2008-04-12 18:37:30

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(13.04.2008 RV)RealAudioMP3 13 prill: Toma, që zgjodhi miqësinë me Jezusin
Ishin miqtë më të mëdhenj, që mund të gjindeshin në botë. Enriku e Toma nuk ndaheshin kurrë. Enriku kishte temperament kolerik, merrte flakë menjëherë, ndërsa Toma, djalosh shumë tërheqës, përveçse i zgjuar e i ditur, ishte edhe tepër i matur. Plotësonin njëri-tjetrin në mënyrë të përkryer. Enriku ishte Enriku II, mbreti i Anglisë. Duke emëruar Tomën kancelar, e bëri njeriun më të rëndësishëm të mbretërisë. Pas mbretit, natyrisht. E kështu dy miqtë qeverisnin së bashku. Enriku ishte autoritar e i pëlqente shumë të sundote. Tani në Angli, vetëm një institucion i shpëtonte kontrollit të tij; Kisha, që varej drejtpërdrejtë nga papa.
Mendoi e shmendoi sesi ta shkëpuste Kishën nga Roma e më në fund i lindi ideja ta emëronte Tomën kryeipeshkëv të Kanterbërit, posti më i lartë në Kishën e Anglisë. Toma nuk i kishte thënë kurrë jo…. Miku i tij i ngushtë, menjëherë pasi të bëhej ipeshkëv, do të nënshkruante një ligj, përmes të të cilit do ta shpallte Enrikun kryetar të Kishës së Anglisë.
Plan i përsosur! Por Enriku harronte një hollësi: Toma ishte tepër besnik ndaj Hyjit e Kishës së tij. E këtë e tregoi me fakte. Nuk pranoi të bëhej vegël në duart e mbretit. I shpjegoi Enrikut se nuk mund t’i kundërvihej Zotit, në të cilin besonte ngultas, prandaj nuk e kishte aspak në mend t’i nënshtrohej mbretit e t’ia plotësonte dëshirën për ta vënë nën thembër edhe Kishën. Kisha duhet të mbetej e lirë. Miqësia ndërmjet dy njerëzve, që i lidhnin mijëra kujtime të përbashkëta, mori fund menjëherë. Toma u internua si tradhtar i mbretërisë. Si kaloi pesë vjet në Francë, u kthye rishtas në Kantërbëri me leje zyrtare nga vetë mbreti. Kështu, në vitin 1170, mundi të kryesonte kremtimet e Krishtlindjes në katedralen e tij aq të dashur. Banorët e Kantërbërit rendën me shumicë në Meshë, të lumtur që do ta shikonin përsëri ipeshkvin e tyre. Në sa besimtarët e donin dhe e vlerësonin jashtëzakonisht Tomën, mbreti e konsideronte të padenjë për këtë detyrë të lartë.
Disa ditë më pas, katër ushtarë, të dërguar nga Enriku, hynë me forcë në banesën e Tomës. E urdhëruan, duke i bërtitur sa munden, që t’i nënshtrohej mbretit. Po ipeshkvi nuk u tremb fare nga ushtarët, të cilët u detyruan të ikin të tërbuar. Pastaj këmbana ra për t’u kujtuar besimtarëve se ishte ora e uratëve të mbrëmjes. Toma u nis për në katedrale. Pa marrë parasysh rrezikun që e kërcënonte, dha urdhër që porta të mbetej e hapur, sepse Kisha është shtëpia e të gjithëve e askush nuk mund të mbyllet brenda. Lutja sapo kishte filluar, kur katër ushtarët u duken sërisht, iu sulën ipeshkvit dhe e mbytën.
Ditën tjetër të gjithë banorët e Kanterbërit u mblodhën për t’u lutur pranë trupit të Tomës, që për ta tashmë ishte shenjt!







All the contents on this site are copyrighted ©.