2008-04-15 18:49:02

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(15.04.2008 RV)RealAudioMP3 15 prill: Urdhëri i Shën Gjonit të Jeruzalemit – urdhër i murgjërve ushtarë , që mbrojnë shtegtarët.
Një burrë troket në portën e spitalit. Pastaj shembet përdhe, sepse nuk ka më fuqi të qëndrojë në këmbë. Ia beh menjëherë murgu rojtar i portës.
“Jam shtegtar e kam ardhur në këmbë nga Franca. Kur arrita në Jeruzalem, u sëmura, e….”.
Burrit, që i trokiti portës, i bie të fikët e nuk ndjen asgjë kur e mbartin me kujdes brenda spitalit. Nuk e merr veten as kur murgjërit i bëjnë një banjo të ngrohtë, për ta pastruar nga pluhurat e rrugës e për ta shpëtuar nga rreziku i ndonjë sëmundjeje ngjitëse. Pas banjos e vendosin në një krevat të pastër e murgu farmacist e viziton me kujdesin më të madh. Pastaj shkon të marrë ilaçin, për të cilin ka nevojë. Disa orë më vonë, shtegtari zgjohet. Rrotullon sytë e shikon, aty pranë, një murg të Urdhërit spitalor të Shën Gjonit.
“Pas pak ditësh do të shëroheni. Tani pushoni e gëzohuni që arritët në Jeruzalem. E di se nuk ishte aspak e lehtë. Qetësohuni, prandaj. Ka kush mendon për ju: ne i mjekojmë të gjithë shtegtarët e sëmurë ose të plagosur. E s’janë të pakët, sepse rruga nga Evropa deri këtu është tepër e gjatë. Pastaj saraçenët nuk tregohen aq mikpritës, kur takojnë udhës të krishterë!”.
“Kam dëgjuar se ju, përveçse mjekë, jeni paksa edhe ushtarë e se keni edhe fortesa. Është e vërtetë?”.
Infermieri vë buzën në gaz.
“Në radhë të parë jemi murgjër, murgjër që u shërbejnë të sëmurëve. Por kohët e fundit shumë nga kryqtarët janë kthyer në Evropë. Kështu në Jeruzalem e ndër viset e tjera të shenjta kanë mbetur pak kalorës për t’i mbrojtur shtegtarët. E në se nuk do të ishin zëvendësuar, asnjë i krishterë nuk do të mund ta shkelte Tokën Shenjte. Do të ishin dëbuar që të gjithë. Kështu pra, na duhet t’i mbrojmë: ju kanë thënë të vërtetën. Ndërmjet tjerash, shumë nga murgjërit tanë e njohin fort mirë mjeshtërinë e përdorimit të armëve, sepse kanë lindur në familje kalorësish”.
Kjo bisedë zhvillohet aty nga fundi i shekullit XII. Urdhëri i Shën Gjonit të Jeruzalemit ekziston prej më se njëqind vjetësh. Por megjithëkëtë, saraçenët vijojnë të shtyhen gjithnjë më thellë në trojet e shenjta: me kalimin e shekujve murgjërit kalorës detyrohen të sprapsen e, në vitin 1523, dëbohen edhe nga Rodi, kështjella e tyre e fundme. Strehohen në ishullin e Maltës, në qendër të Mesdheut, ku vijojnë veprimtarinë e tyre spitalore e, për fat, tani nuk u duhet më të mbajnë në një dorë bisturinë e në tjetrën shpatën. Sot, Urdhëri i Shën Gjonit, që njihet si Urdhër i Kalorësve të Maltës, zhvillon veprimtari nga më të ndryshmet në të katër anët e botës; jep ndihmë të shpejtë, përgatit vullnetarë, ndërton spitale, asiston të varfërit e njerëzit me të meta fizike. Eshtë, pra, edhe sot e kësaj dite, një Urdhër jashtëzakonisht aktiv.







All the contents on this site are copyrighted ©.