365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(16.04.2008 RV)16 prill:
Takimi i përzemërt i Rikard Zemërluanit me Saladinin Jemi në vitin 1191.
Në fushimin e kryqtarëve, Rikard Zemërluani, mbreti i Anglisë, duket shumë i shqetësuar.
Ka ardhur çasti të merret vesh me armiqtë myslimanë, të udhëhequr nga Saladini. Në
vitin 1187 Saladini shpall ‘luftën e shenjtë’, xhihadin, për t’i flakur të krishterët
jashtë nga Toka Shenjte. Shtie në dorë Jeruzalemin e arrin fitore aq të mëdha, sa
të krishterët besojnë se u ka ardhur fundi. Por në vitin 1190 Papa nis të krishterë
të tjerë në ndihmë të kryqtarëve. U prijnë vetë mbretërit: mbreti i Anglisë, i Francës
dhe i Gjermanisë. Por tani i vetmi që ka mbetur akoma në Tokën e Shenjtë, është Rikard
Zemërluani, kryekomandant i ushtrive të krishtera. Me që Rikardi arrin disa fitore
të shkëlqyera, nuk duhej ta dëshironte paqen. Por mbreti i Anglisë ka vërejtur
prej kohe se të dyja ushtritë janë tepër të rraskapitura. Në fushat e betejave të
pandërprera kanë mbetur mijëra të vrarë nga të dyja palët. Është koha për t’i dhënë
fund masakrës. Por duhet zgjidhur një problem, që nuk është ashtu fare i lehtë: të
arrihet marrëveshja për paqe, pa prekur nderin e asnjërës nga palët ndërluftuese.
Të krishterët nuk duan në asnjë mënyrë ta braktisin Jeruzalemin, qytetin ku u kryqëzua
Krishti. Ndërsa Saladini nuk e ka aspak ndër mend t’ua dorëzojë kundërshtarëve, sepse
është qytet i shenjtë edhe për myslimanët. Si mund të zgjidhej një problem kaq i ndërlikuar?
Papritmas Rikardit i lind një ide pak si e çmendur, por gjithsesi e mirë: të martojë
të motrën, Gjovanën e Sicilisë, me të birin e Saladinit, Malik-al-Adil. Bashkëshortët
mund ta sundojnë së bashku Tokën Shenjte e të banojnë në Jeruzalem: kështu qyteti
do të mikpresë si myslimanët, ashtu edhe të krishterët. Kur Rikardi ia shpreh mendimin
e tij Saladinit, mbreti mysliman, çuditërisht, pranon menjëherë. Edhe ai, si Rikardi,
ka një zemër prej luani e i pëlqejnë shumë guximtarët, posaçërisht kur kanë shpirt
fisnik. Ideja për t’i dhënë fund kësaj lufte gjakatare me një martesë, i duket rrugëzgjidhje
e shkëlqyer.E shkëlqyer, por e parealizueshme. Mbretëresha Gjovana nuk pranon kurrsesi
të bëhet e reja e Saladinit. Mund edhe të pranojë, por me një kusht: që Maliku të
kthehet në fenë e krishterë. Por as ai nuk e pranon një kusht të tillë. Dëshiron të
ndjekë fenë e të parëve. Megjithë këto ngatërresa, që duken të pazgjidhshme, Rikardi
e Saladini vijojnë të punojnë pa u lodhur për paqen. Më 2 shtator 1192 marrëveshja
arrihet. Të krishterët mbajnë një pjesë të Tokës Shenjte gjatë bregdetit; Jeruzalemi
mbetet në duart e myslimanëve, me kusht që shtegtartë e krishterë të hyjnë lirisht
në qytetin shenjt, duke pasur parasysh se janë të paarmatosur... Falë fisnikërisë
kalorsiake të të dyja palëve, të dy krerëve, që respektoheshin, ndonëse luftonin njëri
kundër tjetrit, Toka Shenjte nis të gëzojë paqen aq të dëshiruar. Kjo do të zgjaste
deri në fund të mbretërisë frënge të Jeruzalemit, pesëdhjetë vjet pas këtyre ngjarjeve
që sapo i treguam.