Papa në OKB:të drejtat e njeriut duhen të jenë të rrënjosura në drejtësi
18.04.2008 RV)Dita e sotme e shtegtimit
të Papës në SHBA filloi shpejt. Në orën 6. 45 me orën vendase, 12. 45 me atë evropiane,
Benedikti XVI kremtoi privatisht Meshën Shenjte në kapelën e nunciaturës apostolike
të Uashingtonit. Më pas, nga aeroporti i Bazës Ajrore Andrews (Endrjus) të Uashingtonit
u nis, për në Nju Jork, ku arriti pas një ore. Në aeroportin ndërkombëtar ‘John Fitzgeraled
Kennedy’ u organizua një pritje informale. Nga aeroporti, u transferua me helikopter
në eliportin Wall Street e pastaj drejtpëdrejtë në Selinë e Kombeve të Bashkuara. Kujtojmë
se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së bëjnë pjesë 192 shtete anëtare, ndërsa në
Këshillin e Sigurimit, 15 anëtarë, 5 të përhershëm (Kina, Federata Ruse, Franca, Mbretëria
e Bashkuar dhe SHBA) e 10, jo të përhershëm. Selia e Shenjtë përfaqësohet në OKB-në
e Nju Jorkut që nga data 2 prill 1964, përmes një nunci apostolik, që është vëzhgues
i përhershëm i saj. Aktualisht vëzhgues i përhershëm i Selisë Apostolike në OKB është
imzot Çelestino Miliore. Selia e Shenjtë ka vëzhguesin e vet të përhershëm edhe në
OKB-në e Gjenevës, aktualisht imzot Silvano Tomazi. Vëzhgues të përhershëm ka edhe
në organizatat e tjera të OKB-së si FAO, IFAD, PAM, UNESCO AEIA, ONUDI e OMT. Por
të kthehemi në Nju Jork. Benedikti XVI arriti në orën 10. 00 me orën vendase; 16.
30 me orën evropiane në Selinë e Kombeve të Bashkuara, ku u prit nga kryetari i Asamblesë,
Kerim Srgjan dhe sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-mun, të cilët Papa i përshëndeti
në fillim të fjalimit, duke i falënderuar për mikpritjen dhe për ftesën që të vizitojë
zyrat qendrore të organizatës. Një përshëndetje të përzemërt – edhe të pranishëmve:
amabasadorë e diplomatë të Shteteve anëtare e, përmes tyre, mbarë popujve që përfaqësojnë.
Pastaj Benedikti XVI filloi menjëherë reflektimet për qëllimet dhe misionin e
OKB-së- si“qendër morale, në të cilën të gjitha kombet e botës e ndjejnë veten
si në shtëpi të tyre, duke thelluar vetëdijën se janë një “familje kombesh”. “Parimet
themeluese të Organizatës – dëshira për paqe, kërkimi i drejtësisë, respekti për dinjitetin
e njeriut, bashkëpunimi humanitar e asistenca – shprehin aspiratat më të thella të
shpirtit njerëzor dhe përbëjnë idealet, të cilave duhet t’u nënshtrohen marrëdhëniet
ndërkombëtare. Ashtu siç kanë vërejtur paraardhësit e mi, Pali VI e Gjon Pali II nga
kjo tribunë, bëhet fjalë për argumente që Kisha Katolike e Selia e Shenjtë i ndjekin
me vëmendje e interes, sepse shikojnë në veprimtarinë tuaj sesi problemet e konfliktet
që kanë të bëjnë me bashkësinë botërore, mund të rregullohen me miratim të përbashkët".
