2008-04-10 17:50:38

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(10.04.2008) RealAudioMP3 10 prill: Abati që stolis abacinë me ar e gur të çmuar, pa harruar të varfërit.
Një murg troket tek porta e Syzhè, abatit të Shën Dënì, abaci pranë Parisit, ku varrosen mbretërit e Francës.
“Kanë ardhur argjendarët me kryqin që keni porositur”.
Sapo dëgjon këto fjalë, Syzhè del me vrap nga studioja e tij; pret me padurim ta shikojë kryqin. Shpresojmë të mos zhgënjehet! Një çast më vonë, ja, ai ndodhet përballë argjendarëve, mjeshtra zejtarie, që punojnë arin e gurët e çmuar. Argjendarët përkulen, pastaj zbulojnë kryqin, që është i gjatë sa tre vetë të vënë njëri mbi tjetrin…
Syzhè hesht për disa çaste, me sytë e zgurdulluar nga mahnitja. Argjendarët respektojnë heshtjen e tij, krenarë për admirimin, që i lexohet në fytyrë. Syzhè është njohësi më i mirë i artit në të gjithë mbretërinë e Francës. E kënaqësia e tij dëshmon se ky kryq është kryevepra më e shquar, që kanë bërë deri tani.
Vështrimi i abatit shket mbi kryqin e madh, të artë, stolisur me gurë të çmuar, që vezullojnë me një shkëlqim, me një shkëlqim…“Me një shkëlqim hyjnor” – përshpërit me vete Syzhè. I duket se këta gurë të çmuar pasqyrojnë sadopak misterin e Hyjit. Bukuria është dritë që vjen nga Zoti e, duke kundruar sende mahnitëse e vezulluese, si gurët e çmuar, mund të ndriçohesh prej ndonjë shkëndije të shkëlqimit hyjnor. Pikërisht nga që mendon se sendet e çmuara flasin për Hyjin, Syzhè nuk kursehet, kur është fjala për të shtuar thesaret e abacisë së Shën Dënì. Që kur u emërua epror i abacisë, në vitin 1122, vijon rregullisht punën për zbukurimin e Kishës vigane abaciale, duke zgjedhur për këtë punë zejtarët më të mirë të Francës. Më së pari ka filluar punimet e mëdha arkitektonike, për rindërtimin e kishës me teknikat e reja të kohës. Më pas u ka kërkuar artistëve më të famshëm të punimeve në qelq, t’i krijojnë vetrata moderne e të ndritshme; në fund, nis të bëjë porosi për enë shenjte, kryqe, kelke… njëri më i bukur se tjetri. Por ky kryq është gjëja më e bukur që ka parë në jetën e vet aq të pasur me përvojë artistike. Nganjëherë abati i Shën Dënì kritikohet rëndë; akuzohet se shpenzon në tepri për thesarin e abacisë, ndërsa në Francë ka mijëra të varfër. Po abatin Syzhè nuk e bren aspak ndërgjegjja. Që kur u bë epror, u përpoq me të gjitha forcat ta përmirësojë gjendjen ekonomike të Shën-Dënì, kryesisht për të ndihmuar nevojtarët. Syzhè mendon se mund ta përdorë atë që mbetet, për të zbukuruar abacinë, sepse s’ka gjë që të jetë tepër e bukur ose tepër e çmuar për Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.