Imzot Marketo: të respektohen të drejtat e emigrantëve të rregullt.
(09.04.2008 RV)Puna baritore me
emigrantët, skllavëritë e reja, turizmi dhe shtegtimet: këto ishin temat, që preku
dje pasdite imzot Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor për emigrantët dhe
endacakët. Prelati foli në asamblenë e 95-të plenare të Konferencës ipeshkvnore të
Argjentinës, që vijon në Buenos Ajres deri më 12 prill. Sot, në mbarë botën, numërohen
më se 200 milionë emigrantë: burra, gra, fëmijë e pleq. Shumica largohen nga vatrat
e tyre në kërkim të punës. 9% e tyre janë refugjatë, ndërsa pjesa më e madhe zgjedh
Evropën si vend për fillimin e një jete të re. U nis nga këto të dhëna imzot Marketo,
i cili më pas vërejti se sot emigracioni duhet shikuar në një kontekst më të gjërë,
duke pasur mirë parasysh edhe rrethanat e globalizimit, çështjet demografike, posaçërisht
në vendet e industrializuara, thellimin e hendekut të pabarazisë ndërmjet veriut
e jugut të botës, shfrytëzimin dhee zvetënimin e njeriut, përhapjen e konflikteve
e të luftërave civile: të gjitha burim i sigurtë për shtimin e emigrantëve e të refugjatëve.
Por imzot Marketo nuk reflektoi vetëm mbi anët negative të emigracionit, duke pasur
parasysh se ky fenomen ka edhe anë tepër pozitive. Ndër këto mund të kujtojmë krijimin
e mundësive të jashtëzakonshme për takimin e njerëzve, për njohjen e vendeve, të traditave
e të popujve, gjë që fuqizon unitetin e familjes njerëzore. Prej këndej, duke cituar
dokumentin ‘Egra migrantes caritas Christi’, botuar nga Këshilli Papnor për
baritorinë me emigrantët më 3 maj 2004 - prelati theksoi se përvoja e emigracionit
duhet shfrytëzuar si një rast tepër i përshtatshëm për ungjillëzim e mision, duke
e parë fenomenin në këndvështrim ekumenik e ndërfetar, sepse ndërmjet emigrantëve
të rinj ka shumë të krishterë të konfesioneve të ndryshme, por edhe përfaqësues të
feve të tjera, sidomos të fesë islame. Më pas prelati vuri theksin mbi problemin
themelor: emigrantët nuk mund të konsiderohen si mall tregu ose si krahë të lirë pune.
Të gjithë, edhe ata që janë të parregullt, gëzojnë të drejta themelore të patjetërsueshme,
të cilat duhen respektuar në çdo situatë. Prandaj imzot Marketo nënvizoi se është
e nevojshme të transmetohet kultura e mikpritjes, që ua njeh të gjithëve të drejtat
e nevojat e tyre shpirtërore. Imzot Marketo i ftoi të krishterët t’i respektojnë traditat
e kulturat e emigrantëve, të cilët nga ana e tyre duhet të mbajnë të njëjtin qëndrim
ndaj banorëve të vendit që i pranon. Më pas foli edhe për skllavëritë e reja, sidomos
për shfrytëzimin seksual, tregti e turpshme, që flak sot në rrugë 6 milion gra e
fëmijë. Një plagë tjetër e emigracionit, që u theksua nga sekretari i Këshillit Papnor
për emigrantët dhe endacakët, është edhe shfrytëzimi i krahut të punës në sferën e
bujqësisë, ku sot punojnë më se 240 milionë emigrantë.Në përfundim imzot Marketo analizoi
edhe punën baritore në fushën e turizmit, duke përfshirë edhe turizmin fetar, i cili
sot është një nga sektorët më të rëndësishëm të lëvizjes së njerëzve. Statistikat
flasin për lëvizjen e 900 milionë turistëve në vit, të cilëve u shërbejnë 200 milionë
punonjës të turizmit. Një situatë e tillë – sipas prelatit - duhet shfrytëzuar si
mjet i dialogut, i paqes, i ndihmës për zhvillim, i njohjes ndërmjet popujve dhe i
zhvillimit shpirtëror të njerëzve”.