2008-04-17 12:12:40

Sfidat e Kishës në SHBA në takimin e Papës Benedikti XVI me ipeshkvijtë amerikanë


(17.04.2008 RV)Dje, në orën 16. 45 me orën vendase, 22. 45 me atë evropiane, në nunciaturën apostolike, Ati i Shenjtë u takua me përfaqësues të pesë fondacioneve bamirëse katolike e pikërisht me Kalorësit e Kolombos, Mbrojtësit e arteve në muzejtë e Vatikanit, Centesimos Annus pro Pontefice, Fondacionin Papnor dhe Fondacionin Françeskan për Tokën Shenjte, që i drejtuan Atit të Shenjtë një pëshëndetje të përzemërt.
Pas këtij takimi, Papa u nis për në selinë e Konferencës së ipeshkvijve katolikë të SHBA, për të vijuar veprimtaritë në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Papërlyer, ku kremtoi lutjet mbrëmësore dhe u takua me ipeshkvijtë e SHBA.
RealAudioMP3 Pikërisht aty, Ati i Shenjtë foli për problemet e kishës e të shoqërisë me ipeshkvijtë e vendit. Benedikti XVI vuri në dukje se bashkësia katolike amerikane, në të cilën shërbejnë ipeshkvijtë, është njëra nga më të mëdhatë në botë, prandaj përgjegjësia që bie mbi veprimtarinë e kishës nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e popullit amerikan, por edhe me atë të Kishës universale. Amerikanët janë të njohur për vitalitetin dhe bujarinë e tyre. SHBA-të janë një vend ku strukturat kishtare të bamirësisë janë më efikase se në të gjithë botën e ku shkollat e krishtera konsiderohen të nivelit absolut më të lartë. Besimtarët janë krenarë për përkatësinë e tyre fetare e nuk hezitojnë të ndërthurin në jetën publike arësyet morale të rrënjosura në fenë e krishterë. Por edhe këtu shekullarizimi ka shtrirë rrënjë të forta dhe përcakton sjelljet e njerezve në shoqëri. Në këtë kuadër, Papa shpjegoi se si duhet ta kryejë misionin e vet një ipeshkëv, duke e vënë gishtin mbi plagët e shoqërisë:
“A është vallë koherente ta shpallim fenë tonë në kishë të dielave e pastaj, përgjatë javës, të promovojmë praktika afariste apo procedura mjekësore kundër fesë? A është vallë koherente për katolikët që shkojnë në kishë të injorojnë apo t’i shfrytëzojnë të varfërit e të braktisurit, të promovojnë sjellje seksuale në kundërshtim me moralin katolik, apo të mbajnë qëndrime që kundërshtojnë të drejtën për jetë të çdo njeriu, që nga zënia deri në vdekjen e natyrshme? I duhet rezistuar çdo prirjeje për ta konsideruar fenë si diçka private. Vetëm kur feja ngjiz çdo aspekt të jetës, të krishterët lënë me të vërtetë të veprojë mbi ta fuqia shndërruese e Ungjillit”.
Është shumë e thjeshtë, vazhdoi Papa Racinger, të tërhiqesh nga mundësitë gati të pakufizuara, që ofrojnë shkenca dhe teknika, por, të vetme, ato nuk mund të plotësojnë nevojat më të thella të njeriut. Nuk duhet të harrojmë se nuk jemi të vetëm në botë, por jetojmë me të tjerët e kemi përgjegjësi edhe për ta:
“Ky theksim i individualizmit ka ndikuar madje edhe mbi kishën, duke bërë që të fillojë një lloj bamirësie, e cila nganjëherë nënvizon marrëdhëniet tona private me Zotin në dëm të thirrjes për të qenë anëtarë të një bashkësie të shëlbuar. Nëse duam me të vërtetë ta fiksojmë vështrimin tek Ai, burimi i gëzimit tonë, duhet ta bëjmë si anëtarë të Popullit të Zotit. E nëse kjo do të dukej kundër kulturës së sotme, do të ishte thjesht një provë e mëtejshme e nevojës urgjente për të riungjillëzuar kulturën”.
