2008-04-16 18:37:27

Nga përshëndetja e presidentit të SHBA, Xhorxh Bush drejtuar Papës.


RealAudioMP3 Presidenti amerikan Bush e nisi fjalimin e tij drejtuar Benediktit XVI duke e falënderuar për praninë në qytetin e Shën Agostinit, pikërisht në 81-vjetorin e ditëlindjes dhe i drejtoi përshëndetjen : “Pax tecum!” - Paqja qoftë me ju!
Ju vendosët ta vizitoni Amerikën në përvjetorin e ditëlindjes suaj – tha në vijim presidenti Bush – në një ditë që zakonisht kalohet me miqtë e ngushtë. E ndjejmë veten shumë të nderuar që po e kaloni me ne. Ju urojmë gjithçka ju dëshiron zemra.
Gjatë këtij shtegtimi të parë në SHBA, që nga fillimi i papnisë suaj, ju do të vizitoni dy qytete të mëdha të vendit e do të takoni shumë amerikanë, disa nga të cilët kanë ardhur nga larg për të ndjekur kremtimet tuaja.
Do të gjeni një popull që lutet shpesh, që gjunjëzohet gjithnjë për ta falënderuar Krijuesin. Miliona amerikanë do t’ju ndjekin e do të luten për suksesin e vizitës suaj.
Si amerikanë, besojmë se vlera e një shoqërie matet me mënyrën si i trajton njerëzit më të ligshtë. SHBA përpiqen t’i përgjigjen kërkesës për t’i dhënë ushqim të uriturve, për të mbrojtur paqen, për të lehtësuar varfërinë e për të ngushëlluar të mjeruarit
Do të gjeni një komb që e jeton fenë në jetën publike, duke ecur mbi gjurmët e Etërve themelues, të cilët na lanë trashëgim një pasuri të pallogaritshme: besimin në Hyjin.
Besojmë, prandaj, në Zotin e besojmë edhe në lirinë e në ekzistencën e një ligji të shkruar në zemrën e çdo njeriu.
Do të gjeni një komb modern, luftëtar të së resë, plot fantazi krijuese.
Këtu feja e arsyeja bashkëjetojnë e janë forca jonë, prandaj Kombi ynë vijon të jetë fanar shprese për mbarë botën.
Do të gjeni zemra të hapura, për ta pritur mesazhin tuaj të shpresës, për të cilin kemi nevojë ne e ka nevojë mbarë bota.
Kemi nevojë për mesazhin tuaj që na kujton se ‘Zoti është dashuri” e se pranimi i kësaj dashurie është mënyra më e sigurtë për të mos rënë në kurthin e terrorizmit e të urrejtjes.
Kemi nevojë për mesazhin tuaj, që na kujton se çdo jetë është e shenjtë, se secili nga ne është i dashur e i rëndësishëm, në një botë ku ka njerëz që nuk janë më në gjendje ta dallojnë të mirën nga e keqja.
Kemi nevojë për mesazhin tuaj, që na fton ta luftojmë relativizmin, në një botë ku ka njerëz që mendojnë se mund të jetojnë vetëm për vetveten, gjë që na kujton se duhet t’i kundërvihemi egoizmit.Ju falënderojmë Atë i Shenjtë, për ardhjen mes nesh, për shembullin tuaj!
Ju kërkojmë të mos na harroni në lutjet tuaja!







All the contents on this site are copyrighted ©.