2008-04-08 19:35:04

Shpresa e krishterë, në qendër të shtegtimit apostolik në SHBA e të vizitës në OKB: kështu shprehet Papa në videomesazhin drejtuar popullit amerikan.


(08.04.2008 RV)RealAudioMP3 Do t’i çoj popullit amerikan dhe Kombeve të Bashkuara, mesazhin e shpresës së krishterë: në këto fjalë Benedikti XVI përmbledh, në një videomesazh që u paraqit sot në Sallën vatikanase të Shtypit, domethënien e shtegtimit të tij të tetë apostolik ndëkombëtar, i pari në SHBA.
“Bota ka nevojë, më shumë se kurrë, për shpresë: shpresë për paqe, për drejtësi, për liri, por nuk mund ta realizojë këtë shpresë, në se nuk i bindet ligjit të Hyjit, që Krishti e përmbushi me urdhërimin për ta dashur njëri-tjetrin”. Ky është një nga fragmentet kryesore të videomesazhit të Benediktit XVI drejtuar popullit të SHBA, një javë para fillimit të shtegtimit të tij apostolik në trojet amerikane. Ndonëse do të vizitojë vetëm dy qytete, Uashingtonin e Nju Jorkun, Papa dëshiron t’i rrokë shpirtërisht të gjithë katolikët, që jetojnë në SHBA. “Zemra ime – rrëfen Ati i Shenjtë – do të jetë pranë të gjithëve, posaçërisht pranë të sëmurëve, të vegjëlve, të braktisurve:
"At the same time, I earnestly hope that my presence…
Njëkohësisht – nënvizon Benedikti XVI – uroj nga zemra që ardhja ime mes jush të shikohet si shprehje e vëllazërimit me çdo bashkësi kishtare e si dëshmi e miqësisë me të gjithë besimtarët e me të gjithë burrat e gratë vullnetmira. Shpresa, pra, është zemra e këtij shtegtimi apostolik; e Benedikti XVI kujton se tema e vizitës është pikërisht “Krishti shpresa jonë”.
"Jesus Christ is hope for men and women…
Jezu Krishti – ripohon Papa – është shpresë për burrat e gratë e çdo gjuhe, të çdo race, të çdo kulture e të çdo gjendjeje shoqërore. Vetëm në sajë të Tij – shton Ati i Shenjtë – mund të formojmë familjen e njerëzve e të popujve që jetojnë si vëllezër. E më tej vëren: “E di mirë sa i rrënjosur është ky mesazh ungjillor në vendin tuaj”.
"I shall also bring the message of Christian hope…
Do t’u çoj mesazhin e shpresës – vijon Papa – edhe përfaqësuesve të popujve të botës në Asamblenë e madhe të Kombeve të Bashkuara, kombe që kanë shumë nevojë për shpresë. Më pas Shenjtëria e Tij ndalet te “rregulla e artë”: “Duhet t’u bëni të tjerëve, pikërisht atë që dëshironi t’jua bëjnë juve!”. Është rregull që e gjejmë në Bibël, por që vlen për të gjithë, edhe për ata që nuk besojnë”. E kjo, sepse është ligj i shkruar në ndërgjegjen njerëzore, pikë takimi që, pavarësisht nga ndryshimet, i krijon mbarë bashkësisë njerëzore mundësitë e mirëkuptimit, për ndërtimin e një bote më të mirë. Benedikti XVI falënderon edhe ata që e kanë nisur prej kohe punën për përgatitjen e shtegtimit, duke ia hapur rrugën me lutje e veprimtari konkrete. Në videomesazh, Papa u drejton një përshëndetje edhe katolikëve të shumtë amerikanë me origjinë spanjolloamerikane:
"Les aliento a orar intensamente…"
Benedikti XVI u kërkon besimtarëve të gjuhës spanjolle të luten shumë për frytet baritore të shtegtimit e i porosit ta mbajnë gjithnjë të ndezur flakën e shpresës në Krishtin e Ngjallur.Siç thamë më lart, videomesazhi i Papës u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit, ku drejtori, Atë Federiko Lombardi, shpjegoi etapat e shtegtimit të Papës në SHBA.