Kombet e Bashkuara – theksoi Benedikti XVI - mishërojnë aspiratën ‘për një
shkallë të lartë të drejtimit ndërkombëtar (Gjon Pali II, Sollicitudo rei socialis,
43), që frymëzohet e mbarështohet nga parimi i ndihmës e që, prandaj, është në gjendje
t’u përgjigjet kërkesave të familjes njerëzore, përmes rregullave ndërkombëtare përkatëse
dhe përmes strukturave, që mund ta harmonizojnë jetën e përditshme të popujve. Papa
nënvizoi nevojën që të gjithë drejtuesit ndërkombëtarë të punojnë bashkërisht e të
jenë të gatshëm të veprojnë me mirëbesim, duke respektuar ligjin e duke promovuar
solidaritetin, në ndihmë të zonave më të ligështa të planetit. Kujtoi posaçërisht
ato vende të Afrikës e të zonave të tjera të botës, që përjashtohen nga zhvillimi
i përgjithshëm e që, prandaj, rrezikohen të provojnë vetëm pasojat negative të globalizimit. Një
aspekt tjetër i rëndësishëm që nënvizoi Papa, ishte ai i mënyrës si zbatohen rezultatet
e zbulimeve të kërkimeve shkencore e teknologjike. E ky nënvizim, sepse disa aspekte
të këtyre zbatimeve përbëjnë një dhunim të dukshëm të rendit të krijimit deri në atë
pikë, sa jo vetëm që i bien ndesh karakterit të shenjtë të jetës, por arrijnë t’ia
rrëmbejnë njeriut e familjes identitetin e tyre natyror. Papa preku edhe problemin
e mprehtë të ‘përgjegjësisë për të mbrojtur’, duke theksuar se ndihma nga ana e bashkësisë
ndërkombëtare nuk duhet parë si kufizim i sovranitetit: “Detyra kryesore e çdo
shteti është të mbrojë popullsinë e vet nga shkeljet e rënda e të vazhdueshme të të
drejtave të njeriut dhe nga pasojat e krizave humanitare, të shkaktuara si nga natyra,
ashtu edhe nga vetë njeriu. Në se shtetet nuk janë në gjendje ta garantojnë një mbrojtje
të tillë, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë me mjetet juridike që përcaktohen
në kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me mjete të tjera ndërkombëtare. Veprimtaria
e bashkësisë ndërkombëtare dhe e institucioneve të saj, duke supozuar respektin e
parimeve, që janë në bazë të rendit ndërkombëtar, nuk duhet interpretuar kurrë si
imponim i padëshirueshëm e si kufizim i sovranitetit. Përkundrazi, dëmi real është
pasojë e indiferencës ose e mungesës së ndërhyrjes”. Ati i Shenjtë theksoi
edhe rëndësinë që ka vizioni i drejtë mbi njeriun, si shembëlltyrë e Krijuesit, duke
e parë dinjitetin e njeriut si bazë objektive të përgjegjësisë për të mbrojtur e duke
theksuar me forcë se njohja e themeleve fetare është e nevojshme pikërisht për ta
mbrojtur këtë dinjitet. Papa nëvizoi edhe sfidat e reja, si aftësia për të dalluar
të mirën nga e keqja, vizionin e jetës, të lidhur ngushtë me përmasën fetare, njohjen
e vlerës së mbinatyrshme të çdo njeriu, që favorizon kthesën e zemrave e impenjmin
për t’iu kundërvënë dhunës. Më pas Ati i Shenjtë vuri theksin tek vlera e dialogut
ndërmjet feve e sidomos, tek mbrojtja e lirisë fetare, duke theksuar se: “Të
drejtat e njeriut duhet të përfshijnë edhe të drejtën e lirisë fetare, si shprehje
e një përmase, që është njëkohësisht individuale e komunitare, një këndvështrim që
manifeston unitetin e personit, megjithëse duke bërë një dallim të qartë ndërmjet
përmasës së qytetarit e asaj të besimtarit” - theksoi Ati i Shenjtë, prandaj: “Është
e pakonceptueshme që disa besimtarë të mbysin një pjesë të vetvetes – fenë e tyre
– për të qenë qytetarë aktivë”. Ndërsa njeriu nuk duhet t’a mohojë kurrë Zotin,
për të gëzuar të drejtat e tij. Të drejtat që lidhen me fenë kanë nevojë më shumë
se kurrë të mbrohen, nëse konsiderohen në konflikt me ideologjinë mbizotëruese shekullare
ose me qëndrimet e një shumice fetare, që ka natyrë ekskluzive. Në përfundim Benedikti
XVI ceku praninë e tij të sotme në këtë vend, duke uruar të jetë shenjë nderimi e
shprese. Uroi edhe që Organizata të mbetet gjithnjë simbol i unitetit ndërmjet kombeve
e si mjet për t’i shërbyer mbarë familjes njerëzore. Para se të fillonte vizitën
në OKB, Papa u takua privatisht me Sekretarin e përgjithëm të OKB-së, ndërsa në përfundim
të saj, përshëndeti edhe personelin e Kombeve të Bashkuara. Pas pushimit të drekës
në Selinë e Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, vizitoi sinagogën
e Nju Jorkut dhe përshëndeti hebrenjtë me rastin e festimeve të tyre për Pashkë. Pastaj,
në orën 18 me orën vendase, mesnatë me atë evropiane, takimi ekumenik në Kishën e
Shën Jozefit me 250 përfaqësues të 10 konfesioneve të krishtera. Nesër, 19 prill,
Benedikti XVI do të kryesojë, në katedralen e Shën Patrikut të Nju Jorkut, Meshën
Shenjte me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, pasuar nga takimi me të rinjtë
e seminaristët. Dita e fundit e vizitës, e diela, 20 prill, do të hapet me ngjarjen,
ndoshta ndër më emocionantet e këtij shtegtimi: me vizitën dhe çastin e lutjes së
Papës në Ground Zero (Graund’Ziərou): këtu Benedikti XVI do të lutet për viktimat
e atentateve të 11 shtatorit. Në mbrëmje do të niset për Romë, ku parashikohet të
arrijë të hënën, më 21 prill, në orën 10. 45.