2008-04-15 18:44:43

Benedikti XVI në udhëtim drejt Uashingtonit, për shtegtimin e tetë apostolik me temë “Krishti shpresa jonë’. Kardinali Xhorxh na flet për shpresat e kësaj vizite.


(15.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në orën 12.00, Papa u nis nga aeroporti romak i Fiumiçinos drejt Uashingtonit, ku do të arrijë pas pak, e pikërisht në 16. 00 me orën vendase, 22. 00 me orën evropiane. Për ta përcjellur, në aeroport doli ish-kryeministri italian, Romano Prodi.
Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të zhvillohet nesër, për t’i krijuar, kështu, Papës, kushtet që të pushojë pas një udhëtimi kaq të gjatë.
Ati i Shenjtë do të pritet nga presidenti i SHBA, Xhorxh W. Bush dhe bashkëshortja, Laura. Natyrisht në aeroport do të dalin edhe anëtarët e presidencës së Konferencës ipeshkvnore amerikane, kryesuar nga kardinali Frensis Xhorxh dhe kryeipeshkvi i Uashingtonit, Donald Uerl.
Të shumta janë shpresat e këtij shtegtimi apostolik në SHBA. Për interesimin e madh të amerikanëve e posaçërisht të katolikëve, ju ftojmë të ndiqni reflektimin e kardinalit Frensis Xhorxh, kryeipeshkëv i Çikagos dhe kryetar i Konferencës së ipeshkvijve amerikanë - në mikrofonin tonë:

Pyetje: - Dihet se Benedikti XVI i kushton vëmendje të veçantë problemeve e sfidave që duhet të përballojë Kisha në Evropë. Mendoni se Papa i kupton e i vlerëson po aq edhe problemet e shqetësimet e amerikanëve?

Përgjigje: - I think he appreciates it and understands it, he knows that the pattern of …
Besoj se Ai i kupton dhe i vlerëson: e di se modeli i shekullarizimit, i pranishëm tek ne, është shumë i ndryshëm nga ai evropian, sepse edhe historia ndryshon. Papa është edhe historian, prandaj jam i sigurtë se i kupton fare mirë ndryshimet dhe e vlerëson rolin e SHBA në botë; në radhë të parë, anën pozitive të këtij roli - edhe pse që kur ishte i ri, e pa me sytë e tij sesi ushtarët amerikanë ia liruan familjen nga regjimi nazist. Por e njeh mirë edhe anën negative, dmth, i njeh të gjitha gabimet që kemi bërë. Besoj se të gjitha këto do t’i shpjegojë nën dritën e fesë apostolike e do të na ndihmojë t’i shqyrtojmë deri në fund.

Pyetje: - Ju, së bashku me të gjithë ipeshkvijtë e tjerë, do të takoheni me Papën në Shenjtëroren e Zojës së Papërlyer. Cilat nga problemet tuaja mendoni se do të prekë më shumë Papa?

 
Përgjigje – Well, first of all there’s his birthday and so we’ll congratulate him and ourselves …
Para së gjithash, më 16 prill është ditëlindja e tij; prandaj së pari do t’i bëjmë urimet atij e do të urojmë edhe veten tonë: do të falënderojmë Hyjin për hirin që na bëri duke na e dhuruar, sepse Papa në radhë të parë është kryebariu ynë... Pastaj argumentet që Papa do të trajtojë, besoj se do të lidhen me traditën e fesë apostolike, e cila paraqet një sfidë për çdo brezni në një botë që ndryshon: me fjalë të tjera, do t’u tregojë njerëzve, më mirë se ne të gjithë, se kush është Jezusi. E këtë duhet ta bëjë në kontekstin e një Kishe thellësisht të plagosur nga krimi i tmerrshëm e mëkati i madh i shpërdorimeve seksuale të kryera në dëm të të miturve nga ana e disa meshtarëve e ipeshkvijve. Sigurisht do të flasë edhe për këtë, besoj. Ndoshta do të flasë edhe për klimën e përgjithshme të shoqërisë, në të cilën ne shkojmë të predikojmë Ungjillin. Pastaj për kërcënimet ndaj familjes, shkatërrimin e martesave, edhe të martesave katolike, mënyrën si kuptohet seksualiteti njerëzor: tema këto të prekura gjithnjë nga Papa. Por tani besoj se do t’i kujtojë në mënyrë që të na impenjojë të gjithëve, me terma krejt të qarta. Ai e ka plotësisht aftësinë t’u flasë të gjithëve; e këtë e dëshmojnë dy enciklikat e tij të para të cilat, për çudi, vunë në plan të parë mendimin e tij, para vendimeve, siç ndodhte kur ishte prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Mendoj se Papa do të krijojë edhe në këtë drejtim rrethanat e përshtatshme, që do të na ndihmojnë t’i shqyrtojmë problemet tona, disa nga të cilat janë universale, të tjerat, të veçanta për këtë vend. Parë në dritën e fesë.

Si zakonisht në rastet e shtegtimeve apostolike, Benedikti XVI i dërgoi telegrame të gjithë kyetarëve të shteteve të vendeve mbi të cilat fluturoi avioni në udhëtim.
Presidentin Italian Gjorgjo Napolitano Papa e siguron se “lutet për mirëqenien shpirtërore e shoqërore të popullit italian”.Nga ana e tij, presidenti Napolitano shpreh besimin se “mesazhi i paqes dhe i solidaritetit ndërmjet popujve”, që do të përçojë Benedikti XVI, do të pritet me emocion e do të pranohet për vlerat e tij të thella”. Në mesazhin e Kuirinales, Presidenti i quan SHBA “vend që vë në qendër të jetës vlerat fisnike të demokracisë e të lirisë e që është i thirrur të luajë një rol tepër të rëndësishëm në jetën ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.