Më pas, Ati i Shenjtë foli për rolin e laikëve në Kishë e për formimin e tyre, duke përmendur shkollat e shumta katolike që ekzistojnë në SHBA, si edhe prestigjin e tyre të pamohueshëm. Por për katolikët, sidomos për ata që u kushtohen veprave të bamirësisë, theksoi Papa, duhet edhe i ashtuquajturi “formim i zemrës”, pra një takim me Zotin përmes Krishtit, që të ngjallë dashuri në shpirtin e tyre e të bëjë që ta hapin zemrën ndaj të tjerëve. E këtu, detyra e ipeshkvijve është e qartë. Ata duhet t’u sigurojnë katolikëve një formim të qëndrueshëm moral, sidomos atyre që impenjohen në sferën e shëndetësisë. E më pas, të marrin pjesë në debatin civil e publik:
“Ndikimi i Kishës në debatin publik është i qartë e bëhet në shumë nivele të ndryshme… janë aktualisht shumë ligjet në fuqi o në diskutim, që ngjallin shqetësim nga pikpamja e moralit dhe bashkësia katolike, nën udhëheqjen tuaj, duhet të ofrojnë një dëshmi të qartë e unitare mbi çështje të tilla…”
Vetëm fakti që një person e quan veten katolik nuk duhet të na bëjë të mendojmë se ai vepron sipas mësimeve etike të Kishës. Është detyra e ipeshkvijve ta ndihmojnë shoqërinë të reflektojë mbi këto argumente, nënvizoi Papa.
Ati i Shenjtë vuri në dukje shqetësimin e thellë të Kishës për gjendjen e familjes në shoqëri dhe detyrën e patjetërsueshme të ipeshkvijve për të sqaruar mirë argumentet e fesë e të arësyes, që flasin për martesën, si impenjim jete për burrin e gruan e si qelizë e rigjenerimit të jetës. Benedikti XVI vuri gishtin në plagët e shoqërisë amerikane, në këtë drejtim:
“Shihet një ulje alarmuese e martesave katolike në SHBA, sëbashku me një rritje të bashkëjetesave, në të cilat dhurimi i anasjelltë i bashkëshortëve sipas mënyrës së Krishtit, përmes vulës së një premtimi publik për të jetuar kërkesat e një impenjimi të pandashëm për gjithë jetën, thjesht mungon. Në rrethana të tilla, u mohohet fëmijëve një ambient i sigurtë për të cilin kanë nevojë që të rriten si njerëz, madje i mohohen shoqërisë ato shtylla të qëndrueshme, të nevojshme për të ruajtur kohezionin dhe qendrën morale të shoqërisë”.
E Papa nuk mungoi të fliste për një temë të vështirë për Kishën amerikane, atë të abuzimit ndaj të miturve, duke kujtuar se si vetë ipeshkvijtë kanë denoncuar se nganjëherë ky problem është konsideruar në mënyrë jo të drejtë nga vetë kisha amerikane. Njerëz të Kishës – theksoi Papa – kanë tradhëtuar detyrimet e tyre meshtarake me një sjellje të pamoralshme shumë të rëndë. Masa disiplinore për fajtorët dhe krijimi i një ambienti të sigurtë për të mbrojtur të rinjtë: kjo është rruga e zgjedhur nga ipeshkvijtë amerikanë, por Papa shkon edhe më tej:
“Nëse duam që këto masa të arrijnë qëllimin e plotë, duhet që të vendosen në një kontekst më të gjerë. Fëmijët kanë të drejtë të rriten duke e kuptuar drejt seksualitetin dhe rolin e tij në marrëdhëniet njerëzore. Atyre nuk duhet t’u paraqiten shfaqjet degraduese dhe manipulimi vulgar i seksualitetit që sot mbizotëron; ata kanë të drejtë të edukohen sipas vlerave morale të rrënjosura në dinjitetin e njeriut. E kjo na shtyn të vemë në qendër familjen e të promovojmë Ungjillin e jetës. Ç’do të thotë të flasësh për mbrojtjen e fëmijëve, kur pornografia dhe dhuna mund të shihen në kaq shumë gjëra përmes mas mediave, aq shumë të përhapura sot? Me urgjencë, duhet të riafirmojmë vlerat që e mbajnë shoqërinë, që t’u ofrojmë të rinjve e të rriturve një formim të qëndrueshëm moral”.
