi? Ç’janë e mira dhe e keqja? Çfarë na pret në fund të ekzistencës sonë tokësore? Vetëm duke përballuar këto çështje më të thella mund të ndërtojmë një bazë solide për paqen e sigurinë e familjes njerëzore”.
Më pas, Ati i Shenjtë vuri në dukje se katolicizmi ka pika të përbashkëta me fetë e tjera, por ka edhe ndryshime. E kemi për detyrë, tha Papa Racinger, të diskutojmë për këto ndryshime me qetësi e qartësi, pasi vetëm e vërteta sjell paqen e bashkëjetesën:
“… objektivi më i rëndësishëm i dialogut ndërfetar kërkon një ekspozim të qartë të doktrinave respektive fetare. Për këtë qëllim, kolegjet, universitetet e qendrat e studimit janë vende të rëndësishme për shkëmbimin e sinqertë të ideve fetare. Nga ana e saj, Selia e Shenjtë mundohet ta kryejë këtë punë të rëndësishme përmes Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Institutit Papnor të Studimeve Arabe dhe Islamistikës dhe Universiteteve të ndryshme Papnore”.
Në përfundim të fjalimit të Papës Benedikti XVI, 15 eksponentë të feve të tjera takuan Atin e Shenjtë. Më pas, Papa bëri një vizitë të shkurtër në Kapelën e Qendrës Kulturore dhe në një dhomë të veçantë u takua me përfaqësuesit e bashkësisë hebraike, të cilëve u uroi Pashkët, që fillojnë të shtunën, më 19 prill.







All the contents on this site are copyrighted ©.