2008-04-10 17:47:12

Shpresa ungjillore dhe të drejtat e njeriut, në qendër të shtegtimit të Benediktit XVI në SHBA; e nënvizon kardinali Bertone në një intervistë dhënë Foks Njuz.


(10.08.2008RV) RealAudioMP3 Amerikanët presin me interesim në rritje udhëtimin apostolik të Benediktit XVI në SHBA, që do të fillojë të martën e ardhshme. Pardje, në një videomesazh drejtuar katolikëve amerikanë, Benedikti XVI nënvizoi se zemra e shtegtimit të tij të tetë apostolik ndërkombëtar do të jetë shpresa e krishterë. Papa nënvizoi edhe se është i vetëdijshëm për rrënjët e thella të mesazhit ungjillor në jetën e popullit amerikan. Pikërisht mbi realitetin e Kishës amerikane dhe rolin e ndryshëm të feve në SHBA e në Evropë flet kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në një intervistë dhënë televizionit amerikan Foks Njuz (Fox News):

Përgjigje: - Për Shtetet e Bashkuara – duke pasur parasysh historinë e pasur fetare të këtyre Shteteve – besoj se Papa shikon një të ardhme të sigurtë për Kishën në këtë vend, ndonëse Kisha, ashtu si fetë e tjera, mund të kalojë periudha krize, si pasojë e shekullarizimit dhe e sfidave të tjera të botës moderne, siç është, për shembull, sfida e shkencës, të cilën vetë Papa e analizon pikërisht në Enciklikën e tij ‘Spe salvi’ (Me shpresën shpëtuam). Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë një rol të dorës së parë në skenën botërore edhe për zhvillimin e madh shkencor, që posaçërisht në shekullin e kaluar, bëri një hop të vërtetë cilësor. Por, përballë këtyre sfidave, Papa vë theksin mbi rolin e fesë dhe të etikës. Janë dy elemente të rëndësishme, pa harruar elementet e tjera dhe forcën e madhe të Kishës katolike në shoqërinë civile të SHBA: janë vlera që, pavarësisht nga evolimi i botës moderne, pranohen nga të gjithë. Më duket se pikërisht mbi këtë bazë, që është e qëndrueshme, pra mbi bazën e rrënjëve të krishtera të shoqërisë së kombit të madh shumformësh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Papa shikon një ardhmëri koherente. Natyrisht kjo është më e vështirë në Evropë, sepse në Evropë ekziston pikërisht problemi i rrënjëve të krishtera të Kontientit, që duket sikur është zgjidhur, sikur është refuzuar nga Evropa. Papa e ka vënë këtë në dukje, ka lëshuar kushtrimin në Evropën e kohës sonë dhe ka theksuar se, duke u lodhur nga rrënjët e krishtera, Kontinenti rrezikon të shikojë perëndimin e qytetërimit të vet. Një Evropë pa Hyjin, pa Hyjin e Jezu Krishtit, që e ka themeluar e ndërtuar shoqërinë evropiane e vetë humusin e qytetërimit evropian, me ndikim të frytshëm e bujar në mbarë botën, posaçërisht në kontinentet e tjera (mjafton të mendojmë për Amerikën Latine, Afrikën e jo më pak, për Azinë), Evropa rrezikohet të perëndojë, madje do të thosha, të shembet. Atëhere Papa shikon këtë ndryshim ndërmjet SHBA dhe Evropës, por edhe Evropës i përçon mesazhe impenjimi e shprese.

Pyetje: - Hirësi, Kisha në SHBA nuk e ka marrë ende mirë veten nga tronditja e shkandullit të shpërdorimeve seksuale. Do të flasë për këtë Papa gjatë shtegtimit të tij?

