2008-04-18 00:08:35

Papa në SHBA: Liria akademike e rëndësishme për punën kërkimore-shkencore


(17.04.2008 RV)RealAudioMP3 Në orën 17 (23 në Evropë) Papa Benedikti XVI u takua me botën universitare katolike në Universitetin Katolik të Amerikës. Ky universitet është themeluar nga ipeshkvijtë që në vitin 1807. Fillimisht ka qenë një qendër formimi pas universitare e më vonë është shndërruar në universitet efektiv me një qendër arësimimi të vazhdueshme për të rriturit. Në oborrin e shkollës, 6000 studentë pritën Atin e Shenjtë e në sallën e takimit me Papën ishin të pranishëm 235 rektorë universitetesh e kolegjesh katolike, 195 përgjegjës dioqezanë për arësimin dhe përfaqësues të tjerë të docentëve dhe studentëve katolikë, gjithsej rreth 600 vetë. Një kuriozitet: froni ku u ul Ati i Shenjtë është projektuar nga katër studentë të universitetit, fitues të konkursit të shpallur për këtë qëllim. Duke i përshëndetur përzemërsisht, Papa Racinger u shprehu edukatorëve mendimet e tij mbi natyrën dhe identitetin e arësimit katolik në ditët e sotme. Detyra e edukimit të brezit të ri – nënvizoi Ati i Shenjtë – është pjesë përbërëse e misionit të Kishës për shpalljen e Lajmit të Mirë të Ungjillit. Në radhë të parë e mbi çdo gjë, një institucion edukativ katolik është vendi në të cilin studentët takohen me Zotin e gjallë. Pikërisht SHBA-të janë të njohura historikisht për kontributin e arësimit katolik në formimin dhe përparimin e kombit. Në gjirin e profesorëve ka tashmë shenjtorë, që ia kanë kushtuar jetën edhe edukimit të atyre që të tjerët i kishin lënë mënjanë, si afro-amerikanët dhe indianët e Amerikës. Por si dallohet një institucion arësimor katolik nga të tjerët. Papa theksoi:
“Identiteti i një Universiteti apo i një shkolle katolike nuk është thjesht një çështje numri studentësh katolikë. Është çeshtje bindjesh. A besojmë ne me të vërtetë se vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar bëhet i qartë misteri i njeriut? A jemi me të vërtetë gati t’ia besojmë veten – intelektin dhe vullnetin, mendjen e zemrën – Zotit? A e pranojmë të vërtetën që Krishti na zbulon? Në universitete e shkolla a “preket me dorë” feja jonë? A gjen ajo shprehjen e vet të zjarrtë në liturgji, në sakramente, përmes lutjes, veprave të bamirësisë, nxitjes së drejtësisë dhe respektit për krijimin e Zotit? Vetëm në këtë mënyrë ne dëshmojmë me të vërtetë se kush jemi e çfarë mendojmë”.
Papa iu referua botës së sotme dhe relativizmit që e karakterizon, vuri në dukje se “kriza e së vërtetës” e ka bazën në “krizën e fesë” dhe kërkoi që t’u flitet të rinjve me gjuhën e tyre, në mënyrë që ideja e lirisë, aq shumë e shndërruar sot, të mos paraqitet si liri individuale për të bërë ç’të duash. Të veprosh si person i lirë, nënvizoi Ati i Shenjtë nuk do të thotë të mos impenjohesh, por të impenjohesh me përgjegjësi. Është pikërisht ky lloj formimi, që i dallon shkollat katolike nga të tjerat dhe përcakton kontributin e tyre në shoqërinë bashkëkohore:
“Misioni primar i Kishës – ungjillëzimi – për të cilin institucionet edukative luajnë një rol të rëndësishëm, përkon me aspiratën themelore të kombit për të zhvilluar një shoqëri me të vërtetë të denjë ta gëzojë dinjitetin e njeriut… Në fakt, misioni i Kishës e përfshin atë në luftën e njerëzimit për të arritur të vërtetën… Duke ngjyer në enën e diturisë hyjnore, ky mision hedh dritë mbi bazat e moralit dhe të etikës njerëzore e kujton… se nuk është praktika që krijon të vërtetën, por është e vërteta, që duhet të shërbejë si bazë për praktikën”.
E për të larguar çdo dyshim e interpretim që ideologjia e shekullarizmit mund t’i bëjë së vërtetës, duke përcaktuar mirë detyrën e mësuesve e të profesorëve të krishterë, Ati i Shenjtë theksoi:
“E vërteta i kapërcen kufijtë e dijes: njohja e së vërtetës na çon drejt zbulimit të së mirës… Me bindje, edukatorët e krishterë mund t’i çlirojnë të rinjtë nga kufijtë e pozitivizmit dhe të rizgjojnë në ta interesin për të vërtetën, për Zotin e për mirësinë e tij. Në këtë mënyrë, ju do të ndihmoni edhe në formimin e ndërgjegjes, e cila, e pasuruar nga feja, hap me siguri rrugën drejt paqes së brendshme e respektit për të tjerët”.
Vetëm kështu, edukatorët e krishterë do t’u përgjigjen aspiratave të shoqërisë dhe do të bëjnë detyrën që pritet prej tyre. Aspekti tjetër i prekur nga Benedikti XVI kishte të bënte me rëndësinë e dëshmisë së edukatorëve brenda vetë universiteteve e shkollave katolike. Papa Racinger pohoi rëndësinë e lirisë akademike si vlerë e rëndësishme e punës së pedagogut:
“Ju jeni të thirrur të kërkoni të vërtetën kudo ku ju çon analiza e kujdesshme e fakteve. Gjithsesi, është rasti të kujtoj se çdo thirrje për zbatimin e parimit të lirisë akademike për të justifikuar qëndrime kundër fesë dhe mësimeve të Kishës do të pengonte e madje do të tradhëtonte identitetin e misionin e Universitetit, një mision që është në thelbin e mësimdhënies së Kishës e nuk është në një farë mënyre autonom apo i pavarur prej saj. Mësues e administratorë, si në Universitete, ashtu edhe në shkolla, kanë për detyrë dhe privilegj t’u sigurojnë studentëve edukimin në doktrinën dhe në praktikën katolike.”
Në përfundim, Ati i Shenjtë inkurajoi mësuesit e katekizmit, si laikët, ashtu edhe rregulltarët, dhe u bëri një thirrje të veçantë pikërisht rregulltareve e rregulltarëve që të mos e braktisin përkushtimin e tyre ndaj mësimdhënies, sidomos në zonat më të varfëra.







All the contents on this site are copyrighted ©.