Duke cituar Papën Gjon Pali II, Benedikti XVI kujtoi se në rastin e shpërthimit të shkandullit të abuzimeve seksuale në kishën amerikane, paraardhësi i tij pati thënë se duhet të kemi besim se kjo kohë spastrimi në gjirin e Kishës Katolike do të sjellë meshtarë më të shenjtë, ipeshkvij më të shenjtë e një Kishë më të shenjtë. Edhe këtu, ipeshkvijtë kanë për detyrë të jenë udhëheqës të denjë të meshtarëve të tyre, t’i shtyjnë të imitojnë Krishtin e të shenjtërojnë jetën, të luten, sepse – theksoi Papa – koha e kaluar në lutje nuk është kurrë kohë e humbur, sado të rëndësishme të jenë detyrat që ushtrojnë presion nga çdo anë.
Ipeshkvijtë amerikanë i bënë Atit të Shenjtë pyetje që kishin të bënin me sfidat e shekullarizimit e me relativizmin intelektual, me atë proces të heshtur, në të cilin katolikët dalëngadalë largohen nga kisha dhe nga identifikimi i tyre me të, si edhe për rënien e thirrjeve për meshtari. Po citojmë diçka nga përgjigjet e Papës Benedikti XVI.
Përsa i përket shekullarizmit të shoqërisë amerikane, Ati i Shenjtë vuri në dukje se si njerëzit kanë filluar të jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte, pavarësisht se respektojnë rolin e Kishës e liritë fetare të individit.
“…shekullarizmi e sfidon Kishën që të ripohojë e të ndjekë edhe më aktivisht misionin e saj në e për botën. Siç është bërë e qartë në Koncil, laikët kanë një përgjegjësi të veçantë për këtë. Jam i bindur se është i nevojshme një kuptim më i mirë i marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë ndërmjet Ungjillit e ligjit natyror nga njëra anë, dhe ndjekjes së të mirës së përbashkët të njeriut, ashtu siç mishërohet nga ligji civil dhe vendimet morale personale, nga ana tjetër”.
E një nga sfidat është edhe largimi i heshtur i katolikëve nga kisha. E këtu, Papa, pavarësisht se vë në dukje shkaqe si individualizmin fetar e shkandullin që ka përjetuar kisha amerikane, vë sërish gishtin mbi plagë:
“Të shkojmë në thelb të çështjes: feja nuk mund të mbijetojë nëse nuk ushqehet, nëse “nuk vepron përmes bamirësisë e dashurisë”. Njerëzit e kanë sot të vështirë të takojnë Zotin në kishat tona? Predikimi ynë ndoshta e ka humbur kripën? A nuk varet kjo nga fakti se shumë kanë harruar e madje nuk kanë mësuar kurrë si të luten në e me Kishën? …feja e krishterë është kryesisht kishtare e pa lidhjen e gjallë me bashkësinë, feja e individit nuk do të arrijë kurrë pjekurinë e vet”.
Feja nuk është diçka thjesht private, nënvizoi edhe një herë Papa, duke u kërkuar ipeshkvijve të gjejnë mënyra të reja për të shpallur Lajmin e Mirë të shëlbimit në shoqërinë amerikane. E me sinqeritet, theksoi se fakti që një Kishë ka shumë thirrje për meshtarë është shenjë e vitalitetit të saj. Për pasojë, ulja e numrit të thirrjeve tregon se vetë kisha nuk lutet aq sa duhet për vokacionet. Por Ati i Shenjtë sqaroi se e kishte fjalën edhe për lutjen në përgjithësi, atë në familje, në programet e formimit të krishterë, për lutjen që na ndihmon të njohim vullnetin e Zotit për jetën tonë. Më pas, Benedikti XVI nënvizoi nevojën e formimit të shëndoshë intelektual të kandidatëve për meshtarë dhe të lënies mënjanë të ndarjeve të kota brenda kishës.
Në fund të takimit me ipeshkvijtë amerikanë, Papa Benedikti XVI i dhuroi ipeshkvit të Nju Orleansit një kelshenjt, në kujtim të punës së madhe të kishës me të shpërngulurit e uraganit Katerina në shtator të vitit 2005.
Në orën 19. 30 me orën vendase, 01. 30 me orën evropiane, Benedikti XVI u kthye në nunciaturën apostolike, ku kaloi natën.
Sot, 17 prill, do të kryesojë Meshën Shenjte në National Stadium (Nejshënell Steidium) të kryeqytetit, për të takuar, pasdite, botën universitare katolike, ndërsa në mbrëmje, përfaqësuesit e feve të tjera.

 

  







All the contents on this site are copyrighted ©.