Është një shtegtim i shkurtër, po tepër i ngarkuar me veprimtari e shumë i pasur me takime, që kanë një kuptim të thellë, e jo vetëm shpirtëror.
Atë Lombardi kujtoi sidomos pikënisjen e shtegtimit të tetë ndërkombëtar të Benediktit XVI, gjatë të cilit Papa do të kremtojë edhe 81- vjetorin e ditëlindjes dhe trevjetorin e papnisë:
“Pikënisja e këtij shtegtimi është ftesa e Kombeve të Bashkuara, që u bë nga Kofi Anan e u përsërit nga Ban Ki-mun. Vizitat e papëve në OKB – siç e dini – janë tri: vizita e Palit VI e dy vizitat e Gjon Palit II: zakonisht vizitat janë bërë në tetor, sepse tetori është muaji në të cilin fillojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme. Sivjet, siç e dini, në SHBA tetori është koha e zgjedhjeve, prandaj nuk ishte e mundur, a më mirë të themi, nuk ishte e arsyeshme, që shtegtimi të bëhej në tetor”.
Në takimin e shumëpritur në Pallatin e Qelqit – vërejti drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit - Papa do të flasë për bazat e të drejtave të njeriut. Pikërisht sivjet në OKB kremtohet 60-vjetori i Deklaratës universale të të drejtave të njeriut. Shtegtimi do të ketë edhe një përmasë kuptimplote shpirtërore. Papa do të takohet me përfaqësuesit e të gjitha bashkësive kryesore të Kishës amerikane, nga kardinajtë - tek prelatët, nga priftërinjtë e rregulltarët, tek përfaqësuesit e laikatit katolik. Sipas parashikimit, gjatë këtij shtegtimi Ati i Shenjtë do të kremtojë tri Meshë: më 17 prill do të kryesojë Meshën Shenjte në National Stadium (Nejshënell Steidium) të kryeqytetit; më 9 prill, në katedralen e Shën Patrikut të Nju Jorkut dhe më 20 prill, Meshën përfundimtare në Yankke Stadium (Jenki Steidium) të Nju Jorkut. Siç parashikohej ndjehet fort atmosfera e pritjes nga ana e mjeteve amerikane të komunikimit për vizitën në Shtëpinë e Bardhë, më 16 prill, kur Ati i Shenjtë do të takohet me presidentin Xhorxh Bush. Gjithsesi, duke cituar rezultatet e një sondazhi të komisariatit të Kalorësve të Kolombos, Atë Lombardi vuri theksin mbi shpresat e vërteta me të cilat e presin amerikanët këtë takim:
Gjëja e parë që presin amerikanët, nuk është ç’do të thotë Papa për Irakun, por ç’do të thotë për praninë e Hyjit në jetën e përditshme e cilat do të jenë mesazhet me karakter fetar e moral, që do të transmetojë Benedikti XVI”.
Dita e fundit e vizitës, e diela, 20 prill, do të hapet me ngjarjen, ndoshta ndër më emocionantet e këtij shtegtimi: me vizitën dhe çastin e lutjes së Papës në Ground Zero (Graund’Ziərou) të dielën, më 20 prill: këtu Benedikti XVI do të lutet për viktimat e atentateve të 11 shtatorit.
Është një ngjarje krejt e thjeshtë, që nuk do të zgjasë shumë. Gjithsej një gjysëm ore. Po kjo nuk ia pakëson domethënien e jashtëzakonshme shpirtërore e simbolike”.
Gjatë shtegtimit do të ketë edhe takime ekumenike dhe ndërfetare. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet botës hebraike: Papa do të vizitojë një sinagogë të Nju Jorkut e do të përshëndesë hebrenjtë me rastin e festimeve të tyre për Pashkë.








All the contents on this site are copyrighted ©.