2008-04-11 18:17:30

Përhapet në botë lufta për bukë. Analiza jonë


(11.04.2008 RV)RealAudioMP3 Nga Haiti në Filipine e në të gjithë kontinentin afrikan, rritja e çmimit të bukës po shkakton një luftë të vërtetë, me viktima, të plagosur, protesta dhe greva. Lajmi i sotëm flet për ndeshje në sheshet e Tunizisë. Në një raport të paraqitur po sot, FAO vlerëson se çmimi i drithërave do të rritet me 56% brenda këtij viti. Shkaqet janë të shumta. Mbi të gjitha, kërkesa e madhe për drithëra, të cilat përdoren në prodhimin e karburanteve alternativë, si etanoli dhe bionafta. Ato nxirren nga fermentimi i drithërave dhe i sheqerit të kallamit. Revoltat për bukën, shkaktuar nga rritja e çmimeve, nuk do të ndalen nëse vendet e pasura nuk bëjnë një hap mbrapa, të paktën prej 20 vjetësh për të korregjuar politikat e gabuara të zhvillimit – deklaroi drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Zhak Diuf. Rezervat, sqaroi ai, kanë arritur nivelin më të ulët që nga viti 1980. Të dëgjojmë Rikardo Moron, drejtor i Fondacionit “Drejtësi e Solidaritet” i Konferencës Ipeshkvnore Italiane:
Po rritet çmimi i drithërave, si ai i orizit, ashtu edhe ai i grurit, pra i elementit bazë për ushqim. Arësyet janë disa dhe të ndryshme ndërmjet tyre. Nga njëra anë, ulja e prodhimit për përdorim ushqimor, që varet nga rritja e prodhimit të të ashtuquajturave “bio-drithëra”, nga ana tjetër, rritja edhe e prodhimit, që shkon për ushqim kafshësh, sepse ekziston një kërkesë më e madhe për mish gjedhësh ose për qumësht. Prandaj, rritet numri i gjedhëve. Këto dy fenomene sëbashku me krizën e naftës e faktorë të tjerë, që sjellin rritjen e inflacionit, kanë bërë që edhe në vendet me zhvillim të mesëm, familjet më të varfëra ta kenë më të vështirë furnizimin me ushqim. Mosqeverisja e mirë e fenomenit mund të çojë në çekulibra, që do të rëndojnë akoma më shumë mbi më të varfërit.
“Për herë të parë që prej dhjetra vjetësh është rritur numri i njerëzve që kërcënohen nga uria”. Kjo frazë, e thënë jo më larg se dje, i përket kryeministrit britanik Gordon Braun, i cili kërkoi që problemi i ushqimit të vihet në fillim të listës së çështjeve, që do të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme të G8-ës, në Japoni. Shkaqet e krizës ushqimore janë të njohura – vë në dukje sot gazeta e Kishës Italiane “Avvenire”: rritja e kërkesës për drithëra nga gjigantë demografikë si Kina dhe India, kthimi i zonave të tëra bujqësore në zona për prodhimin e biokarburanteve, të korrat e këqia për shkak të ndryshimit të klimës e sidomos, një spekullim i jashtëzakonshëm financiar i bankave botërore, që solli në krizën e kredive për shtëpitë në SHBA-të. Por kriza amerikane ndikon para së gjithash në përkeqësimin e gjendjes në vendet më të varfëra. Banka Botërore paralajmëron se janë pikërisht Evropa Lindore dhe Azia Qendrore, të cilat që tani po zvogëlojnë ritmet e zhvillimit, ato që do ta vuajnë më shumë këtë gjendje. Do të duhej një ndërhyrje nga Organizata Botërore e Tregtisë, por e ashtuquajtura “axhenda e Dohas” apo “objektivat e Mijëvjeçarit” janë larg realizimit, pavarësisht se vendet anëtare të Organizatës janë me pikpamje më të afërta se në vitin 2000. Por cila do të ishte rrugëzgjidhja? Të dëgjojmë sërish Rikardo Moron, drejtor i Fondacionit “Drejtësi e Solidaritet” i Konferencës Ipeshkvnore Italiane:
Një ide që sot mund të duket pak si ëndërrimtare është të përpiqemi të përsërisim në nivelin global përvojën e Bashkimit Evropian. Ky i fundit ka një politikë kuotash, ka një politikë bujqësore të përbashkët, që mbron si prodhuesit, ashtu edhe konsumatorët, duke evituar luftën e brendshme, dhe ka përdorur tregun për shpërndarjen e prodhimit. Në këtë mënyrë, ne kemi pasur një zhvillim bujqësor gradual. Sot, kësaj politike i ka kaluar koha, sepse tregu bujqësor nuk është vetëm kontinental, por duhet të përpiqemi ta përsërisim atë eksperiencë, natyrisht në mënyrë të re e në nivel global, për të kuptuar se cilat janë nevojat për ushqim, cilat janë mundësitë e prodhimit, si mund të prodhohet për të plotësuar nevojat, duke ruajtur ambientin. E ky është zanati i politikës.
E pikërisht duke reflektuar mbi zhvillimin, atë GianPaolo Salvini, jezuit, drejtor i revistës së njohur “Qytetërimi katolik” (La Civiltà Cattolica), vë në dukje se si shkaqet që shtyjnë drejt zhvillimit janë akoma të panjohura, pavarësisht nga përparimet që kanë bërë në këtë drejtim Kina e India, por edhe Koreja e Jugut e vende të tjera. Pikërisht këto vende fillojnë ta frikësojnë Perëndimin. “Kjo do të thotë se ne duam zhvillimin e të tjerëve, me kusht që ai të mos sjellë sakrifica për ne”, nënvizon atë Salvini, i cili thekson se tregu i lirë, ngritur në qiell nga ekonomistët e kapitalizmit të sotëm, paska nevojë për korregjime, sepse i vetëm nuk ia del dot. Nëse nga njëra anë, ka përmirësuar jetën e njerëzve në përgjithësi, nga ana tjetër ka polarizuar më tej shoqërinë e ka krijuar më shumë të varfër relativë. Pra gradualisht, zhduket niveli i mesëm i popullsisë. E kjo – shkruan atë Salvini – e rrit shumë pakënaqësinë e perceptuar. E më pas, paralajmërimi për çdo politikan që ka në dorë fatet e popullit të vet. “E gjithë kjo – përfundon drejtori i revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik” – rrit tensionet ndërkombëtare dhe të brendshme: luftrat i bëjnë të varfërit relativë e jo ata absolutë, të cilët kanë të tjera halle për të menduar e nuk kanë as mjetet për të luftuar. Megjithëse, mund të bëhen terren rekrutimi për të furnizuar me të dëshpëruar elitën, që shkakton luftrat e revolucionet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.