2008-04-15 18:56:41

Emergjenca ushqimore: Flet përgjegjësi i dikasterit ndërkombëtar të Karitasit italian


(15.04.2008 RV)RealAudioMP3 I rikthehemi edhe një herë krizës ushqimore, pasi po shndërrohet në një emergjencë të vërtetë globale. Miliona njerëz, vë në dukje Banka Botërore, rrezikojnë të vdesin nga uria. T’u sigurosh njerëzve ushqimin nuk është vetëm një impenjim etik, por është një përpjekje e nevojshme për të ruajtur qëndrueshmërinë e planetit. Në mikrofonin tonë përgjegjësi i dikasterit ndërkombëtar të Karitasit Italian, Paolo Beçegato:
Pulsi që ndjejmë nga kishat lokale, nga Karitasi në këto vende e nga misionarët është ai i një fenomeni jo kalimtar, jo i kufizuar në disa zona, por fatkeqësisht i vazhdueshëm që prej disa muajsh. Është një fenomen që rrezikon të zgjatet në kohë e të përhapet. Kemi përshtypjen se është i lidhur me shumë arësye e një prej tyre është vendimi politik për të investuar shumë për energjitë e rinovueshme, si biokarburantet. Një vendim i tillë, sjell në kohë të shkurtra reduktimin e rezervave dhe si pasojë, rritjen e çmimeve.
Cilat janë sipas jush, masat që duhet të merren?
Përsa i përket emergjencës, sinjalet që arrijnë kanë të bëjnë me personat që varen nga ndihmat humanitare, si refugjatët dhe të varfërit. Është pra e nevojshme të ndërhyhet me urgjencë në këto situata limite. Në afate të mesme e të gjata është e nevojshme që të punohet për të ndryshuar prirjen. Para së gjithash, të rritet prodhimi, në mënyrë që reduktimi i rezervave të mos bëhet dramatik. Sot për sot, situata është nën kontroll, sepse po përdoren rezervat. Por do të vijë dita që do të mbarojnë edhe ato. Së dyti, është e nevojshme të rritet sasia dhe cilësia e ndihmave për zhvillimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.