Papa Benedikti XVI kremtoi 81-vjetorin e ditëlindjes: për shumë vjet!
Papa Racinger lindi në Marktl am Inn, në dioçezën e Passaut (Germani) më 16 prill
1927. I jati, komisar i xhandarmërisë, vinte nga një familje e lashtë bujqish të Bavierës
së poshtër. Si i kaloi vitet e adoloshencës në Traunstein, në vitet e fundit të
Luftës II Botërore u thirr në shërbim ushtarak e pikërisht në shërbimin ndihmës për
ruajtjen e hapësirës ajrore. Nga viti 1946 deri në vitin 1951, vit në të cilin,
u shugurua meshtar (29 qershor), filloi veprimtarinë e mësimdhënies, studioi filozofi
e teologji në Universitetin e Munihut dhe në shkollën e lartë të filozofisë e të teologjisë
të Freisingës. Në vitin 1953 mbrojti dizertacionin me temë: “Populli dhe shtëpia e
Zotit në Doktrinën e Kishës sipas Shën Agostinit”, me të cilën fitoi titullin e doktorit
në teologji. Katër vjet më vonë mori titullin e doçencës së pavarur me punimin mbi
“Teologjinë e historisë së Shën Bonaventurës”. Pas dhënies së mësimit të Dogmatikës
e të Teologjisë themelore në Shkollën e lartë të Filozofisë e të Teologjisë të Freisingës,
vijoi të jepte mësim në Bon, nga vitet 1959- 1969; në Munster, nga 1963 deri më 1966;
e në Tubingë nga 1966 deri më 1969. Në këtë vit u bë professor i Dogmatikës dhe i
Historisë së dogmave në universitetin e Regensburgut si dhe zëvendës- drejtor i të
njëjtit universitet. Ndërkaq, që nga viti 1962, fitoi famë ndërkombëtare duke folur,
si këshilltar teologjik i kryipeshkvit të Këlnit, kardinalit Joseph Frings, në Koncilin
II të Vatikanit, ku dha një kontribut të shquar. Ndër botimet e shumta, një vend
të posaçëm zënë “Hyrje në krishtërim”, përmbledhje e mësimeve universitare mbi praktikimin
e fesë apostolike, publikuar në vitin 1968; “Dogma e zbulime”, antologji me studime,
predikime e reflektime, kushtuar punës baritore, dalë nga shtypi më 1973. Jehonë të
madhe pati edhe ligjërata që mbajti pranë Akademisë Katolike Bavareze me temë: “Jehonë:
Pse jam akoma në Kishë?”, në të cilën pohonte: “vetëm në Kishë është e mundur të jesh
i krishterë, e jo pranë Kishës”. Vitit 1985 i përket vëllimi “Raport mbi fenë”: 1996-të,”
Kripa e tokës”. Më 24 mars 1997 Pali VI e emëroi Kryeipeshkëv të Munihut dhe Freisingës. U
shugurua me 28 maj të të njëjtit vit. Ishte prifti i parë dioqezan që merrte në duar,
pas 80 vjetësh, drejtimin baritor të dioqezës së madhe bavareze. U krijua kardinal
nga Pali VI në Koncistorin e 27 qershorit 1977, me titujt e Shën Marisë Ngushëlluese
në Tiburtinë, të Kishës Suburbikare të Veletri- Senjit (5 prill 1993) dhe të Kishës
Suburbikare të Osties (30 nëntor 2002). Ishte relator në Asamblenë e përgjithshme
te Sinodit te Ipeshkvijve (1980) me temë: “ Detyrat e familjes së krishterë në botën
bashkëkohore”, si dhe kryetar-delegat i Asamblesë VI sinodale (1983) ku foli mbi temën
“ pajtimi e pendesa në misionin e Kishës”. Më 25 nëntor 1981 u emërua nga Gjon
Pali II Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë; Kryetar i Komisionit Biblik dhe
i Komisionit Teologjik Nderkombëtar. Më 5 prill 1993 u bë anëtar i Urdhërit të
Kardinajve- Ipeshkvij, me titull të Kishës Suburbikare të Veletri-Senjit. Më 6
nëntor 1998 u zgjodh zëvendës – dekan i Kolegjit kardinalor. Më 30 nëntor 2002 Ati
i Shenjtë miratoi zgjedhjen e tij, me kërkesë të kardinajve të urdhërit të ipeshkvijve,
si Dekan i Kolegjit kardinalor. Ka qenë Kryetar i Komisionit për përgatitjen e
Katekizmit të Kishës katolike, i cili pas gjashtë vjet pune (1986-1992) ia paraqiti
Katekizmin e ri Atit të Shenjtë. Nga 10 nëntori i vitit 2000 është akademik nderi
i Akademisë Papnore të Shkencave. Dha ndihmesë të shquar si anëtar: i Këshillit
të Seksionit II të Sekretarisë së Shtetit;i Kongregatave: për Kishat Lindore, për
Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, për Ipeshkvijtë, për Ungjillëzimin e popujve,
për Edukimin Katolik; i Këshillave papnore: për nxitjen e bashkimit të të krishterëve;
të Kulturës, i Komisioneve papnore: për Amerikën Latine dhe Ecclesia Dei”. U zgjodh
papë më 19 prill 2005; e filloi shërbimin e tij baritor si Kryebari i Kishës Katolike
Universale më 24 prill 2005, me emrin papnor Benedikti XVI.