2008-04-12 18:35:34

Amerikanët në pritje të arritjes së Benediktit XVI dhe të fjalëve të tij.


(13.04.2008 RV)Do t’i çoj popullit amerikan dhe Kombeve të Bashkuara, mesazhin e shpresës së krishterë: në këto fjalë Benedikti XVI përmblodhi, në një videomesazh që u paraqit të martën e kaluar në Sallën vatikanase të Shtypit, domethënien e shtegtimit të tij të tetë apostolik ndëkombëtar, i pari në SHBA.

“Bota ka nevojë, më shumë se kurrë, për shpresë: shpresë për paqe, për drejtësi, për liri, por nuk mund ta realizojë këtë shpresë, në se nuk i bindet ligjit të Hyjit, që Krishti e përmbushi me urdhërimin për ta dashur njëri-tjetrin”. Ky është një nga fragmentet kryesore të videomesazhit të Benediktit XVI drejtuar popullit të SHBA, një javë para fillimit të shtegtimit të tij apostolik në trojet amerikane. Ndonëse do të vizitojë vetëm dy qytete, Uashingtonin e Nju Jorkun, Papa dëshiron t’i rrokë shpirtërisht të gjithë katolikët, që jetojnë në SHBA. “Zemra ime – rrëfen Ati i Shenjtë – do të jetë pranë të gjithëve, posaçërisht pranë të sëmurëve, të vegjëlve, të braktisurve.

Shpresa ungjillore dhe të drejtat e njeriut, në qendër të shtegtimit të Benediktit XVI në SHBA: e nënvizoi këtë kardinali Bertone sekretar i Shtetit të Vatikanit, në një intervistë dhënë televizionit amerikan Foks Njuz (Fox News). Hirësia e Tij foli gjatë mbi realitetin e Kishës amerikane, rolin e ndryshëm të feve në SHBA e në Evropë, mbi qëndrimin që do të mbajë Papa përballë shkandullit të shpërdorimeve seksuale nga njerëzit e Kishës, duke kërkuar, së bashku me ipeshkvijtë, rrugët e shërimit e të pajtimit dhe mbi mesazhin që do t’u transmetojë Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Shtetit të Vatikanit sqaroi se fjalimi i Papës do të përqendrohet kryesisht tek tema e të drejtave të njeriut, me theksin mbi karakterin unik e të pandarshëm të të drejtave themelore, që i kanë rrënjët në natyrën e njeriut, të krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit.

 
“Atmosferë pritjeje, e ngarkuar me shpresë”: kryeipeshkvi Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, e përmbledh kështu atmosferën që ndjehet në SHBA, një javë para arritjes së Benediktit XVI. Në një intervistë dhënë agjensisë SIR, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara u ndalua posaçërisht tek vizita e Papës në Pallatin e Qelqit më 18 prill. “Shumë diplomatë – theksoi - e ndjekin nga afër dhe e vlerësojnë qartësinë e mendimit të Atit të Shenjtë si dhe frymëzimin që buron prej tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.