2008-04-10 17:50:09

Imzot Çelestino Miliore flet në OKB për popullsinë e zhvillimin dhe për pritjen e vizitës së Papës.


(10.04.2008RV)RealAudioMP3 “Atmosferë pritjeje, e ngarkuar me shpresë”: kryeipeshkvi Çelestino Miliore e përmbledh kështu atmosferën që ndjehet në SHBA, një javë para arritjes së Benediktit XVI. Në një intervistë dhënë agjensisë SIR, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara u ndalua posaçërisht tek vizita e Papës në Pallatin e Qelqit më 18 prill. “Shumë diplomatë – theksoi - e ndjekin nga afër dhe e vlerësojnë qartësinë e mendimit të Atit të Shenjtë si dhe frymëzimin që buron prej tij”.
E pikërisht dje imzot Miliore mbajti një fjalim në Komisionin e OKB-së mbi popullsinë dhe zhvillimin.
Përballë fenomeneve të emigracionit e të urbanizimit, nuk duhet harruar kurrë se protagonist është njeriu, me të drejtat e tij - theksoi Prelati – dhe në vijim kujtoi se numri i popullsisë qytetare e ka kaluar atë të popullsisë fshatare. Një fenomen i tillë krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik, por ka edhe pasoja çnjerëzore, sepse i shndërron njerëzit në objekte, në vend që t’i shikojë si subjekte. Nga ana tjetër duhen analizuar mirë edhe shkaqet që i shtyjnë njerëzit të emigrojnë, të lenë pas vatra, familje, miq. Jeta larg familjes është një nga shqetësimet kryesore për emigrantët – kujtoi prelati - prandaj theksoi se duhen ndihmuar për bashkmin familjar, sepse kështu mund të japin një ndihmesë më të madhe për zhvillimin e shoqërisë së re ku jetojnë.Prelati foli edhe për krijimin e mega-qyteteve, ku më se 840-milionë njerëz jetojnë në kushte çnjerëzore, në sa 675 milionë të tjerë nuk kanë as ujin e pijshëm e 2 miliardëve u mungon çdo lloj shërbimi shëndetësor. Në përfundim imzot Miliore theksoi se politikat kombëtare e ndërkombëtare duhet t’u sigurojnë bashkësive fshatare shërbime shoqërore më të shumta e më cilësore.







All the contents on this site are copyrighted ©.