2008-04-12 18:35:19

U kremtua sot Dita botërore e lutjes për thirrjet meshtarake. Benedikti XVI, në mesazhin e rastit, i fton bashkësitë e krishtera t’ia kumtojnë Krishtin gjithë botës.


(13.04.2008 RV)“Çdo i krishterë është i thirrur ta dëshmojë e ta kumtojë Ungjillin, në një botë ku një shumicë e madhe njerëzish nuk kanë pasur mundësinë të takohen me Jezusin”. Kështu shkruan Papa në Mesazhin e Ditës botërore të lutjes për thirrjet meshtarake me temë: “Thirrjet në shërbim të Kishës-mision”, që u kremtua sot.
Papa e nis Mesazhin, duke kujtuar fjalët e Krishtit: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, duke pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Kisha – shkruan Benedikti XVI – është misionare në tërësi e në çdo gjymtyrë të saj. Por – saktëson - në se në fuqi të sakramenteve të Pagëzimit e të Krezmimit, çdo i krishterë është i thirrur ta dëshmojë e ta kumtojë Ungjillin, përmasa misionare lidhet posaçërisht e ngushtësisht me thirrjen për rrugën e meshtarisë.
Benedikti XVI nënvizon se dashuria e Krishtit u duhet komunikuar vëllezërve me shembull e me fjalë. Më pas falënderon misionarët, që e kumtojnë Krishtin dhe mbarështojnë sakramentet, duke rrezikuar edhe jetën, si Mësuesi Hyjnor, në viset e botës ku vijon persekutimi. Vihen në shërbim të njerëzve të vegjël, të sëmurë, të vuajtur, të varfër e të atyre që kalojnë çaste të vështira. Japin, kështu, dëshmi prekëse, që mund të frymëzojnë shumë të rinj për ta ndjekur Krishtin e për ta shkrirë gjithë jetën për të tjerët, duke gjetur jetën e vërtetë. Kështu, përmes meshtarëve të tij, Jezusi bëhet i pranishëm ndërmjet të gjithë njerëzve të sotëm, deri në skajet më të largëta të tokës.







All the contents on this site are copyrighted ©.