2008-04-16 19:15:13

Merkel: perspektiva evropiane e zgjerimit po formon baza për avancimin e vendeve të Ballkanit perëndimor.


Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që po zhvillohet në Strasburg, se "perspektiva europiane e zgjerimit, po formon bazat për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria dhe fqinjët e saj".
Deklarata e kancelares Merkel, ishte në përgjigje të pyetjes së kryetarit të delegacionit shqiptar në KE-së, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht zv. President i Asamblesë Parlamentare të KE-së lidhur me përshpejtimin e procesit të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në situatën e re të krijuar në Ballkanin Perëndimor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria dhe Kroacia, si dhe me shpresë shpejt nga Maqedonia.
Lidhur me Kosovën, Kancelarja gjermane, Merkel, konfirmoi se Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se situata në Kosovë ishte në të vërtetë unike dhe se Kosova paraqet një rast "sui generis".
Znj. Merkel iu drejtua sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës me një fjalim, si dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, anëtarë të kësaj Asambleje.







All the contents on this site are copyrighted ©.