2008-04-11 18:18:36

Kardinali Martino në simpoziumin “Drejtësi e paqe”: “Të punosh për çarmatimin, do të thotë të promovosh paqen parandaluese”.


(11.04.2008 RV)“Të promovohet kultura e paqes parandaluese”: këtë theksoi kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, duke hapur sot paradite në Romë, seminarin ndërkombëtar të dikasterit vatikanas me temë: “Çarmatimi, zhvillimi e paqja. Perspektiva për çarmatimin e plotë”.
Të punosh për çarmatimin, do të thotë të punosh për kulturën e paqes parandaluese. Kjo kulturë krijon kushtet e përshtashme për t’ia prerë që në zanafillë rrugën konflikteve, të cilat mund ta dëmtojnë, më pas, bashkëjetesën njerëzore me shkandullin e luftës. Këtë kujtoi kardinali Martino, i cili në vijim shpjegoi se është detyrë e çdo njeriu të japë ndihmesën e vet për çarmatimin. E këtë detyrë mund ta realizojë vetëm në se do të ketë guximin të çarmartosë, së pari, zemrën e tij. Secili njeri – vërejti Hirësia e Tij – është i thirrur të jetë veprimtar i paqes në jetën e vet e, prej këndej, në botë. Me këtë kulturë të paqes – shtoi kardinali Martino – duhet të pajisen kryesisht drejtuesit e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, që janë të thirrura për të krijuar frymën e dialogut, të besimit reciprok e të mjeteve diplomatike për parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.Kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes shpjegoi, më pas, edhe rolin e feve të mëdha, që duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht për të mbrojtur vlerën e dinjitetit e të jetës njerëzore si dhe për të promovuar pedagogjinë e vërtetë të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.