2008-04-17 16:15:46

Në komunikatën e përbashkët të Papës e Presidentit Bush: lufta kundër terrorizmit, duke respektuar njeriun dhe të drejtat e tij.


(17.04.2008 RV)Në një komunikatë të përbashkët, publikuar dje, në përfundim të takimit privat të Benediktit XVI me Presidentin Xhorxh Bush në Sallën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, të dyja palët ripohojnë mospranimin e plotë të terrorizmit, si shprehje e përdorimit të fesë për të përligjur veprimet imorale dhe ushtrimin e dhunës kundër njerëzve të pafajshëm. Në luftën kundër terrorizmit – nënvizohet – është e nevojshme të përdoren mjete të përshtatshme, që respektojnë njeriun dhe të drejtat tij.Gjatë bisedimit privat – vijon komunikata – Ati i Shenjtë dhe Presidenti i kushtuan shumë kohë Lindjes së Mesme, posaçërisht zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez, në përkim me idenë e ekzistencës së dy shteteve, njëri pranë tjetrit, në paqe e siguri; ndihmës reciproke për sovranitetin e Libanit dhe shqetësimit të përbashkët për Irakun, duke pasur mirë parasysh situatën e pasigurt të bashkësive të krishtera në zonë. U mbështet prania masive e bashkësive të krishtera arabe në SHBA, të cilat përbëhen pikërisht nga libanezë e irakianë. Një argument tjetër, që u prek gjatë bisedës së Papës Racinger me Presidentin Bush, ishte edhe ai i situatës në Amerikën Latine, duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë posaçërisht emigrantëve dhe nevojës së një politike të koordinuar lidhur me emigracionin, trajtimin njerëzor të emigrantëve dhe mirëqenien e familjeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.