2008-04-18 18:45:48

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(18.04.2008 RV)18 prill: Njerimiri, krenaria e tregtarëve të stofave
Tregtarët e stofave në Kremonë të Italisë janë një grup i bashkuar. Si të gjithë zanatçinjtë e Mesjetës, formojnë një korporatë, dmth një bashkësi njerëzish, që kanë të njëjtën mjeshtri e që tubohen për të mbrojtur interesat e tyre.
Në një mëngjes të ftohtë janari të vitit 1199, Jozefi vrapon në shtëpinë e Marios.
“Më erdhi fati te dera!” - i thotë Mario. “Sapo mora disa stofra të mrekullueshme mëndafshi nga Lindja”.
“Lëri punët e eja të festojmë me të gjithë shokët! Miku ynë, Njerimiri, u shpall shenjt”.
“E pamundur!” – mërmërit Mario. “Kisha nuk ia ka bërë kurrë këtë nder një tregtari të thjeshtë, por vetëm fisnikëve e meshtarëve. E ke krejt gabim!”.
“Si, e kam gabim?” – ulurin Jozefi. “Ipeshkvi ynë, Sikardi, ka shkuar personalisht tek papa për t’i kërkuar kanonizimin. Është e vërtetë se për një kohë të gjatë Kisha ka bërë edhe gjëra të pahijshme, ka dashur të fitojë para, ashtu siç bëjmë edhe ne çdo ditë. Kishës i pëlqejnë njerëzit që i braktisin të gjitha pasuritë për të ndjekur Krishtin. Por shenjtërimi i Njerimirit tregon qartë se punët kanë ndryshuar: mund të bëhet shenjt edhe njeriu që ushtron një profesion e ka edhe familje!”.
“Ç’nder i madh për korporatën tonë, që shenjti i parë tregtar është shitës stofash!” – brohoret Mario.
“Është plotësisht e vërtetë. Hajde, mbylle dyqanin e eja të festojmë së bashku në tavernë”.
Gjatë rrugës, dy burrat flasin për Njerimirin:
“E meriton plotësisht”- thotë Jozefi. “S’kam parë njeri që të tregohet më bujar me të varfërit! U jepte para me të dyja duart. Mantelat e tij më të kushtueshëm i shikoje mbi shpatullat e lypësve”.
“E sa i urtë ishte! Sa herë ndërhynte për të rivendosur paqen ndërmjet qytetarëve të kacafytyr! Në se Kremona tani është e qetë, duhet t’i jemi mirënjohës pikërisht atij”.
“Po ti, e dije se shkonte ditë për ditë në Meshë?
“Si s’e dija. E pikërisht në Kishë edhe vdiq” – psherëtin Mario. “I mbylli sytë pa u ndjerë fare. Njerëzit që ndiqnin Meshën pranë tij, u kujtuan se kishte dhënë shpirt vetëm atëherë, kur e panë se nuk u ngrit në këmbë në sa filloi leximi i Ungjillit.
”Bëri mirë mbi tokë tetëdhjetë vjet me radhë”.“Më të kënaqurit duhet të jenë e shoqja e të bijtë. Megjithëse nuk qe ashtu krejt e lehtë të jetoje me Njerimirin… sepse ishte pak si tepër i mirë! Famijarëve nuk u pëlqente aq, kur shikonin se të gjitha paratë e familjes shkonin në xhepat e të varfërve. E shoqja ankohej gjithnjë e, duke ngritur sytë nga qielli, thoshte: ‘Ç’të kam bërë, o Zot, që më dhe një burrë kaq bujar!’ Shenjtërimi nuk do t’ia kthejë gruas pasuritë që i shoqi i dhuroi gjithë jetën, por ama është një shpërblim tepër i lartë. E kush nuk do ta dëshironte?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.