2008-04-15 18:46:50

Një televizion publik rus do të transmetojë, me rastin e ditëlindjes së Papës, një dokumetar me mesazhin e Atit të Shenjtë drejtuar rusëve.


(15.04.2008 RV)Me rastin e ditëlindjes së Papës, një emitente publike ruse do të transmetojë, për herë të parë, një dokumentar kushtuar Benediktit XVI, biografia e të cilit njihet pak nga rusët. Në videon, regjistruar pak muaj më parë në Vatikan, Ati i Shenjtë u drejton një përshëndetje popullsive ruse, duke uruar që ipeshkvijtë katolikë dhe bashkësitë e tyre, në të gjitha trojet e Rusisë , “të jenë përherë përplot me zjarrin e fesë”. “Njerëzit që janë në kërkim të lumturisë – pohohet në mesazhin e Benediktit XVI – vetëm në Hyjin mund ta gjejnë përgjigjen e plotë e përfundimtare”.
Në këtë mesazh drejtuar rusëve, Benedikti XVI nënvizon madhështinë e Rusisë në shumë aspekte: “në përmasat e pafundme të trojeve të saj, në historinë e gjatë, në përshpirtërinë e thellë, në pasurinë e madhe artistike”. Më pas Papa Racinger kujton dritë-hijet e historisë ruse: sa dramatike – nënvizon Ati i Shenjtë – kanë qenë disa nga ngjarjet që jetoi populli rus, posaçërisht gjatë mijëvjeçarit të kaluar. Njëqind vjet luftërash, shkatërrimesh, totalitarizmash. Kapituj të trishtë, që i patën rrënjët në mohimin e Zotit. Por hijet e frikëshme që errësuan horizontin e Kontinentit evropian, u munden nga dritat e vezulluese. Janë - sqaron Papa - dritat e martirëve të shumtë katolikë, ortodoksë e të besimtarëve të tjerë, që ranë gjatë persekutimeve të pamëshirshme. Kjo dashuri për Krishtin, deri në martirizim, që i bashkon të krishterët katolikë me ata ortodoksë, tregon sa urgjent është bashkimi i gjithë të krishterëve. Lutja që Jezusi u drejtoi dishepujve të vet në Çenakull – kujton Papa – na detyron të gjithëve të kërkojmë rrugët më të përshtatshme për zhdukjen e tensioneve ekzistuese, duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme; sidomos duke dendësuar lutjen për bashkimin në një fe të vetme. Në këtë drejtim – nënvizon Benedikti XVI - po ecin Kisha katolike e Kisha ortodokse ruse. Të frymëzuar nga Shpirti Shenjt – shpjegon Papa - dëshirojmë të ndërtojmë një shoqëri, ku të mbrohen vlerat e jetës, të dinjitetit të njeriut e të familjes. Të bashkuara, Kishat e Lindjes e të Perëndimit – pohon në fund Benedikti XVI – mund ta thonë me sukses një fjalë të re, posaçërisht në Evropë, në mënyrë që, besnike ndaj identitetit të saj, ta ndërtojë ardhmërinë pa u shkëputur nga rrënjët e krishtera.








All the contents on this site are copyrighted ©.