2008-04-11 18:18:13

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(11.04.2008 RV) 1 prill: Pjetri i nderuar, që drejtoi përkthimin e Kuranit në latinisht
“Atëherë Krishti ekzistoka, por nuk qenka Hyj!”.
“Jo, është vetëm profet”.
“Si guxoni t’i nxirrni nga goja këto fjalë!” - bërtet Luigji, i zemëruar pa masë, pasi dëgjon këtë dialog ndërmjet dy murgjërish.
Murgjërit jo vetëm që nuk preken fare nga zemërimi i tij, por shpërthejnë në gaz.
“Mos u shqetëso, mos u shqetëso!” – i thonë – nuk jemi duke e mohuar fenë e krishterë, jooo. Besojmë me gjithë mend e me gjithë zemër se Krishti është Hyj! Por sapo përfunduam leximin e Kuranit e po flisnim për besimin e myslimanëve”. Vëlla Luigjit, që ishte zbehur si meit, i kthen fytyra, madje vë buzën në gaz.
“Duhet ta kisha kuptuar menjëherë. Këtu, prej javësh, s’bëhet tjetër, veçse të flitet për Kuranin. Unë nuk e kam pasur ende kohën e duhur për të shkuar në bibliotekë e për ta studiuar”.
Këtë donte Pjetri i Nderuar, abati i urdhërit të Klynisë, të cilit i përkisnin të tre murgjërit: dëshironte që Evropa e krishterë të fliste për Kuranin, Librin e shenjtë të Islamit. Disa vjet më parë, më 1141, u vu vetë në krye të punës për përkthimin e tij në gjuhën latine.
Jemi në epokën e Kryqëzatave: në Tokën Shenjte ndërmjet të krishterëve e myslimanëve zhvillohen beteja të përgjakshme. E pra, asnjëra nga palët ndërluftuese nuk e njeh fare fenë e armikut. Të krishterët kanë njohuri të vagëlluara mbi Islamin. Disa kanë dëgjuar se Kurani flet edhe për Krishtin e, prej këndej, mendojnë se feja myslimane është e njëllojtë me fenë e krishterë. Të tjerët nuk dinë gjë prej gjëje, nuk kanë dëgjuar kurrë të flitet për Kuranin, e as nuk duan të dëgjojnë.
Pjetri i nderuar është njeri i zgjuar, që punon me gjithë zemër për paqen e dialogun ndërmjet njerëzve. E ka kuptuar sa rëndësi ka ta njohësh fenë e myslimanëve. Ai e pranon ndeshjen, por si ndeshje me arsyetime, e jo me armë. E, për t’u ndeshur si dëshiron ai, metoda më e mirë është ta studiosh Kuranin, që është burimi kryesor i fesë myslimane, pikërisht ashtu si Bibla është libri themelor i krishtërimit.Në vitin 1141 Pjetri shkon në Toledo të Spanjës, që asokohe ishte nën sundimin e myslimanëve, ndonëse me shumicë popullsie të krishterë. Abati i Klynisë e di se në këtë qytet do të takojë njerëz, që e njohin si kulturën myslimane, ashtu edhe atë të krishterë. Zgjedh, prandaj, ndërmjet tyre, njohësit më të mirë, e formon një grup me specialistët më të shquar të përkthimit. E ata, pasi punojnë disa vjet, e kryejnë me sukses përkthimin, që u është ngarkuar. Urdhëri i Klynisë, i përhapur në mbarë Evropën, merr mbi vete detyrën ta bëjë të njohur në të gjithë Kontinentin Librin e shenjtë të myslimanëve. E kështu manastiret dhe universitetetet e zbulojnë, me shumë interes, këtë përkthim latin aq të pritur.







All the contents on this site are copyrighted ©.