2008-04-15 23:11:48

Papa Racinger arriti në Uashington, i pritur nga Presidenti Xhorxh Bush dhe zonja Laura Bush.


(15.04.2008 RV) Boeingu 777 i Alitalias “Shepherd One”, me të cilin udhëtonte Benedikti XVI, arriti në Bazën Ajrore Andrews në Uashington pak më shpejt se ora 22.00, që ishte parashikuar.
Kishte dalë për ta pritur presidenti i SHBA me bashkëshorten, Laura dhe të bijën, Jenna. Për herë të parë në historinë e presidencës së tij, Xhorxh Bush del të presë një personalitet në aeroportin e Uashingtonit.
Presidenti i SHBA i shtrëngoi dorën Papës e më pas përshkuan së bashku qilimin e kuq, përgatitur për këtë rast. Benedikti XVI përshëndeti familjen Bush, ambasadoren e SHBA pranë Selisë së Shenjtë, Mery Ann Glendon, anëtarët e presidencës së Konferencës ipeshkvnore amerikane, kryesuar nga kardinali Frensis Xhorxh, kryeipeshkvin e Uashingtonit, Donald Uerl dhe autoritetet e tjera të larta të Kishës amerikane.
Papa u prit me duartrokitje e brohoritje të pandërprera nga studentët e shkollave katolike vendase, të pranishëm në aeroport, në mes të një turme prej rreth njëmijë vetësh, në sa ceremoninë e ndiqnin qindra gazetarë, fotografë e kineoperatorë. Nga baza ajrore Andrews, Papa u nis menjëherë drejt selisë së Nunciaturës, ku do të kalojë natën.
Kujtojmë se Benedikti XVI u nis sot, në orën 12.00, nga aeroporti romak i Fiumiçinos drejt Uashingtonit, për një shtegtim gjashtë ditor në tokën amerikane, i teti i papnisë. Për ta përcjellë, në aeroport doli ish-kryeministri italian, Romano Prodi.
Veprimtaritë e shtegtimit, tepër të ngjeshura, do të fillojnë nesër, në 81-vjetorin e ditëlindjes së Papës Racinger, me Meshën Shenjte të kremtuar në Kapelën e Nunciaturës Apostolike të Uashingtonit. Më pas, vizita në Shtëpinë e Bardhë, biseda me Presidentin e SHBA Xhorxh W. Bush dhe dreka e ditëlindjes me kardinajtë amerikanë në Nunciaturë.
Pasdite Papa do të takohet me përfaqësues të fondacioneve katolike dhe së fundi, kremtimi i Lutjeve mbrëmësore me ipeshkvijtë e SHBA në Shenjtëroren e Zojës së Papërlyer të Uashingtonit, gjatë së cilës Papa do të mbajë një fjalim. Në mbrëmje Shtëpia e Bardhë do të organizojë një banket, ku Papa nuk do të jetë i pranishëm.
Gjatë konferencës tradicionale të shtypit në avionin papnor, Benedikti XVI preku menjëherë problemet që priteshin: së pari, atë të shkandullit të shpërdorimeve seksuale të kryera në dëm të të miturve nga ana e disa meshtarëve e ipeshkvijve. “Më vjen shumë turp – tha Papa Racinger. Pedofilia – shtoi më pas – është e papajtueshme me misionin meshtarak: më mirë të kemi priftërinj të mirë, sesa të shumtë. Ipeshkvinjtë amerikanë do të bëjnë ç’është e mundur për t’i shëruar plagët, duke i ndihmuar e duke i asistuar viktimat.
Bendikti XVI i vlerësoi SHBA, duke i quajtur model në marrëdhëniet ndërmjet fesë e shtetit, frymëzuar nga një koncept pozitiv i laicitetit. Natyrisht – shtoi Ati i Shenjtë – nuk mund ta importojmë këtë model në kontekstin evropian, megjithatë duhet marrë si shembull e duhet imituar. Papa kujtoi edhe fjalimin e shumpritur që do të mbajë në OKB paraditën e 18 prillit, gjatë të cilit do t’u bëjë thirrje kombeve të botës ta bazojnë çdo veprim politik mbi të drejtat e njeriut dhe mbi parimet që nuk mund të vihen në diskutim. Diplomacia ndërkombëtare – sipas Papës – duhet t’i ketë rrënjët në të drejtat e njeriut, vlera të padiskutueshme, themelore për të gjitha kulturat, të shkruara në zemrën e të gjithë njerëzve.
Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të zhvillohet nesër, për t’i krijuar Papës kushtet që të pushojë pas një udhëtimi kaq të gjatë. Filloi kështu shtegtimi i tetë apostolik i Papës Racinger në SHBA, me temë “Krishti shpresa jonë’.







All the contents on this site are copyrighted ©.