Përgjigje: - Është e vërtetë se ky ishte një fakt i dhimbshëm, që e dëmtoi rëndë Kishën, e jo vetëm Kishën, por mund të them, të gjitha institucionet. Por këtu dëshiroj të nënvizoj, pa kujtuar vuajtjen që u ka shkatuar papëve ky problem i veçantë, se shumica e meshtarëve, e barinjve dhe e edukatorëve katolikë në SHBA mbetën besnikë, me një pastërti të paqortueshme. E këtë duhet ta kemi parasysh. Por edhe në se flasim për një pakicë, gjithsesi fakti mbetet tepër i rëndë, sepse në kundërshtim të hapur me thirrjen e me misionin, posaçërisht të meshtarëve. Kjo i ka hapur plagë jo vetëm Kishës katolike në SHBA, por në të gjithë botën. Papa do të flasë hapur për këtë në katedralen e Shën Patrikut, në fjalimin që do t’u drejtojë meshtarëve, të shtunën më 19 prill. Natyrisht Ati i Shenjtë kërkon, së bashku me barinjtë e Kishës, rrugët e shërimit e të pajtimit. Me këtë ndjet, Papa do t’i nxisë të gjithë, si ta kenë pastruar mirë jetën e tyre, të marrin pjesë vendosmërisht në krijimin e kulturës së pasërtisë morale, të drejtësisë, të besimit reciprok, posaçërisht në fushën edukative. E kjo, sepse përballë këtyre problemeve e këtyre rreziqeve, që për fat të keq dynden gjithnjë mbi jetën e çdo njeriu – e shohim sa shumë njerëz, nga çdo shtresë shoqërore, mund të preken nga ky tundim e nga ky zvetënim njerëzor. Prandaj ne duhet të vijojmë me të gjitha forcat punën në fushën edukative. Nuk duhet të heqim dorë nga veprimtaria edukative, nuk duhet të heqim dorë nga shkollat, nuk duhet të heqim dorë nga qendrat rinore; përkundrazi, duhet t’i bëjmë forum ballafaqimi për formimin e gjithanshëm të njeriut, t’i bëjmë çenakull të miqësisë me Krishtin, çenakull të edukimit me fenë e me dashurisnë. Në Enciklikën “Zoti është dashuri”, Papa ka sqaruar plotësisht cilat janë rrugët, madje edhe rreziqet, në përpjekjen për t’i edukuar njerëzit me frymën e dashurisë.

Pyetje: - Cili është mesazhi që do t’u transmetojë Papa Kombeve të Bashkuara?

Përgjigje: - Mesazhi i Papës drejtuar Kombeve të Bashkuara do të ndjekë sidomos gjurmët e papëve të mëparshëm, pra do të njohë vlerën dhe rolin e Kombeve të Bashkuara e të marrëdhënieve të mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e OKB-së, që në zanafillë të tyre, që kur nisi veprimtaria e kësaj tribune të madhe të kombeve të botës. Pastaj sivjet kremtohet 60-vjetori i Deklaratës universale të të drejtave të njeriut e prandaj edhe fjalimi i Papës do të përqendrohet kryesisht tek kjo temë, me theksin mbi karakterin unik e të pandarshëm të të drejtave themelore, që i kanë rrënjët në natyrën e njeriut, të krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit. Do të thosha se teologjia e krijimit – e ia them këtë edhe një kombi të madh, si SHBA, komb që beson në Zotin e krijimit – është në themel të të drejtave, të bazuara mbi njeriun, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit. Tepër shpesh e me cektësi të madhe të drejtat e njeriut apo të drejtat e reja, konsiderohen si akte thjeshtë ligjore, që burojnë nga vullneti i një ligjvënësi ose i një autoriteti tjetër njerëzor, duke harruar se Kombet e Bashkuara lindën pikërisht si organizatë botërore, pas përvojës së hidhur të diktatorëve të gjithëpushtetshëm e, prandaj, pikërisht për të kërkuar t’i jepet fund copëzimit të të drejtave e dobësimit të tyre, gjë që gati-gati të krijon idenë se ligjet dalin vetëm nga ata që komandojnë ose nga ata që, duke u bazuar mbi vetgjykimin absolut, besojnë se mund të vendosin cilat janë të drejtat e cilat detyrat e, sidomos, cilat janë të drejtat e njeriut. Por nuk duhet harruar se të drejtat kanë një bazë shumë më të thellë, bazë që duhet kërkuar në vetë natyrën njerëzore. Natyrisht edhe detyrimet e bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë të domosdoshme e Papa do të flasë pikërisht për detyrimet që ka bashkësia ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e të ligështve e jo të drejtat e të fortëve, sepse kjo sigurisht është krejt e lehtë, mbasi të fortët i mbrojnë vetë të drejtat e tyre, pa pasur nevojë t’i ndihmojë kush. Mund të themi, pra, se bashkësia ndërkombëtare vepron bashkërisht pikërisht përmes Kombeve të Bashkuara e Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të mbrojë të drejtat e më të pambrojturve. E kjo përkon me parimin e ndihmës e të solidaritetit ndaj popujve që vuajnë nga uria, padija, sëmundjet endemike… Ky është problemi, për zgjidhjen e të cilit Kisha është gjithnjë në vijën e parë të frontit, së bashku me të gjitha organizatat humanitare.







All the contents on this site are copyrighted ©.