2008-04-09 19:09:40

Iraku, 5 vjet pas Sadam Hyseinit


(09.04.2008 RV)RealAudioMP3 Pesë vjetori i rënies së regjimit të Sadam Hyseinit në Irak shtron para amerikanëve, por edhe para botës në përgjithësi, pyetje mbi përparimet e vendit, të përdorur nga Uashingtoni për të ashtuquajturin “eksportim të demokracisë”. Si sot, 5 vjet më parë, shtatorja e Sadam Hyseinit hidhej poshtë në sheshin qendror të Bagdadit. Të dëgjojmë gazetarin italian Alberto Negri, i dërguar i “Sole 24 Ore”:
Unë isha në atë shesh, atë ditë, kur u rrëzua shtatorja e Sadam Hyseinit. Nuk ishim më shumë se 200-250 vetë. Më pas, sigurisht, në pamjet e transmetuara nga televizionet ndërkombëtare, dukeshin mijëra njerëz përreth shtatores. Por, në të vërtetë, ishim vetëm qindra e përreth nesh, Bagdadi i shkretë dhe i frikësuar, që priste të nesërmen.
5 vjet pas rënies së regjimit të Sadam Hyseinit dhe pas ndërhyrjes amerikane, çfarë shpresash kanë irakianët?
Para së gjithash irakianët duhet t’i gjesh. Nuk është batutë, sepse nëse shkojmë në Bagdad, apo në qytete të tjera irakiane, vemë re postblloqe e barriera, gjejmë ndarje, që pasqyrojnë jo vetëm konfliktin ndërmjet amerikanëve dhe opozitës së armatosur, por edhe atë ndërmjet sunitëve dhe shiitëve. Kjo është një luftë e vërtetë civile dhe shiitët tashmë kanë në dorë dy të tretat e kryeqytetit. Spastrimi etnik dhe sektar funksionon edhe në pjesën tjetër të vendit. Në veri, ka ndarë kurdët dhe shiitët, ndërsa jugu është homogjen, shiit. Ta mbash të bashkuar këtë vend, nuk është e thjeshtë.
Si shihen sot amerikanët në vend?
Amerikanët u kanë shërbyer si mjet shiitëve për të marrë pushtetin. Kujtoj se shiitët përbëjnë 60% të popullsisë. Po u kanë shërbyer edhe kurdëve për të krijuar një lloj gjysëm shteti, që më vonë mund të ketë edhe burimet ekonomike për t’u bërë shtet efektiv. E kjo, megjithë pasojat në marrëdhëniet me Turqinë e me Iranin. Sot për sot, roli i amerikanëve më duket ky: janë pushtues, po edhe mjet në duart e fraksioneve të brendshme irakiane.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.